Azemi: Punë dhe punëtorë ka, por nuk ka paga të mira

Duke folur për problemet me papunësinë dhe kushtet e punëtorëve, kryetari  i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë se në Kosovë ka punë dhe punëtorë të mjaftueshëm që munden të punojnë, por nuk ka paga të dinjitetshme.

Azemi i cili ishte i ftuar në “Debat Plus”, për të diskutuar në lidhje me punëtorët e sektorit privat ka thënë se është shqetësuese largimi i punëtorëve të kualifikuar jashtë Kosove.

“Punë ka, ka edhe punëtorë por para nuk ka. Sipas një analize që kemi bërë, ne jemi mbrapa 3-4 vite pasi shumica e punëtorëve të kualifikuar janë larguar ose janë në ikje e sipër. Realisht ne kemi fuqi punëtore, por që për momentin kjo fuqi punëtore ka mbetur në Kosovë janë të pakualifikuar dhe do ta kemi një dëmtim të bizneseve në nivel vendi”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Ai i ka kritikuar disa punëdhënës apo kompani ndërtimi, ku sipas Azemit, kushtet e punëtorëve janë të mjerushme, sipas tij punëtorët shpesherë nuk kanë siguri në punë dhe nuk kanë paga të dinjitetshme.

“Është trishtim, duket si Afrikë, tmerr, nuk ka mjete të sigurisë, nuk ka paga, sikurse shteti të mos gjendet askund, dhe dihet shumë mirë se me çfarë premtime ka ardhë kjo Qeveri”, ka deklaruar ai. /Dukagjini/