‘Gruri i diskutueshëm’ nga të dhënat kontradiktore në Kosovë

Grur
Kosova importon pjesën më të madhe të grurit nga Serbia

I diskutueshëm dhe mjaft polemizues është bërë këto ditë edhe plasimi në publik i të dhënave me dallime të skajshme, të subjekteve që kanë shpërfaqë numra rreth sipërfaqeve dhe hektarëve të mbjellë me grurë në arat kosovare, rreth rendimenteve të pritshme nga korrje-shirjet e sivjetshme dhe shifrave e përqindjeve rreth përmbushjes së nevojave të popullsisë së Kosovës.

Mehmet GJATA

Kosova në periudhën e tranzicionit të shtetformimit (nëse mund të quhet kështu akoma periudha qëkur ka përfunduar lufta dhe deri më sot), asnjëherë dhe në asnjë lëmi e sektor, nuk ka pasur të dhëna të sakta, madje në shumë raste, as të dhëna të përafërta të sakta, por edhe të domosdoshme thuaja se, për mbarëvajtjen dhe proceset zhvillimore në këto lëmi dhe sektorë prej më të ndryshmëve. Ose, thënë më konkretisht, në rastet më të shpeshta, ka pasur të dhëna kontradiktore, të bëra publike, qoftë nga institucionet zyrtare, qoftë nga individë të caktuar-përfaqëues të shoqërisë civile, sindikatave, apo asociacioneve të tjera.

Dhe, këto të dhëna me të cilat institucionet shtetërore, jo rrallë kanë manipuluar dhe pokështu shpesh janë përgënjeshtruar nga palë të tjera (opozita, shoqëria civile dhe njohës të çështje konkrete për të cilat bëhet fjalë), deshëm apo s’deshëm, bëhen të diskutueshme.

Reklama e sponzorizuar

I diskutueshëm dhe mjaft polemizues është bërë këto ditë edhe plasimi në publik i të dhënave që po shihet se janë me dallime të skajshme të subjekteve që kanë shpërfaqë këta numra, rreth sipërfaqeve dhe hektarëve të mbjellë me grurë në arat kosovare, rreth rendimenteve të pritshme nga korrje-shirjet e sivjetshme dhe shifrave e përqindjeve rreth përmbushjes së nevojave të popullsisë së Kosovës.

Thënë shkurt e shqip, për shkak të mungesës së të dhënave të sakta dhe reale rreth sipërfaqeve të mbjella me drithëra të bardha, dhe me grurë në veçanti, edhe këtyre ditëve po kalkulohet me shifra goxha kontradiktore nga zyrtarët, përfaqësues të sindikatave të agrarit kosovar, por edhe nga asociacione të shoqërisë civile që janë të regjistruar ta trajtojnë agrarin tonë në një mënyrë apo tjetër. Këto ditë po defilojnë nëpër mediet kosovare (këto që i kemi), të dhëna të ndryshme numerike, jo rrallë shumë të dallueshme numerikisht nga njëra-tjetra dhe që të vënë në lajthitje me numrat e deklaruar rreth sipërfaqeve të planifikuara të mbjella dhe të përmbushjes së nevojave të kosovarëve me produktet qenësore bujqësore, e sidomos me grurë.

Kur hasë në gjithë këto të dhëna kontradiktore për numrin e hektarëve të mbjellë me grurë në arat e Kosovës, por edhe kur lexon shifrat shumë të ndryshme për rendimentet e gjithëmbarshme të kësaj kulture bujqësore si dhe shifrat për përmbushjen e nevojave të vendit me grurë, fitohet përshtypja se këto të dhëna, më shumë janë hamendësime, të dhëna të paverifikuara fare dhe të pamata dhe të pallogaritura siç duhet dhe sipas standardeve të ditura. Për të qenë më konkret të shohim dhe të krahasojmë të dhëna të ndryshme rreth sipërfaqeve të mbjella në arat e Kosovës dhe rendimenteve të pritshme të sivjetshme.

