Kryekonomisti i Bankës së Anglisë, Huw Pill, tha se banka do ta “kthejë inflacionin në objektivin e saj prej 2%”.
Pill theksoi se ajo do të arrihet pavarësisht sfidave me të cilat po përballet banka qendrore si pasojë e rritjes së kostove të ushqimit dhe të energjisë, si dhe nga rënia e vlerës së paundit që i ka bërë të dyja këto mallra akoma më të shtrenjta.
Huw Pill tha që donte t’i bënte të qartë publikut se qëllimi i vetëm i bankës qendrore për momentin është të ulë normën e rritjes së çmimeve, duke aluduar kështu për rritje të mëtejshme të normave të interesit.
Komentet e tij pasojnë një paralajmërim po aq të ashpër nga Sir Jon Cunliffe, zëvendësguvernator i Bankës, i cili tha se komiteti i politikës monetare do të “bënte gjithçka që është e nevojshme” për të parandaluar që kostoja e lartë e jetesës të kthehet në një problem afatgjatë të inflacionit.
Pill tha se po vëzhgonte kompanitë për të parë se në ҫfarë përmasash ato po ia kalonin konsumatorëve kostot e shtuara nga rritja e pagave dhe nga rritja e ҫmimeve të lëndëve të para.
Norma kryesore e inflacionit në Britani u rrit në nivelin më të lartë të 40 viteve, duke arritur në 9.1% në muajin maj, por Banka pret që ajo të rritet akoma më shumë, duke arritur 11% në vjeshtë.
Norma e synuar e Bankës për inflacionin është 2%, dhe, në përgjigje të rritjes së çmimeve, ajo ka rritur normat e interesit pesë herë që nga dhjetori.
“Unë mendoj se roli im si anëtar i komitetit të politikës monetare lidhet me ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Kjo do të thotë që inflacioni duhet kthyer në objektivin prej 2% në një mënyrë të qëndrueshme. Nëse ka një mesazh që audienca më e gjerë publike duhet të mbajë mend nga komentet e mia, shpresoj që të jetë kjo”, tha ai.
Kurse zëvendësguvernatori i Bankë së Anglisë Jon Cunliffe këmbënguli se banka qendrore do të vepronte “me forcë” për t’u siguruar që inflacioni i lartë si pasojë e presioneve të brendshme dhe rritja e çmimeve të energjisë dhe të ushqimeve të importuara të mos bëhen “normaliteti i ri” për ekonominë britanike.
“Është detyra jonë të sigurohemi që, teksa kjo goditje inflacioniste kalon nëpër ekonominë tonë, nuk duhet të lejojmë që inflacioni të shndërrohet në një normalitet të ri,” tha ai për programin Today të BBC Radio 4.
Ai shtoi se komiteti i politikës monetare të Bankës do të ndërmarrë hapa për të trajtuar inflacionin e lartë. “Njerëzit mund të kenë besim se ne do të veprojmë për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë,” tha ai.
Të martën, Cunliffe argumentoi se familjet britanike do të ishin në gjendje të përballonin normat e interesit deri në 5%, pa kaluar në pamundësi për të paguar borxhet e tyre.
Ai e bëri këtë pretendim teksa Banka publikoi raportin e saj më të fundit të stabilitetit financiar, ku thuhej se shumica e konsumatorëve dhe e bizneseve në Mbretërinë e Bashkuar hynë në krizën aktuale financiare me nivele relativisht të ulëta borxhi.
Në intervistën e tij për BBC të mërkurën, zëvendësguvernatori i bankës tha se rritja e inflacionit tashmë po ndryshonte sjelljen e konsumatorëve. Cunliffe shtoi se rënia e shpenzimeve tashmë po jepte një ndikim në ekonominë e gjerë.
“Ajo që ne presim është që rritja e kostos së jetesës do të godasë në fakt shpenzimet e njerëzve dhe kjo do të fillojë të reduktojë aktivitetin ekonominik. Ne mund të shohim shenjat e para se ky ngadalësim ekonomik ka filluar,” tha ai.
Banka është përballur me kritika se është treguar shumë e ngadaltë për të filluar me rritjen e normave të interesit kur filloi rritja e çmimeve.
“Ne i kemi rritur normat në çdo takim gjatë këtyre pesë herëve të fundit. Nuk mendoj se kjo ka ndodhur ndonjëherë më parë në historinë e komitetit të politikës monetare,” tha Cunliffe.
Banka rriti normën e saj bazë me 0.25 pikë përqindjeje, duke e sjellë atë në 1.25% në mes të qershorit dhe disa ekonomistë kanë parashikuar se banka qendrore mund të rrisë normat deri në 3% deri në fund të vitit 2023./Monitor.al/