Çfarë efekti pati Pakoja e Ringjalljes Ekonomike ku u shpenzuan qindra milionë euro, INDEP shpalos të gjeturat

Instituti  për Politika Zhvillimore sot në një tryezë përmbyllëse ka prezantuar raportin “Zbatimi i Pakos së Ringjalljes” në kuadër të programit “Rimëkëmbje e qëndrueshme”. Pako kjo me të cilën Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve mori vendim që përmes disa masave ekonomike të iu dalë në ndihmë qytetarëve e bizneseve.

Koordinatorja e këtij programi, Donikë Beqiri ka thënë se janë 10 masa të kësaj pakoje që janë zbatuar plotësisht, derisa 9 janë zbatuar vetëm pjesërisht, 3 në nivel më të kufizuar e 3 nuk janë zbatuar fare.

“Deri tani 10 masa janë zbatuar në plotni , pra janë zbatuar në mënyrë të plotë, 9 janë zbatuar në mënyrë të pjesshme, 3 në nivel të kufizuar dhe pa zbatuar kanë mbetur 3 masa. Natyrisht, nga ky nivel i zbatueshmërisë të cilin INDEP e ka përgatitur ka mbetur jashtë masa 5 të cilën pak është folur dhe pak është prezantuar. Mund të themi se masa e 5-të është masa e cila më së paku është zbatuar gjatë kësaj periudhe. INDEP bazuar në gjithë këtë proces monitorimi dhe në gjetje të raportit të 3-të të pakos për Rimëkëmbje Ekonomike, megjithatë ka konstatuar se niveli i zbatimit ka qenë relativisht i mirë duke pas parasysh se një masë e masave janë zbatuar dhe ka pasur gjithashtu masa të cilat INDEP dhe gjithë shoqëria i ka mirëpritur të cilat jo vetëm se janë zbatuar në mënyrë të plotë po ashtu janë shndërruar në politika të përhershme të cilat kanë prekur grupet me vulnerabile të cilat nuk kanë qenë më herët të mbështetura si masa për lehonat e papuna” , u shpreh Beqiri.

Reklama e sponzorizuar

Ajo ka treguar po ashtu se nuk është vetëm Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, institucioni i vetëm që është marrë me zbatimin e këtyre masave të pakos ekonomike.

“Përgjegjëse kryesore për projektimin dhe zbatimin ka qenë Ministria e Financave por nuk janë lënë anash as institucionet tjera që kanë bashkëpunuar. Ka pasur institucionet të caktuara që kanë qenë përgjegjëse për masa të caktuar. INDEP ka punuar dhe ka bërë një sërë aktivitetesh, kanë filluar me 13 buletine informuese, dhe kanë ofruar mjaftueshëm info për qytetarët, mënyra se si t’i qasen masave dhe si t’i zbatojnë ato”, ka thënë ajo.

Përveç 13 buletineve informuese, gjithashtu koordinatorja e këtij programi tregoi se INDEP në kuadër të programit për Pakon, ka përpiluar tri raporte me qëllim monitorimin e secilës masë dhe zbatimin e saj. dhe po ashtu edhe 4 video ku përfitues të këtyre masave kishin mundësinë që të tregonin për masën nga e cila kishin pëfituar.

Ndërsa Dardan Abazi nga INDEP u shpreh se projekti i tyre “Rimëkëmbja e qëndrueshme”, synonte të bëjë monitorimin se sa janë zbatuar masat për ringjallje ekonomike të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.

“Projekti ynë gjithashtu kishte për qëllim të shërbente si një lloj evoluimi i këtyre masave në kuptimin që të shohim se si janë përgatitur fillimisht këto masa sa janë zbatuar dhe në çfarë niveli ka shkuar zbatimi i tyre që nga fillimi deri në fund të tyre dhe se cili ishte impakti i tyre përfundimtar në rimëkëmbje ekonomike në sektor të ndryshëm. Por, edhe një komponent tjetër që INDEP syno gjithnjë ta promovojë është rimëkëmbja më e mirë apo ndërtimi më i mirë në kuptimin që a kanë ndikuar masat e rimëkëmbjes në ndryshimin dhe transformimin e sistemeve të energjisë , sistemeve të prodhimit e konsumit të energjisë e mbrojtjes së mjedisit” , theksoi ai.

