Avokati i Popullit e zvarritë vendimin për sistemin Bonus-Malus, ku dyshohet se u dëmtuan shoferët kosovarë

Shoferët kosovarë për vite me radhë kanë paguar më shtrenjtë sigurimin e veturës përmes zbatimit të parregullt të sistemit Bonus-Malus. Këtë e kishte mundësuar ndryshimi i një rregulloreje të BQK-së në vitin 2020 në “rrethana të dyshimta”, rregullore kjo e cila ka qenë duke u hetuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit që nga fillimi i vitit 2024, ndonëse pa ndonjë zgjidhje deri më tani.

Buletini Ekonomik

Reklama e sponzorizuar

Ndryshimi i një dispozite të Rregullores për sistemin Bonus-Malus në vitin 2020, iu ka shkaktuar miliona euro dëme shoferëve kosovarë dhe fitime të dyshimta e të dyfishta kompanive të sigurimeve në Kosovë që nga atëherë.

Nga muaji korrik i vitit 2020, shoferët kosovarë kanë paguar sigurimin e veturës më shtrenjtë sa herë që janë vonuar në pagesën e sigurimit të veturës me kohë. Atyre u është njohur sistemi Bonus-Malus në këto raste, sikur të kishin shkaktuar aksidente.

Si praktikë ndërkombëtare, sistemi “Bonus-Malus”, merr për bazë një histori njëvjeçare të shoferëve dhe në bazë të aksidenteve të shkaktuara ose jo gjatë kësaj periudhe, llogaritë Bonusin ose Malusin. Pra, një person që nuk shkakton aksident në komunikacion shpërblehet me ulje të shumës së pagesës për sigurimin e automjetit dhe hynë në kategorinë Bonus, ndërsa ata që bëjnë aksidente paguajnë më shtrenjtë dhe hyjnë në kategorinë Malus.

Deri në vitin 2020, në Kosovë ky sistem ishte zbatuar vetëm sipas kriterit kur shoferët shkaktonin ose jo aksidente në komunikacion. Sipas ekspertëve të sigurimeve, kështu e parasheh edhe praktika ndërkombëtare në të gjitha vendet e botës.

Por, rregullorja paraprake e hartuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila është në fuqi që nga viti 2012, pësoi ndryshime në korrik të vitit 2020. Zbatimi i këtij sistemi, më pas ishte zgjeruar edhe për rastet kur shoferët vonohen në përtëritjen e kontratës për sigurim të veturës.

LEXO EDHE KËTË: 

Rregullorja e BQK-së që dyshohet se ‘fshiu’ milionat e shoferëve kosovarë

Sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia dhe Rregullores për Zbatimin e Sistemit Bonus Malus, zbatimi i këtij sistemi bazohet vetëm “në historikun e dëmeve të të siguruarit (policëmbajtësit)”.

Por, në asnjërën prej këtyre dokumenteve, nuk përcaktohet të jetë bazë për zbatimin e sistemit Bonus-Malus edhe kriteri për vonesat në kontraktimin e sigurimit.

Ky zgjerim i kompetencave brenda sistemit Bonus-Malus ka qenë duke u hetuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit që nga fillimi i vitit 2024, nën dyshimet se shoferët kosovarë me këtë rast u kushtëzuan jashtëligjshëm përmes kësaj rregulloreje.

Sipas përgjigjeve për Buletinin Ekonomik në muajin mars të vitit 2024, Avokati i Popullit kishte konfirmuar se kanë pranuar ankesë pikërisht për çështjen e Rregullores së BQK-së për zbatimin e Sistemit Bonus Malus, përkatësisht mosrealizimin e bonusit për qytetarët që nuk e regjistrojnë menjëherë veturën, respektivisht shqiptimin e malusit, për qytetarët që vonohen më shumë në regjistrimin e automjeteve.

