Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka njoftuar se në kuadër të mbjelljeve vjeshtore të vitit 2021, me kulturën e grurit në gjithë territorin e Kosovës, janë të mbjellura gjithsej 66,159.52 hektarë.
Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, nga MBPZHR-ja kanë thënë se si material bazë për të dhënat e këtyre mbjelljeve vjeshtore, kanë qenë të dhënat e Drejtorive Komunale të Bujqësisë dhe bazuar në këto të dhëna, sipërfaqja me kulturën e grurit që pritet të korret gjatë këtij viti është 66,159.52 hektarë.
Siç thonë ata, bazuar në të dhënat statistikore ndër vite, rendimenti mesatar për kulturën e grurit në Kosovë, ashtu sikur viteve të kaluara, edhe sivjet pritet të sillet nga 3500-4500 kg/ha, përcjell Buletini Ekonomik.
“Mirëpo, për të ditur rendimentin mesatar të saktë për sivjet, në periudhën në të cilën jemi, është herët që të flitet pasi që pas përfundimit të fushatës, Komisioni për Monitorimin e Korrje-Shirjeve e përgatitë raportin përfundimtar për këtë proces, ku do të dihet saktë rendimenti për këtë vit”, thonë nga MBPZHR-ja.
Nga MBPZHR gjithashtu bëjnë të ditur se në kuadër të Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022 (PPD), kanë planifikuar afro 50 milionë euro përkrahje financiare për mbështetjen e kulturave dhe aktiviteteve bujqësore e blegtorale.
Në kuadër të kësaj mbështetje, MBPZhR-ja thotë se një hektarë me grurë do të subvencionohet me rreth 474 euro, duke përfshirë për herë të parë subvencionimin e vlerës së akcizës së naftës prej 0.36 cent si dhe plehërimin pranveror me 150 euro për hektarë.
Krahas kësaj, siç theksojnë ata, bujqit kanë mundësinë e subvencionimit për rendiment të grurit me 0.03 cent për kilogramë, përmes dorëzimit në mullinj.
Ndryshe, sa i përket çmimit të korrje shirjeve të këtij viti, në takimin e përbashkët që kanë mbajtur Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me përfaqësuesit e Drejtorive Komunale për Bujqësi dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Mullisëve, bazuar në çmimin aktual të derivateve të naftës, pjesëve rezervë të autokombajnave, si dhe gjendjes së zhvillimit të grunajave, kanë sugjeruar/propozuar që çmimi real i korrje-shirjeve për vitin 2022, do të jetë 130 euro/ha (nënkuptohet se çmimi i korrje-shirjeve caktohet me marrëveshjen në mes të fermerëve dhe autokombajnerëve). /Buletini Ekonomik/