Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka njoftuar të gjithë fermerët se për të përfituar subvencione, aplikuesit krahas kontrollës administrative do të inspektohen edhe në terren nga inspektorët e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Sipas një njoftimi nga kjo ministri, ekipit të inspektimit në terren sot i është bashkëngjitur edhe Ministri Faton Peci, për të parë nga afër procesin e monitorimit e kontrollit, si dhe për t’u siguruar se mbështetja financiare po shkon në vendin e duhur.
“Në Komunën e Obiliqit, vizitova bujkun Berat Mehmeti, kultivues i grurit, ku pashë se dokumentacioni i dorëzuar gjatë aplikimit për Pagesa Direkte 2022, korrespondonte me gjendjen në teren. Me këtë rast, ky bujk më tregoi se është optimist sa i përket rendimentit ku pret të korrë rreth 6 tonë grurë për hektarë”, ka thënë Peci.
Në njoftim tutje theksohet se Ministri Peci ka siguruar se mbështetja institucionale nuk do i mungojë asnjë bujku, përderisa çdo bujk është korrekt dhe respekton ligjin.
Ndryshe, në kuadër të Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022 numri i aplikimeve në të gjitha kulturat dhe aktivitetet bujqësore e blegtorale që mbështeten përmes këtij programi arrin në 50 mijë e 836 aplikime, me gjithsejtë 28 mijë e 834 aplikues. Ndërkaq, inspektimet në terren realizohen bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2022 për Pagesa Direkte./Buletini Ekonomik/