Plani dinamik i ndalesave të blloqeve të termocentraleve të Kosovës, që e ka siguruar më herët Buletini Ekonomik, të parashikuara për t’u remontuar gjatë këtij muaji dhe muajve në vazhdim, tregon qartësisht kohën, muajin dhe afatet se kur dhe cili bllok do të remontohet, do të revizionohet dhe në cilin do të bëhet remonti kapital gjatë 2022-tës.
Mehmet GJATA
Kosova, pas krizës së madhe energjetike të shpërfaqur në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, e pati një periudhë disa mujore, më saktësisht deri në këtë muaj, të qetësisë energjetike. Në javën që shkoi, kur blloku A5 i TC “Kosova A” ndërpreu prodhimin, me plan, ose pa planifikuar, dolën në shesh sërish problemet reale të para gjashtë-shtatë muajve.
Pas ndërprerjes së prodhimit të A5-shit, pra, u riaktualizua problemi i brishtësisë së sistemit elektroenergjetik të vendit, duke u dëshmuar se edhe në muajt e verës me stabilimentet e stërvjetruara energjetike, është i pasigurtë dhe nuk premtohet ndonjë stabilitet i qëndrueshëm elektroenergjetik në muajt vijues, e sidomos gjatë dimrit.
Rënia e një blloku të termocentralit të Kosovës A, qoftë me plan, qoftë pa plan, tashmë të stërvjetruar, automatikisht shkakton mungesë të ndjeshme të energjisë elektrike për nevojat e konsumit kosovar. Sepse, me rënien e bllokut A5 të “Kosovës A” nga prodhimi, të mërkurën dhe të enjten e javës që shkoi, Kosova ka pasur ndjeshëm më pak energji të vetën në dispozicion.
Më saktësisht, kur t’i shtohet minus 140 megavat-orë energji elektrike të A5-shit edhe mungesës së sasisë së njëjtë të energjisë elektrike të bllokut të A3-shit, që ato ditë gjendej akoma në remont (përafërsisht 140 megavat-orë) dhe sasi që do ta prodhonte blloku B1 i Kosovës B (rreth 250 megavat-orë), që poashtu gjendej në remont të planifikuar, del sheshit mungesa e rrymës që ato ditë nuk e ka pasur në dispozicion sistemi elektroenergjetik i vendit.
Dhe, pastaj nuk është shumë-shumë e rëndësishme se si e ka kompenzuar këtë energji të munguar Kosova-me importin me çmime enorme të larta, apo ndërmjet kthimit të huazimeve nga sistemi elektroenergjetik i Shqipërisë, në bazë të marrëveshjeve për këmbim të energjisë elektrike. Sikundër që nuk është për konsumatorin kosovar edhe aq e qenësishme se a kishte rënie të paplanifikuar A5-shi, siç u raportua nga shumica e medieve të vendit, apo A5-shi kishte ndërprerë procesin e prodhimit të energjisë elektrike me plan, për shkak të remontit të planfikuar, siç raportoi KEK-u duke demantuar informatën paraprake të medieve kosovare.
Sidoqoftë, po të shikohej më me vëmendje plani dinamik i ndalesave të blloqeve të parashikuara për t’u remontuar gjatë këtij muaji dhe muajve në vazhdim, lehtësisht do të bien në sy koha dhe muaji kur dhe cili bllok do të remontohet, do të revizionohet dhe në cilin do të bëhet remonti kapital gjatë 2022-tës.
Sipas këtij plani, të cilin e ka siguruar më herët Buletini Ekonomik, Blloku A4 i termocentraleve “Kosova A”, do të shkojë në remont në muajin gusht, dhe punët rreth këtij remonti do të zgjasin 30 ditë.
Në shtator, do të bëhet remonti, po ashtu 30 ditor në bllokun A3, që i bie se këto punë do të fillojnë pikërisht në ditën kur kthehet në punë blloku A4.
Ndërsa, te blloku A5 i këtyre termocentraleve është planifikuar të bëhet remonti kapital, që i bie se do të ketë punë rehabilituese edhe në turbinë dhe në stabilimentet e tjera më të ndërlikuara. Këto punë kërkojnë më shumë kohë deri sa të kryhen, prandaj A5-shi do të qëndrojë në remont saktësisht 3 muaj, gjegjësisht nga 1 shtatori deri më 30 nëntor.
Punët remontuese më të thjeshta, siç është remonti e revizioni, bëhen rëndom nga ekipet e KEK-ut, ndërsa te remonti kapital, siç është rasti me bllokun A5, angazhohen ekipe të kompanive të jashtme të njohura për rivitalizime të mira dhe të verifikuara nga punët të ngjashme të mëhershme në termocentralet tona. Pra, në punët rreth remontit kapital të A5-shit do të angazhohen ekipe punonjësish të kompanive të jashtme.
