Balanca vjetore e energjisë më 2021- Energjia e gjeneruar nga burimet e rinovueshme në shifra “minimale”

Panele solare dhe turbinat me erë

Gjatë vitit 2021, energjia e gjeneruar nga burimet e ripërtëritshme në Kosovë, ishte në shifra minimale kundrejt energjisë së gjeneruar nga thëngjilli.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin e saj rreth “Balancës Vjetore të Energjisë” në Kosovë për vitin 2021, në të cilin parqiten të gjitha llojet e burimeve të energjisë në shifra.

Në këtë raport theksohet se sasia e përgjithshme (bruto) e energjisë në dispozicion për shfrytëzim (konsum) në vitin 2021, ka qenë 2873.69 ktoe (kilo ton oil ekuivalent).

Reklama e sponzorizuar

Struktura e energjisë primare e konsumuar në Kosovë për vitin 2021, ka qenë e përbërë nga: thëngjilli, produktet e naftës (benzina, nafta, mazuti, kerozina dhe gazi i lëngëzuar i naftës-GLN), biomasa, hidroenergjia, energjia e erës, energjia solare dhe biokarburantet. Kurse, energjia elektrike në raportin e ASK-së trajtohet si burim primar vetëm për sasinë e importit dhe eksportit.

Prej sasisë së përgjithshme të energjisë në dispozicion për shfrytëzim, thëngjilli është lënda e cila ka pasur pjeësmarrjen më të lartë në gjenerimin e energjisë elektrike më 2021 në vendin tonë.

Nga llojet e thëngjillit, linjiti është produkti dominues me pjesëmarrje prej 99.5% në totalin e thëngjillit si burim primar në dispozicion, i pasuar nga thëngjilli bituminoz dhe llojet tjera 0.5%.

Sipas ASK-së, kjo sasi në dispozicion e thëngjillit ka pasur rritje në krahasim me 2020 për rreth 0.68%.

Ndërkohë, energjia e gjeneruar nga dy burimet e rinovueshme, nga dielli dhe era, gjatë 2021-s ishte në shifra minimale.

Kështu, në këtë periudhë kohore, sasia e energjisë elektrike e gjeneruar nga era ka qenë vetëm 6.92 ktoe, apo 11.28% më e vogël se vitin e kaluar, derisa energjia e prodhuar nga panelet solare të instaluara në vend, ka qenë vetëm 3.94 ktoe. Sipas vlerësimit të të dhënave nga ASK-ja, konsumi i kësaj lloj energjie në ekonomitë familjare është rritur në vlerën 0.37 ktoe.

Tutje, sasia e energjisë në dispozicion e prodhuar nga hidrocentralet në Kosovë, ku mund të përmendim: HC Ujmani, Kaskadën e Lumbardhit (KELKOS), HCV në rrjetin e distribucionit+WP+Solar, DIKANCE, Hydroline-Albaniku, RADAC, Burimi, Wind Power, HC Brodi 2 “Eurokos-JH”, LED LIGHT TECHNOLOGY, ONIX, Feti, dhe HC Brezovica, në vitin 2021 ka qenë 26.71 ktoe.

Kurse, sa i përket energjisë elektrike, ASK-ja duke u bazuar në metodologjinë e EUROSTAT-it për paraqitjen e balancës së energjisë, energjinë elektrike e ka trajtuar si energji primare vetëm për sasinë e energjisë së importuar dhe asaj të eksportuar. Importi  nëto i kësaj energjie në vitin 2021 ka qenë 59.05 ktoe (import-eksport) që do të thotë se eksporti ka qenë më i vogël se importi.

Ndërkaq, sa i përket biokarburanteve, ASK-ja thotë se në vitin 2021 nuk është evidentuar import i biokarburanteve dhe as nuk ka të dhëna për prodhimin e këtij produkti energjetik në vend.

E konsumi final i energjisë elektrike në Kosovë gjatë vitit 2021 në Kosovë ka qenë në vlerë të 1596,39 ktoe që në krahasim me vitin 2020, ka pak rritje (2020-1542,85 ktoe).

Nga të gjithë sektorët, konsumi më i madh i energjisë ishte në sektorin e amvisërisë, e cila konsumoi 647,43 ktoe energji, pastaj sektori i transportit dhe ai i industrisë.(M. Shabani)/Buletini Ekonomik/