Pjesë e kësaj tryeze ishte dhe Drejtori i Departamentit për Regjistrim dhe Shërbim të Tatimpaguesve në Administratën Tatimore të Kosovës, Sami Salihu, i cili dha disa informata rreth masave 1.1, 1.2 dhe 1.3 konkretisht për masat për të cilat ky institucion ka kontribuar në zbatimin e tyre.

Ai tha se ATK pas vendimit për këto masa kishte formuar një aplikacion online për aplikim për qytetarët e që sipas tij nga këto masa kanë përfituar gjithsej 6 mijë e 360 qytetarë.

“Më masën 1.1 kanë aplikuar 470 biznese ku në listat e tyre kanë qenë 1 mijë e 13 të punësuar, për masën 1.2 kanë aplikuar 1 mijë e 107 punëdhënës dhe numri i të punësuarve në listat e tyre ka qenë 4 mijë e 66.Për masën 1.3 kanë aplikuar 1 mijë e 810 punëdhënës për gjithsej 4 mijë e 882 persona në listat e tyre. Po shihet që masa 1.3 ka pas më së shumti aplikime rreth punësimit të femrave nuk do të thotë se të gjithë këta kanë përfituar pasi që nuk i kanë plotësuar të gjithë kriteret….Nga masa 1.1 kanë përfituar gjithsej duke numër vetëm njëherë punëtorin 378 persona, për masën 1,2 kanë përfituar 2 mijë e 451 persona dhe masën 1.3, 3 mijë e 522 persona apo të punësuar me gjithsej pra në total 6 mijë e 360 përfitues kur flasim si individ e jo si punëdhënës” , u shpreh ai.

“Sa i përket mbështetjes që Administrata Tatimore ka bërë lidhur me përfitimet nga “Pakoja e Ringjalljes Ekonomike” me konkretisht mbështetja është për masat 1.1, 1.2 dhe 1.3 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, gjegjësisht masa 1.1 që është rikthimi në punë i personave që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë. Masa 1.2 që është masa për të punësuarit e formalizuar apo për të punësuarit e rinj të themi dhe masa 1.3 që është një mbështetje për punësimin e grave”, ka thënë Salihu.

Sa i përket masës së fundit masën e fundit të marrë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve  për 100 eurot për punëtorët e sektorit privat, Salihu tha se gjithsej kanë aplikuar mbi 336 mijë persona, ku prej tyre përfitues janë mbi 232 mijë të punësuar.

Sami Salihu nga ATK, tha se janë refuzuar shumë aplikacione, pasi është konstatuar se nuk figurojnë në listat e pagave të punëdhënësve.

“Jo të gjithë kanë përfituar është një numër për neve si komision është bukur shumë shqetësuese që një numër kaq i madhe dhe nuk plotësojnë kriteret diku mbi 72 mijë persona janë të refuzuar me arsye të ndryshme. Numri më i madh i personave që nuk kanë përfituar –është se me numrin personal që kanë aplikuar nuk gjendet në listë pagesat mujore të punëdhënësve të tyre do të thotë këtë rast kjo të jep përshtypjen se një numër i madh i personave nuk është fare i deklaruar në ATK”, ka thënë ai.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Florin Aliu në një lidhje drejtpërdrejte në këtë event ka thënë se raporti i INDEP ka qenë një ndihmë e madhe edhe për ti kuptuar këto masa të cilat janë marrë nga MFPT-ja pasiçë sipas tij ishin mjaft të komplikuara edhe për tu kuptuar si të tilla.

Po ashtu ai ka shtuar se çfarë është vërejtur në këtë raport është edhe vështirësia për të pasë qasje në informacione në institucionet publike nga shoqëria civile.