“Lidhur me këtë, Avokati i Popullit është në fazën përfundimtare të hetimit, dhe pas përfundimit të procedurës së hetimit, shpejt do dalë me qëndrim lidhur me këtë çështje”, patën bërë me dije nga ky institucion.

Tetë muaj më pas, vendimi i BQK-së për ndryshim të Rregullores për zbatimin e sistemit Bonus-Malus, i cili po vazhdonte t’u shkaktonte dëme miliona euro kosovarëve, ishte ende në sirtarët e hetimeve nga Avokati i Popullit dhe pa ndonjë vendim

“Ju informojmë se IAP ende nuk e ka përfunduar hetimin në lidhje me çështjen në fjalë, por do ju mbajmë të informuar sapo të përfundon hetimi”, patën thënë nga IAP në tetor të vitit të kaluar.

Ky lajmërim, ndonëse tashmë jemi në shkurt të vitit 2025, ende nuk ka arritur tek qytetarët e Kosovës, të cilët po ndëshkohen me pagesë të sistemit Malus me rastin e regjistrimit të veturës pas kalimit të afatit të regjistrimit, edhe nëse nuk kanë shkaktuar asnjë aksident vitin e fundit.

Me ndryshimet e reja të BQK-së që kanë hyrë në fuqi më 2020, të gjithë shoferët në Kosovë që vonohen të sigurojnë veturën, obligohen të paguajnë një deri në tre shkallë më shtrenjtë tarifën për sigurim të veturës. Kështu, nëse ngasësi i automjetit nuk regjistron veturën dhe kalojnë 15 ditë nga data e skadimit të kontratës, ai ngarkohet me një shkallë të malusit. Ndërsa nëse kalon 45-ditëshi dhe nuk e regjistron veturën, ngarkohet me dy shkallë tjera të malusit.

Saktësisht ndërhyrja ka ndodhur në nenin 4 të Rregullores, i cili titullohet “Rregulla tjera për bonusin dhe malusin”. Në krahasim me rregulloren e vjetër, aty shihet se janë inkorporuar edhe dy dispozita shtesë.

“Nëse kontrata e sigurimit ka skaduar dhe i siguruari nuk kontrakton policë të re njëvjeçare, pas kalimit të periudhës kohore më shumë se 15 ditë dhe më pak se 45 ditë, nga data e skadimit, atëherë ndaj të siguruarit aplikohet një shkallë më e lartë e primit, por jo më shumë se shkalla 11, krahasuar me shkallën e primit të aplikuar në kontratën e fundit të skaduar, me kusht që gjatë kësaj periudhe nuk është deklaruar dëm”, thuhet në pikën 7 të këtij neni, që nuk figuron në rregulloren e vjetër.

Njëjtë, pika 8 flet për rastet kur kalon afati prej 45-ditësh dhe drejtuesi i automjetit nuk e regjistron veturën.

“Nëse kontrata e sigurimit ka skaduar dhe i siguruari nuk kontrakton policë të re njëvjeçare edhe pas kalimit të periudhës prej një 45 ditëve deri në një vit nga data e skadimit, atëherë ndaj të siguruarit aplikohet primi dy shkallë më i lartë, por jo më shumë se shkalla bazë e primit (shkalla 11), krahasuar me shkallën e primit të aplikuar në kontratën e fundit të skaduar, me kusht që gjatë kësaj periudhe nuk është deklaruar dëm.”

Nga ana tjetër, rregullorja nuk duket kaq e favorshme kur janë në pyetje ngasësit e automjeteve. Për ta përfituar bonusin, drejtuesi i automjetit këtë mund ta bëjë vetëm nëse kontratën e rinovon “jo më shumë se 10 ditë para përfundimit të afatit njëvjeçar të policës”. Në të kundërtën nuk mund ta fitojë bonusin e vitit të ardhshëm. Bonusi në asnjë rast nuk mund të përfitohet nëse ka skaduar kontrata e sigurimit. /Buletini Ekonomik/