Tash e një kohë, Qeveria e Kosovës po mburret me rritjen e të hyrave tatimore. Zyrtarët qeveritarë pretendojnë se kjo po ndodh falë reformave që janë ndërmarrë prej ardhjes se tyre në pushtet.
Mirëpo, ndryshe mendojnë ekspertët e ekonomisë. Sipas tyre, të hyrat janë rritur për shkak të rritjes se çmimeve dhe jo si rezultat i punës së qeverisë.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka vazhduar t’ia atribuojë punës së qeverisë aktuale rritjen e të hyrave buxhetore.
Gjatë një konference për medie, ai ka thënë se me ardhjen në krye të ekzekutivit është rritur besimi në institucione.
“Për të rritur suksesin e ATK-së, por edhe të shtetit në përgjithësi, është parakusht që të ketë besim në institucione, pra është parakusht që institucionet të punojnë me integritet, dhe këtë e kemi parë, tash e disa kohë. Atëherë kur qytetari e sheh dhe e vëren që paraja që paguan si tatim qoftë duke e deklaru tatimin, por edhe kur merr kuponin fiskal [që paguan TVSH-në], nuk keqpërdoren por kthehen në të mira publike prapë tek qytetari, ka besim më të lartë dhe vullnet më të lartë për të paguar tatim”, deklaroi Murati.
Në vështrimin e Muratit, ka edhe një arsye të dytë që shkaktoi këtë rritje të të hyrave, e cila lidhet me qeverisjen Kurti.
Në periudhën e qeverisë Kurti, sipas Muratit, ka ndodhur një formalizim i veprimtarisë ekonomike.
“Arseyja tjetër është, ndërtimi i sistemeve dhe formalizimi. Formalizimi i ekonomisë është tepër i rëndësishëm sepse fillimisht e krijon fushën e lojës së barabartë për të gjithë aktorët në treg, pra për të gjitha bizneset dhe për të gjitha bizneset dhe qytetarët. Pra nuk ka lojë jo fer, të gjithë operojnë brenda rregullave të njëjta. Dhe së dyti ndikon edhe në rritje të të hyrave. Krahasuar nga vitet e kaluara kemi rritje të vazhdueshme të të hyrave, për shkak se ka formalizim, të gjithë paguajnë tatim, dhe mbyllet çarku [për evazion fiskal]”, vazhdoi më tutje Murati.
Rritjen numerike të të hyrave, në një formë të ngjashme e ka vlerësuar edhe Ilir Murtezaj, drejtori i ATK-së.
“Si rezultat [i reformave] është arritur që ATK të mbledhë gjatë 6-mujorit të hyrat mbi 355 milionë euro tatime. Në krahasim me planin kemi rritje prej 26.5 milionë euro, apo 8.1 përqind”, ka thënë Murtezaj.
Më tutje Murtezaj pohoi se një rritje e tillë shpjegohet vetëm duke e lidhur me reformat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës.
“Ndër faktorët që kanë ndikuar në rritjen e të hyrave janë: fuqizimi i kontrollit të brendshëm, rritja e efikasitetit në mbledhjen e borxheve, njëri prej indikatorëve të performancës ka qenë edhe funksioni i mbledhjes së borxheve, dixhitalizimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve 100%, shërbimet profesionale, rritja e transparencës, rritja e bashkëpunimit me institucione vendore dhe ndërkombëtare, zbatimi i rekomandimeve. Kemi pasur bashkëpunim edhe me organizata ndërkombëtare. Kjo ka bërë që të kemi rritje të të hyrave tatimore”, pohoi Murtezaj në konferencën prezantuese të këtyre të dhënave.
“Prej rritjes se çmimeve përfiton vetëm Qeveria”
Pretendimet e qeverisë për rritjen e të hyrave nuk i kanë pranuar njohësit e ekonomisë.
Sipas tyre, rritja e të hyrave është normale në kohën kur ka rritje të inflacionit.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili është edhe profesor universitar i ekonomisë, ka thënë se vlerësimet e qeverisë janë mashtrim.
“Nuk është rritur importi, ndërsa të hyrat po – kjo është rezultat i rritjes së çmimeve”, kishte deklaruar Hoti, kohë më parë.
Njëjtë mendon edhe profesori i tregjeve financiare, Florin Aliu.
Ai ka thënë për gazetën Nacionale se nga rritja e çmimeve përfiton vetëm Qeveria e Kosovës.
“Nga inflacioni që po kalon nivelin e 10-përqindëshit në Kosovë, ka vetëm një operator që po përfiton nga kjo situatë, dhe ajo është qeveria. Qeveria me të njëjtat taksa tani po mbledh më shumë para për buxhetin, pasi çmimet e rritura ofrojnë mbledhje më të lartë të taksave. Nga ana tjetër, pagat në sektorin privat dhe publik janë të njëjta, kështu që në këtë rast fuqia blerëse e tyre bie dhe në të njëjtën kohë standardi i tyre i jetesës po bie”, ka deklaruar Aliu.
Partitë opozitare prej muajsh kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa konkrete të cilat do të ndikonin në zbutjen e krizës së rritjes së çmimeve.
Përmes rezolutave të ndryshme në Kuvend kanë kërkuar heqjen e akcizës për naftë dhe uljen e TVSH-së për produktet esenciale, por këto rezoluta nuk janë përkrahur nga shumica parlamentare./Nacionale/