Në Kosovë ka kohë që ka numër të madh banesash në treg, ka kërkesa, ose relativisht kërkesa të bollshme për shtiblerje dhe ka çmime enorme të larta të tyre. Çmimi i banesave në Kosovë, kudo, nga dita në ditë, po vjen duke u ngritur vazhdimisht. Tani një metër katror i një banese në pjesët e qendrës së Prishtinës, flitet se po tregtohet me 2.000 e 3.000 euro, ndërkohë që vjet ky çmim ka lëvizur nga 1.500 deri në 2.000 mijë euro. Lëvizje të çmimit të banesave ka edhe në pjesët periferike të kryeqytetit dhe në qytetet e tjera të vendit. Në anën tjetër, në pjesët e qendrës së Sarajevës një metër katror i një banese dy dhomëshe, deri para dy-tre muajsh mesatarisht ka kushtuar 1.833 euro, në Podgoricë 1.566 euro dhe në Shkup 1.461 euro.
Mehmet GJATA
Tregu i Kosovës në përgjithësi dhe ecuritë e çmimeve në këtë treg, pjesërisht vetëm puçen me logjikën e tregjeve normale. Çmime të shumta te një vistër produktesh dhe shërbimesh në Kosovë, në 1,5-2 vjetët e fundit janë tërësisht abnormale, jashtë logjikës dhe parimeve të ekonomisë së tregut, të përqafuar që nga 1999-ta në Kosovë.
Parimet elementare, ato bazike, të ekonomisë së tregut, alfa dhe omega e kësaj ekonomie- siç është oferta dhe kërkesa, e sistemit shoqëror aktual në Kosovë, kohë pas kohe sikur nuk vlejnë dhe thuaja janë të pazbatueshme, janë “nul”. Një numër i madh çmimesh, qoftë të produkteve të ndryshme, qoftë të shërbimeve, janë duke u jetësuar (gjithnjë duke u ngritur në përmasa enorme) duke anashkaluar apriori parimin e ofertës dhe kërkesës. Shembulli më konkret është çmimi i ngritur tejmase i paluajtshmërive në Kosovë, sidomos i banesave në ndërtesat kolektive të banimit, të cilat në vitet e pasluftës “mbinë si kërpudhat” dhe zënë vend me plan dhe pa të, në të gjitha qytetet kosovare, e veçmas në kryeqytet.
Thënë ndryshe, Në Kosovë ka kohë që ka numër të madh banesash në treg, ka shumë kërkesa, ose relativisht kërkesa të bollshme për shtiblerje dhe ka çmime enorme të larta të tyre. Dhe megjithë këto ndërtime të panumërta, megjithë këtë numër të madh banesash dhe megjithë stagnimin evident të kërkesës, të shitjes pra, çmimi i banesave në Kosovë, kudo, nga dita në ditë, po vjen duke u ngritur. Tani, askush, as nga ndërtuesit, as nga agjencitë e tregtimit të patundshmërive, nuk flet për nivelin stratosferik të çmimeve që kanë arritur në Kosovë, dhe nuk saktëson saktësisht çmimin e një banese, por, sipas llogarive të thjeshta çmimi i banesave edhe në Kosovë, edhe pse tregu i ndërtimeve duket i ngopur dhe i tejngopur, ka shkuar thuaja në përgjysmë më lartë se sa ka qenë bie fjala në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2021.
Tani një metër katror i një banese në pjesët e qendrës së Prishtinës, flitet se po tregtohet edhe me 2.000 e 3.000 euro, ndërkohë që vjet ky çmim ka lëvizur më së shumti nga 1.500 deri në 2.000 mijë euro. Njësoj me çmime të ngritura shumë, shiten edhe banesat në lagjet periferike të kryeqytetit, ku një metër katror ka arritur në 1.000 deri në 1.500 euro, çmim ky që në vitin e kaluar sillej nga 750 deri në 850 euro.
Çmimet e banesave janë ngritur ndjeshëm edhe në qendrat e tjera të Kosovës, dhe tani një metër katror në zonat e qendrës thuaja askund nuk mund të gjesh nën 700 euro, ndërkohë që në vitin paraprak në qytetet e shumta të Kosovës, edhe përgjatë zonave të qendrës, ka dominuar çmimi prej 400-500 eurosh.
Çmimet aktuale të banesave në Kosovë janë goxha më të ulëta se në Slloveni dhe Kroaci, të përafërta me disa qendra të Serbisë, por goxha më të larta se në Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi. Sipas të dhënave që ka siguruar Buletini Ekonomik, ende më së shtrenjti kushton një metër katror i banesës në qendër të Lubjanës, ku një metër katror i një banese dy dhomëshe mesatarisht kushton 4. 277 euro, në pjesën e qendrës së Zagrebit metri katror i një banese të ngjashme, mesatarisht kushton 3.440 euro, në Beograd 3.099. Ndërsa, në pjesët e qendrës së Sarajevës një metër katror i një banese dy dhomëshe deri para dy-tre mujash, ka kushtuar 1.833 euro, në Podgoricë 1.566 euro dhe në Shkup një metër katror i një banese dy dhomëshe kushtonte mesatarisht 1.461 euro. Kështu pak a shumë sillen çmimet e banesave në rajon.