Sipas medies kosovare, Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikatës të Bujqve, ka thënë se arat e Kosovës këtë vit pritet që të japin bukën për vetëm 30 për qind të nevojave të vendit.

“Sipas informacioneve tona nuk ka më shumë 40 mijë hektarë të mbjellë, aty diku. Bazuar në rendimente shumë të ulëta, nuk do të kemi më shumë se për 30 për qind të nevojave të popullatës. Me këto sipërfaqe dhe rendiment nuk do të arrijmë rendimente më shumë se 3 mijë kilogramë për hektarë, mesatarja”, është shprehur Tahiri, për këto ditë për një televizion të vendit.

Ai me këtë rast ka pasur ankesa ndaj Ministrisë së Bujqësisë, sa i përket mos mbikëqyrjes së fushatës së korrje-shirjeve, duke shtuar se kanë ndodhur edhe keqpërdorime në zhvillimet e korrje shirjeve të vendit.

“Ministria e Bujqësisë e ka neglizhuar fushatën, nuk e ka formuar shtabin për korrje-shirje. Me lamën e një viti sigurohet buka për popullatën dhe duhet t’i kushtojmë shumë më shumë rëndësi”, ka thënë ai.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Bujqësisë ndaj këtyre të dhënave, por edhe akuzave të përfaqësuesit të sindikatave të bujqëve të Kosovës.

Sipas Ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, “të gjithë ata që përmes deklaratave të tyre po vazhdojnë të shfrytëzojnë mediat duke pohuar të pa-vërtetat se në Kosovë ka vetëm 40 mijë hektarë të mbjellura me grurë; mesiguri një veprim të tillë e bëjnë pasi që veç i kanë paraqitur “faktet” dhe të dhënat paraprakisht në prokurori (ndryshe mendja e shëndoshë nuk e kupton, se dikush mund të konsumojë vepër penale në mënyrë të vetëdishme) sepse kushdo që ka informacione që pretendon se numri i sipërfaqeve është vetëm 40 mijë i bie rreth 11 e 282 hektarë më pak dhe se dikush po tenton të manipulojë, duke dashur që kundërligjshëm të përfitojë më shumë se 5 milionë euro apo saktësisht 5.347.668 euro të taksapaguesve tanë”.

Ai ka thënë se janë duke monitoruar korrje-shirjet nëpër komuna.

“Gjatë javës së kaluar kam vizituar 3 fermerë në 3 rajone të ndryshme të Kosovës. I pari ka pasë rendimente mesatare 4 mijë kilogramë për hektar; i dyti 4 e 400 dhe i treti 5 mijë kilogramë për hektar” “Askush nuk mund të vetë-thirret ‘Zëdhënës i 30,000 fermerëve’ në nivel vendi dhe të flasë në emër të tyre, duke përhapur panikë dhe të pa-vërteta!”, ka vazhduar të polemizojë më sindikalistin Ministri i Bujqësisë, duke shtuar se “ne si Ministri i analizojmë të dhënat nga komunat nga fushatat e korrje-shirjeve”.

“Jemi të vetëdijshëm që ka raste individuale ku rendimenti mund të jetë dukshëm më i dobët qoftë për shkak të breshërit apo faktorëve të tjerë, mirëpo rastet më të dobëta në nivel të të gjithë territorit të Republikës së Kosovës nuk mund të merren si të vërteta absolute”, ka thënë tutje ministri, duke e përfunduar me retorikë të ashpër polemizimin se “me apo pa-vetëdije, diskutimi në këtë frymë pa të dhëna të bazuara, paraqet rrezik për sigurinë kombëtare”.

Edhe të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) rreth tokave të mbjella me grurë më 2021, sikundër edhe rendimentet e grurit, janë goxha të ndryshme nga ato për të cilat ka njoftuar përfaqësuesi i sindikatave të agrarit të Kosovës.

Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, sipas MBPZHR-së, me kulturën e grurit në gjithë territorin e Kosovës, janë të mbjellura gjithsej 66,159.52 hektarë (40 mijë hektarë thotë Tahir Tahiri). Ndërsa, po sipas kësaj ministrie, rendimenti mesatar i grurit edhe sivjet pritet të sillet nga 3500-4500 kg/ha.

Ndërkohë, sipas të dhënave të disa institucioneve të tjera, të bëra publike në medien e vendit, fermerët në Kosovë parashikojnë që nga fushata e korrje-shirjeve të grurit të sigurohen rreth 50 për qind e kërkesave të popullatës për ushqim. Për shkak të kushteve të pafavorshme klimatike dhe shtrenjtimit të çmimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve, ata nuk janë në gjendje të garantojnë sasi dhe cilësi të duhur.

Në Departamentin për Politika Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kanë thënë se në bazë të të dhënave preliminare, sasia e prodhimit të grurit do të jetë brenda mesatares nga 3500-4500 kilogramë për hektarë dhe se “sivjet pritet të korren rreth 70 mijë hektarë sipërfaqe të mbjellë me këtë kulturë”.

Sidoqoftë, megjithë të dhënat kaq të dallueshme dhe të bëra publike nga shumë subjekte dihet se Kosova asnjëherë nuk ka arritur që të plotësojë nevojat e popullatës së saj me miell nga rendimentet e veta të grurit. Vazhdimisht është varur nga importi, që kryesisht është bërë dhe vazhdohet të bëhet nga vendet e rajonit (më së shumti nga Serbia), një sasi më të vogël nga Ukraina dhe nga Rusia, si dhe nga shtetet e Bashkimit Evropian.

“Sipas nevojave në nivel vendi, nëse do mbilleshin 100.000 hektarë tokë me grurë dhe nëse rendimenti do të ishte prej 4.000 kilogramësh, atëherë i bie që Kosova të prodhojë 400.000 tonë grurë, sa janë edhe kërkesat dhe do të përmbusheshin nevojat për konsum”, shprehen zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë nevojat për këtë produkt për kokë banori, janë 205 kilogramë, që i bie se në Kosovë duhet të harxhohen 410.000 tonë grurë. Gjithmonë, që nga koha kur Kosova ishte si subjekt në ish-Jugosllavi, numri i hektarëve të planifikuar për mbjellje të grurit është kalkuluar të jetë 80 mijëshi, përafërsisht. Përafërsisht ky numër hektarësh (80 mijëshi, pra) është thënë të jetë edhe disa vjet rresht, pas luftës dhe pas pavarësisë së vendit. Tani, në këto 3-4 vjetët e fundit, sikur është reduktuar ky numër hektarësh i paraparë për t’u mbjellë me grurë, megjithë subvencionet e shumta dhe që nuk janë për t’u nënvlerësuar.

Tani edhe nëse planifikohet të mbillen 75 deri në 80 mijë hektarë, e shumta që do të arrihej të mbillej me grurë do të ishte 66-68 mijë hektarë. Më 2020, sipas disa të dhënave të bëra publike në disa medie, janë mbjellë me grurë në arat e Kosovës gjithsej 63 mijë hektarë. Për huqjen e përmbushjes kaq të madhe të parashikimeve për mbjelljen e këtij drithi, kaq të rëndësishëm edhe nga pikëpamja strategjike, ndoshta, do të jap përgjigje ndokush ndonjëherë. Por, njësoj e rëndësishme thuaja është bërë edhe pasja e të dhënave më të sakta të sipërfaqeve të mbjella realisht me grurë, rendimentet e kësaj kulture kaq të rëndësishme bujqësore dhe të dhënat e tjera më të sakta rreth subvencioneve dhe masave të tjera stimuluese për fermerët të dhëna nga shteti. Në shtetet e rajonit saktësisht bëhen publike hektarët e mbjellë, por edhe rendimenti dhe sasia e grumbulluar e grurit. Pse mos të bëhet kjo edhe te ne?… /Buletini Ekonomik/