Ministri i Financave dhe guvernatori i BQK-së i bëjnë marketing biznesit të Lazim Destanit

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismajli, kanë marrë pjesë të mërkurën në një ngjarje të organizuar nga kompania OneFor Kosova, e cila është paraqitur si investim gjerman, por që prapa saj qëndron biznesmeni shqiptar nga Maqedonia, Lazim Destani.

Kjo kompani, së fundmi ka marrë licencë në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) për të ofruar shërbime financiare në Kosovë.

Kompania është e regjistruar në Kosovë në vitin 2020 dhe është në pronësi të kompanisë amë në Gjermani OneFor Holding GMBH.

Reklama e sponzorizuar

Buletini Ekonomik mëson nga burime të sigurta se prapa kësaj kompanie qëndron biznesmeni shqiptar, Lazim Destani. Ky i fundit ka qenë i pranishëm në ngjarjen e organizuar të mërkurën, në të cilën u lansua aplikacioni “OneFor”, i cili shërben për kryerjen e shërbimeve financiare përmes telefonit.

“Me njeriun e mirë 24 karat shqiptar, Lazim Destani i cili nga sot, pjesës së larmishmërisë së bizneseve të tija i shton edhe një biznes të ri në bashkëortakëri me biznese gjermane, atë në sferën financiare të bankingut digjital modern”, ka shkruar një zyrtar i BQK-së në një fotografi se bashku me Destanin, gjatë përurimit.

Ajo që bie në sy është pjesëmarrja në këtë promovim të një biznesi privat – e ministrit të Financave, Hekuran Muratit dhe Guvernatorit të BQK-së, Ahmet Ismajli. Të dy, në deklarimet e tyre “thurrin lavde” për ardhjen e kësaj kompanie në Kosovë, duke e paraqitur si investim gjerman.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, citohet të këtë thënë se shfrytëzimi i kësaj metode e lehtëson dhe e bënë më të lirë e më të shpejtë procesin e transferimeve dhe pagesat online.

“Me vjen mirë që jam këtu në lansimin e një aplikacioni të pagesave i cili i shfrytëzon avantazhet e të qenit online. Deri më tani ka pasur raste të zhvillimit të hovshëm të teknologjisë informative në vendin tonë, mirëpo ka pasur pak raste kur kjo është shfrytëzuar për të avancuar tutje fushat e caktuara. Shfrytëzimi i kësaj metode e lehtëson dhe e bënë më të lirë me të shpejt edhe transferet online por edhe pagesat gjë që edhe për mua si ministër i financave dhe si qeveri është tepër e rëndësishme sepse nënkupton likujditet më të lartë në sistemin financiar por njëkohësisht edhe formalizmin më të lartë”, tha ai.

Fjalë të mëdha kishte edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismajli, i cili tha se BQK-ja ka marrë veprimet e nevojshme për sa i përket kornizës ligjore për t’i licencuar këto institucione.

“Një platformë që është licencuar nga BQK-ja. Për BQK sistemi i pagesave efikas e i sigurt mbetet objektivi kryesor. BQK-ja ka marr veprime sa i përket kornizës ligjore për ti licencuar këto institucione financiare jo bankare. Në mendojmë se do të rritet konkurrenca në shërbimet financiare, do të ulet kostoja dhe po ashtu do të mundësohet qasja ne financa”, tha ai.

Sa i përket pronësisë së kompanisë, thuhet se OneFor Holding GmbH, me bazë në Düsseldorf të Gjermanisë, është kompania amë e OneFor Kosovës, misioni i së cilës është që të sjellë inovacion dhe shërbime financiare moderne për qytetarët e Kosovës. OneFor është një platformë financiare digjitale që lidh përdoruesit me mënyra të përshtatshme, të thjeshta dhe të sigurta të pagesave. OneFor është aktive në Bashkimin Evropian që nga viti 2021. /Buletini Ekonomik/