Bie çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar

nafta
Prodhimi i naftës

Çmimet e naftës ranë në 99 dollarë pasi tregtarët kanë frikë se inflacioni i lartë do ta shtyjë bankën qendrore të SHBA të rrisë ndjeshëm normat e interesit, gjë që mund të zbehë ekonominë dhe kërkesën për energji.

Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie pas mesditës ishte me 33 cent më i ulët se në momentin e mbylljes së djeshme dhe arriti në 99.16 dollarë. Dje e mbylli tregtinë në minus 7.61 dollarë.

Në tregun amerikan një fuçi u tregtua sot me një çmim thuajse të pandryshuar prej 95,72 dollarë. Dje, ajo mbylli tregtinë me një humbje prej 8.25 dollarësh. Çmimet u mbyllën dje në Londër nën nivelin 100 dollarë, për herë të parë në tre muaj, për shkak të dollarit të fortë, masave të rrepta për të luftuar COVID-19 në importuesin kryesor në botë, Kinën dhe frikës për një ngadalësim të ekonomisë globale.

Reklama e sponzorizuar

Pavarësisht ofertës së ngushtë të tregut fizik, investitorët shisnin naftë në kontrata të së ardhmes, nga frika se një rritje agresive e normave të interesit mund të ngadalësonte rritjen ekonomike dhe rrjedhimisht kërkesën për naftë.

Sot, vëmendja u përqendrua në faktin se inflacioni në SHBA kaloi shifrat e nëntë për qind për muajin qershor, duke arritur nivelin më të lartë në më shumë se 40 vjet, gjë që spekulohet se mund të shtyjë FED të rrisë normat e interesit me tre të katërtat e një pikë përqindjeje. deri në fund të muajit.

Me furnizimet ende të ngushta, tregu do të vëzhgojë nga afër vizitën e presidentit amerikan, Joe Biden në Lindjen e Mesme. Biden pritet t’i kërkojë Arabisë Saudite dhe prodhuesve të tjerë në Gjirin Persik që të rrisin prodhimin.

Fokusi sot do të jetë edhe në raportin e qeverisë për inventarët në SHBA javën e kaluar. Analistët presin që ajo të tregojë një rënie në inventarët e naftës bruto dhe benzinës. Por sipas të dhënave nga Instituti Amerikan i Naftës (API), të cituara nga burime të martën, inventarët e naftës bruto u rritën me rreth 4.8 milionë fuçi, duke rritur presionin mbi çmimet.

Për shkak të festave në botën myslimane, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) as sot nuk ka bërë të ditur çmimin e një fuçie të shportës së naftës të anëtarëve të saj. Të martën e kaluar, ajo ishte 114,3 dollarë.