Inflacioni në Bashkimin Europian arriti në 9.6% në qershor 2022, sipas vlerësimeve përfundimtare të Eurostat të publikuara sot, duke shënuar një nivel të ri rekord dhe në rritje nga 8.8% që ishte treguesi në maj. Një vit më parë norma ishte 2.2%.
Në zonën euro, norma vjetore e inflacionit ishte 8.6%, nga 8.1% në maj. Një vit më parë inflacioni ishte 2.2%.
Normat më të ulëta vjetore u regjistruan në Maltë (6.1%), Francë (6.5%) dhe Finlandë (8.1%). Normat më të larta vjetore u regjistruan në Estoni (22.0%), Lituani (20.5%) dhe Letoni (19.2%). Krahasuar me majin, inflacioni vjetor ra në dy shtete anëtare dhe u rrit në njëzet e pesë.
Në qershor, kontributi më i lartë në normën vjetore të inflacionit të eurozonës erdhi nga energjia (+4,19 pikë përqindje, pp), e ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (+1,88 pp), shërbimet (+1,42 pp) dhe mallrat industriale joenergjetike. (+1,15 pp).
Banka Qendrore Europiane, BQE, e cila është angazhuar të përpiqet për të frenuar rritjen e çmimeve, do të mblidhet në fund të korrikut për të njoftuar rritjen e normave. Banka qendrore ka thënë se norma do të rritet përsëri në shtator, që do të thotë se norma e saj kryesore e interesit mund të kthehet në territor pozitiv këtë vit. BQE ka pasur norma negative që nga viti 2014.
Në Shqipëri, inflacioni arriti në 7.4%
INSTAT njoftoi se Inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, arriti në 7.4% në qershor, nga 6.7% që ishte në maj dhe shumë më i lartë se janari i këtij viti, kur treguesi ishte 3.7%, duke shënuar një tjetër rekord të ri të 20 viteve të fundit, që nga marsi i vitit 2002, kur treguesi arriti në 7.6% dhe po arrin nivelin më të lartë që nga koha e piramidave në 1997-s, kur ishte mbi 40%.
Më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi, duke sinjalizuar se rritja e çmimeve të konsumit do të vazhdojë më tej, pasi inflacioni në Eurozonë po arrin 10%./Monitor.al/