Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se hetimet tatimore kanë vlerësuar mbi 6 milionë euro qarkullim të fshehur nga tre sektor specifik në Kosovë.
Nga ATK-ja kanë theksuar se janë duke vazhduar me monitorimin e personave juridik/bizneseve dhe personave fizike, të cilët përfitojnë nga rrjetet sociale, kriptovalutat, si dhe nga pjesa e shpronësimeve.
Vetëm gjatë kësaj periudhe nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës janë identifikuar 6.1 milionë euro qarkullim nga sektorët e lartcekur, të cilat sipas legjislacionit tatimor në fuqi, kanë qenë të obliguara të deklarojnë dhe paguajnë për të hyrat e realizuara, por meqenëse nuk kanë deklaruar vullnetarisht, ATK thotë se ka bërë vlerësimin sipas dispozitave tatimore.
“ATK siç ka paralajmëruar edhe më herët, ka në dispozicion vegla të avancuar të cilat sigurojnë mbledhjen e informatave nga burime të ndryshme, sikurse për persona juridik ashtu edhe për persona fizik/individ”, thuhet në njoftimin për media nga ATK.
ATK-ja u bënë thirrje gjithë përfituesve që t’i kryejnë vullnetarisht obligimet e tyre, me qëllim që mos të bëhen objekt i ndëshkimeve dhe hetimeve. /Buletini Ekonomik/