Ndërtimtarët, kompanitë ndërtimore që kanë treg më të madh në Prishtinë, theksojnë se çmimi i ngritur i banesave është kryekëput pasojë e ngritjes së çmimeve të materialit ndërtimor, sidomos të hekurit (armëbetonit) dhe të blloqeve e tullave të ndërtimit, i inflacionit dhe i kostos së ndërtimit të një banese. Dhe, është e vërtetë se çmimet e hekurit dhe të materialeve të tjera të nevojshme për një banesë janë ngritur ndjeshëm, sidomos gjatë kohës së pandemisë COVID 19 dhe sidomos pas eskalimit të luftës ruso-ukrainase.
Sipas të dhënave të institucioneve ndërkombëtare që përcjellin ekzaktësisht lëvizjen e çmimeve të materialeve ndërtimore, çmimi i hekurit (armëbetonit) në rajon më 17 qershor ka qenë 1.350 dollarë për një tonelatë. Ndërsa, një tonelatë e hekurit më 9 qershor ka kushtuar 1.400 dollarë. Nga fillimi i këtij viti, një tonelatë e hekurit çmimin më të lartë në tregjet e rajonit e ka pasur më 4 prill, kur një ton hekur për ndërtimtari ka kushtuar 1.610 dollarë, ndërsa me çmimin më të ulët, ose 1.300 dollarë për një ton, hekuri është tregtuar më 18 maj, kanë transmetuar mediet e rajonit.
S’do mend se çmimi i ngritur 30-40 e më shumë për qind, krahasuar me vitin e kaluar të këtij resursi, ka ndikuar edhe në çmimet e banesave. Madje, kjo lëvizje çmimesh dhe arritja e këtij niveli i çmimit të hekurit, në njëfarë mënyre ka ndikuar që shumë ndërtimtarë kosovarë tërësisht ta ndërprejnë përkohësisht veprimtarinë e tyre biznesore, të prolongojnë këtë veprimtari për në ditë më të mira.
Megjithatë, ndërtimtarët me potencë më të fuqishme financiare po vazhdojnë të ndërtojnë, madje me ritëm të shpejtuar, por edhe të ngrisin çmimet po me ritëm të shpejtuar.
“Në vitet paraprake është ndërtuar shumë më shumë dhe janë nisur së ndërtuari shumë më shumë njësi banesore edhe në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të vendit. Tani ndërtimtaria po vuan lëvizjet e çmimeve në nivelin global që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin pas pandemisë COVID 19 dhe sidomos pas nisjes së luftës ruso-ukrainase. Por, këto banesa që po ndërtohen tani dhe sivjet, nëse nuk janë shitur që në nismë të ndërtimit, në vitin a ardhshëm do të kushtojnë më shumë. Dhe psikoza e ngritjes së çmimeve po i kushtëzon në njëfarë mënyre të gjitha ata që kanë para të blejnë tani banesa, patën apo nuk patën nevojë për to”, i ka thënë Buletinit Ekonomik një ndërtimtar kryeqytetas, me kërkesë të mbetet anonim.
Sipas tij, investimin në banesat e reja, qytetarët që kanë para, po e shohin edhe si mënyrë të ruajtjes së parave nëpërmjet investimit në paluajtshmëri. Prandaj, në këtë mënyrë, edhe në kohë krize, sidomos të krizës financiare me të cilën po përballen shumë qytetarë të Kosovës së varfër, po ka treg për patundshmëritë, e sidomos për tregtimin e banesave edhe me çmime të ngritura. Ai ka përmendur edhe të dhënën se një numër jo i vogël kosovarësh, tregtimin e banesave e bëjnë nëpërmjet ratave kreditore. Dhe ka edhe të tillë, që me këtë blerje e valorizojnë goxha shumë paranë e tyre, duke e shitur banesën e blerë para 2/3 vjetësh, qoftë me para të gatshme, qoftë me kredi.
Në Kosovë, banesat deri më tash janë blerë thuaja vetëm nga kosovarët dhe diaspora kosovare, dhe në raste fare të rralla ka ndodhur deri më tash që pronarë banese të bëhet ndonjë shtetas i huaj, siç ndodh në disa vende të tjera të rajonit, bie fjala. Në Shqipëri, në bregdetin e saj sidomos, tashmë ka kohë, që goxha një numër i theksueshëm shtetasësh të huaj, kanë blerë banesa. Po kështu ka ndodhur në Mal të Zi dhe sidomos në Kroaci. Në Hungari, bie fjala, një numër i madh sllovakësh dhe gjermanësh, kanë blerë tashmë banesat e dyta dhe të treta të tyre, për të kaluar vitet e pleqërisë edhe për shkakun e nivelit më të ulët të çmimeve dhe jetës më të lirë në përgjithësi dhe të politikave më të lehta tatimore.
Sidoqoftë, në Kosovë po ndërtohet goxha shumë edhe në këto kushte të çmimeve të larta të materialit ndërtimor dhe të krizës evidente financiare në vend, nuk është që nuk ka shitje të banesave. Ndërtimtarët, madje edhe nuk brengosen fare për ecuritë qoftë edhe të ngadalsuara të shitjes së tyre. Ata, për tregtimin e banesave presin ditë më të mira, që nënkupton çmime të reja të ngritura, sado që ritmi i kërkesave për të blerë banesa ka rënë. Deri tani, parashikimet e ndërtimtarëve po realizohen. Ata kaherë kanë paralajmëruar çmime të reja, dhe ato po ndodhin. Por, a do të ketë shitje të dëshirueshme të banesave, mbetet të shihet. /Buletini Ekonomik/