Autoriteti zviceran i Tregut Financiar (FINMA) ka njoftuar se do të zgjasë deri në gusht ndalesën ndaj bankës më të madhe ruse Sberbank.
Ndalesa i pamundëson bankës ruse që të kryejë pagesa dhe transaksione si dhe përfshin edhe masa të tjera të krijuara për të mbrojtur kreditorët.
FINMA ka vendosur masat ndaj filialit të kësaj banke më 4 mars, pas pushtimit rus të Ukrainës, duke iu bashkuar shumë shteteve perëndimore që sanksionuan Moskën.
Më pas autoritetet zvicerane vendosën që këto masa të zgjateshin deri më 31 maj, por vendimi i sotëm bën që këto masa të jenë në fuqi deri më 2 gusht.
“Masat do të jenë në fuqi deri më 2 gusht 2022 për shkak të sanksioneve ndërkombëtare dhe rreziqeve të vazhdueshme të likuiditetit të kësaj banke”, tha FINMA.
Zvicra, një shtet neutral, po ashtu më 28 shkurt, katër ditë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, miratoi sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, që përfshinin ngrirjen e aseteve dhe shënjestrimin e rusëve.