Kompania “Wind Power” me kapacitet të plotë të prodhimit të energjisë nga era, thotë se është shkëputur nga rrjeti i KESCO-s

Kompania “Wind Power” Sh. A., e cila merret me prodhimin e energjisë së shpërndarë përmes mullinjëve të erës (turbinave) në Kodrën e Goleshit, ka njoftuar se që nga data 1 prill 2021, është shkëputur nga rrjeti i KESCO-s.

Kjo kompani njofton se turbinat e instaluara në këtë park, kanë mundësi prodhimi të energjisë së ripërtëritshme me kapacitet të plotë me gjithsej tri turbina. Por, përkundër kësaj, energjia e gjeneruar nga mullinjtë e erës në këtë park, nuk mund të shitet askund.

Si rrjedhojë, nga kjo kompani thonë se edhe tani kur çmimi i energjisë në bursë ka arritur vlerën e 735 eurove për megavat, ata as nuk mund ta shesin energjinë që e prodhojnë përmes turbinave të erës më këtë çmim, por as me një çmim për dhjetë herë më të ulët.

Reklama e sponzorizuar

Krejt kjo shkaku i largimit të kompanisë nga rrjeti i KESCO-s.

Nga Wind Power thonë se pikërisht ky fakt është edhe një alarm për institucionet e vendit, për shkak se gjendja aktuale në të cilën ndodhet në këtë rast kjo kompani, e bën Kosovën një ambient jo të favorshëm për investitorët e huaj, që mund të investojnë në Kosovë në të ardhmen.

“Ne jemi të hapur që të arrijmë marrëveshje kurdo që jeni të gatshëm për blerjen e energjisë me çmim të arsyeshëm”, thuhet tutje në komunikatën për media, që ka dërguar kjo kompani. /Buletini Ekonomik/