Musa Limani, ish-dekan i Fakultetit Ekonomik dhe këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në një intervistë për Ekonomia Online tha se Kosova asnjëherë nuk i ka plotësuar nevojat e popullatës me grurë e për këtë arsye është i detyrueshëm importi.
“Me sa unë e di, Kosova diku 40 deri në 50% prodhon grurë për nevojat e popullatës së Kosovës. Megjithëse tash ka disa deklarata që është ministri për Bujqësi dhe shoqata e bujqve që nuk përputhen me atë, po si do që të jetë Kosova asnjëherë nuk i ka plotësuar nevojat e veta me grurë, nga prodhimtaria e vetë. Për arsye se shumë sipërfaqe të tokës së punueshme mbeten djerrina dhe normalisht që ne e importojmë grurin nga vendet e tjera dhe jemi të varur edhe nga artikujt tjerë”.
Limani thotë se edhe me Kushtetutën e vendit është e paraparë që shteti të ketë rezerva shtetërore, të cilat mund të shfrytëzohen tani me ngritjen e çmimeve të shumë produkteve.
“Është e paraparë si çdo vend tjetër edhe në Kushtetutën e Kosovës se shteti duhet të ketë rezerva. Mirëpo deri vonë nuk kanë siguruar rezerva shtetërore. Tani kohëve të fundit kanë filluar të marrin ose të grumbullojnë rezerva shtetërore. Sa janë ato, unë nuk kam qasje për atë sepse nuk janë publike edhe nuk duhet të jenë publike, për arsye se paraqet një faktor strategjik”.
“Po si do që të jetë, me Kushtetutë me sa e di unë ekzistojnë rezervat shtetërore, të cilat shteti i përdor për raste të veçanta, tash për shembull siç është rasti i ngritjes së çmimeve. Shteti mundet me balancu ofertën dhe kërkesën nëpërmes hedhjes së rezervave shtetërore, sidomos atyre ushqimore, naftës etj në treg edhe e ul çmimin momental që është me të vërtetë i lartë, për arsye të ngritjes së çmimeve”.