Zyra e Rregullatorit për Energji ka konfirmuar se kompania “Elektrosever” nuk është duke i respektuar obligimet e marrëveshjes dhe licencës që i ka lëshuar ky institucion para disa javësh. Nga ZRRE thonë se i kanë bërë edhe një kërkesë “Elektroseverit” për këtë punë, raporton Express.
Kompania “Drustvo Elektrosever” nuk është duke e respektuar marrëveshjen dhe afatet kohore për përmbushjen e obligimeve që parashihen në licencën që i është lëshuar para tri javësh.
Kështu kanë deklaruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Petrit Pepaj nga ZRRE i ka thënë Gazetës Express se KOSTT, KEDS’i dhe KESCO i kanë përmbushur obligimet e marrëveshjes sipas afatit kohor, por jo edhe Elektroseveri.
Pepaj ka treguar se i kanë bërë edhe një kërkesë kompanisë në fjalë.
“Pavarësisht progresit të punëve sipas afateve nga KOSTT, KEDS dhe KESCO në finalizimin e marrëveshjeve të sipërpërmendura është vërejtur se ka ngecje në finalizimin e tyre nga Elektrosever. ZRRE-ja , përmes komunikimit zyrtar ka kërkuar nga Elektrosever që t’i përmbahet detyrimeve dhe afateve kohore të përshkruara në Vendimin e Bordit nga data e lëshimit të Licencës, obligimet të cilat janë pjesë edhe e marrëveshjes”, ka deklaruar Pepaj për Express.
Sipas Pepajt, KEDS’i ka mbetur që ta dërgojë te Elektrosever marrëveshjen komercialë për ofrimin e shërbimeve.
“KEDS, KESCO dhe KOSTT kanë pasur komunikime të vazhdueshme me Elektrosever për sa i përket përmbushjes së obligimeve që dalin nga vendimi i Bordit të ZRRE-së. KOSTT ka dërguar me kohë tek Elektrosever të gjitha marrëveshjet e domosdoshme teknike për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë, siç janë: Marrëveshjen për Aderim në Rregullat e Tregut dhe Marrëveshjen mbi detyrimet e balancimit. Ndërsa KEDS ka dorëzuar marrëveshjen e Kyçjes, pritjet janë që KEDS të dërgojë tek Elektrosver edhe marrëveshjen komercialë për ofrimin e shërbimeve”, thuhet në përgjigjet e Pepajt.
Se kompania që u licencua për furnizim me energji elektrike për katër komunat veriore të vendit, nuk është duke e respektuar marrëveshjen, e kishin konfirmuar edhe nga KOSTT.
Zëdhënësja e KOSTT’it, Elvane Devexhi Osmani i ka thënë Gazetës Express se Elektroseveri ende s’ua ka siguruar të dhënat për konsumatorët dhe se s’janë nënshkruar marrëveshjet.
“Kompania Elektrosever nuk i ka siguruar ende KOSTT-it të dhënat siç parashihet në pikën e dytë si dhe nuk janë nënshkruar marrëveshjet me KOSTT sipas pikës 3. Për më shumë në lidhje me pyetjet tuaja, ju lutem drejtohuni ZRRE-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, si organe kompetente për mbikëqyrjen e procesit për respektimin e Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjes për Energji të nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka deklarua Devexhi Osmani.
Elektroseverit i është lëshuar licenca më 24 qershor. Sipas licencës, kjo kompani obligohej që brenda shtatë ditëve t’i sigurojë KEDS’it dhe KOSTT’it të dhënat më të fundit për konsumatorët.
“Elektrosever” obligohej poashtu që brenda dhjetë ditëve nga data e lëshimit të licencës të nënshkruaj me KOSTT’in dhe KED’in marrëveshjet e domosdoshme teknike për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë.
Licenca që i ka lëshuar ZRRE, e obligon Elektrosever’in edhe që të pajiset me Kodin Identifikues të Energjisë në mënyrë që të zhvillojë aktivitetet e saj sipas licensës së furnizimit.
30 ditë pasi Elektrosever të pajiset me licencë, KEDS dhe KOST thuhet se (nën ndërmjetësimin e BE-së, nëse kërkohet) do të kenë qasje në nën-stacionin e Vallaqit si dhe në infrastrukturën tjetër të transmisionit dhe distribuimit.
Përveç obligimeve që duhet t’i kryej, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ia kishte dhënë në fund edhe një paralajmërim kësaj kompanie.
Nëse kompania s’i përmbush kërkesat e caktuara brenda 100 ditëve nga data e lëshimit të licencës, ZRRE kishte thënë se do t’i pezullohet apo tërhiqet licenca.
“Në rast se kërkesat e cekura më lartë nuk përmbushen pas njëqind ditëve nga data e lëshimit të Licencës për furnizim, ZRRE do të ndërmar të gjitha veprimet ligjore të pezulloj dhe/ose tërheq licencën për furnizim për “Drustvo Elektrosever” D.O.O sipas legjislacionit në fuqi, në pajtim me pikën 8 të Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve për të Energjisë, e datës 21.06.2022”, thuhet në vendimin e ZRRE’së.
Ndryshe, më 21 qershor, Kosova dhe Serbia kanë miratuar një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk është zbatuar asnjëherë.