Sipas planit dinamik të ndalesave të blloqeve të termocentraleve aktuale të Kosovës, blloku B1 do të shkojë në revision në muajin korrik, me ç’rast punët rreth këtij revizionimi do të zgjasin 20 ditë.
Në bllokun B2, të njëjtat punë do të bëhen brenda 25 ditëve në muajin gusht. Në këtë mënyrë i bie që pas 1 dhjetorit e deri diku në muajt mars e prill, nuk do të ketë ndalesa të blloqeve, por tek termocentralet e stërvjetëruara të Kosovës nuk përjashtohen asnjëherë mundësitë e të papriturave, ose të defekteve teknike të paparashikuara.
Në këto raste, ndalesat janë të domosdoshme dhe të paplanifikuara. Të gjitha këto punë, sipas inxhinierëve të KEK-ut, bëhen për të shtuar sigurinë e punës në termocentralet e vjetruara, për t’i bërë ato sa më të përgatitura dhe më të gatshme për të prodhuar më shumë energji edhe gjatë muajve të dimrit, për të qenë këto kapacitete sa më ekonomike dhe më miqësore me mjedisin. Këto, fundja janë detyrat dhe obligimet e KEK-ut, i ka thënë Buletinit Ekonomik, Gazmend Begolli, njëri nga inxhinierët veteran të KEK-ut.
Detyrimet rreth sigurimit të energjisë së munguar i kanë subjektet e tjera, siç është KOSTT-i dhe KEDS-i. Të rikujtojmë se, kapacitetet e blloqeve aktive në termocentralet e Kosovës (dy blloqet e Kosovës B dhe tri blloqet e Kosovës A- A3, A4 dhe A5), janë diku mbi 1, 000 megavatorë (saktësisht 1. 070 megavatorë).
Blloqet e termocentraleve “Kosova B” bashkarisht kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavatorë.
Në anën tjetër, “Kosova A” që nga paslufta ka operuar me tre blloqe, A3, A4 dhe A5, të cilat bashkarisht kanë kapacitet në rrjet prej 550 megavatësh. Kapaciteti i A1 është 200 megavatorë në gjenerator, ndërsa në rrjet 180. Kapaciteti i A4 është krejt identik me A3. Ndërsa, A5 ka kapacitet në gjenerator 210 megavat, ndërsa në rrjet 190.
Por, këto blloqe rëndom prodhojnë më pak energji. Kapaciteti i prodhimit këtyre ditëve i blloqeve të “Kosovës A” është : A3 dhe A4 në gjenerator 150 megavat-orë, ndërsa në rrjet 110, ndërsa te A5 kapaciteti në gjenerator është 150 dhe në rrjet 130 megavatorë.
Këto janë kapacitetet aktuale në termocentralet “Kosova A”, tashmë e stër-stërvjetëruar dhe në “Kosovën B”- të vjetëruar bukur shumë. B-ja, siç dihet, ka nisur prodhimin më 1979.
Ndërkohë, konsumi aktual i Kosovës sillet pak a shumë rreth 600-700 megavatë, ndërsa gjatë sezonit të dimrit, konsumi i Kosovës shkon edhe deri në 1280-1300 megavat-orë.
E se si do ta sigurojë Kosova sivjet, në muajt në vazhdim, energjinë elektrike që do t’i mungojë mbetet të shihet. Por, së paku deri tash, nuk është bërë publik nga ana e institucioneve vendimmarrëse të vendit asnjë veprim i vetëm, i ndërmarrë eventualisht, për t’u përgatitur për muajt e pritshëm të ftohtë, që sa çel e mbyllë sytë janë këtu, për të siguruar në ndonjëfarë mënyre sado pak, sasi të rrymës që tani është fare e qartë se do të mungojë në periudhën e dimrit.
Eshtë e ditur se Kosovës i duhet ta sigurojë rrymën që do të mungojë urgjentisht që në vjeshtën që po vjen, në sasi më të pakta, ndërsa në muajt e dimrit, vendit i duhen edhe më shumë megavat-orë që nuk mund të sigurohen nga kapacitetet ekzistuese të vendit.
Ndërsa, nuk është bërë publike as ndonjë kontratë eventuale nga Qeveria, ministria përkatëse, por as nga KOSTT-i e KESCO, që kanë për detyrë dhe obligim të sigurojnë energjinë e munguar për konsumin e vendit të vet, me ndonjë operator të mundshëm që merret me shitjen e energjisë elektrike, përkatësisht me ndërmjetësimin e importit të saj nga prodhues potencialisht potentë për të siguruar me çmime më të lira ndonjë megavat-orë për sezonin e dimrit, kur pritet të ndodhë mungesa e theksueshme e energjisë elektrike. /Buletini Ekonomik/