“Perandoria e BQK-së”

Mehmet Gjata

Banka Qendrore e Kosovës (BQK-ja tashmë famoze) në shtetin e vockël të Kosovës, në shtetin e brishtë dhe të varfër tonin, është bërë tani një perandori e vërtetë, me sjellje të egra ndaj klientelës të shumtë kosovare, me potencë të fuqishme financiare dhe influencë shoqërore, e besa edhe politike të madhe, dhe me sjellje të guvernatorit prej monarku dhe të personelit udhëheqës të saj, e sidomos të atyre me ndikim në vendimmarrrje si dhe me lobimin kundër investitorëve potencial me interes për vendin.

Mehmet GJATA

“Perandoria e BQK-së” është gjithsesi titull figurativ, por, ç’është e vërteta, përmban shumë kuptim dhe domethënie të njëmendtë të kuptimësisë së gjerë të fjalës perandori. Sepse, Banka Qendrore e Kosovës (BQK-ja tashmë famoze), në shtetin e vockël të Kosovës, në shtetin e brishtë dhe të varfër tonin, është bërë tani një perandori e vërtetë, me sjellje të egra ndaj klientelës të shumtë kosovare, me potencë të fuqishme financiare dhe influencë shoqërore, e besa edhe politike të madhe, dhe me sjellje të guvernatorit prej monarku dhe të personelit udhëheqës të saj, e sidomos të atyre me ndikim në vendimmarrrje si të shpurës së ndonjë perandorie.

Reklama e sponzorizuar

BQK-ja shquhet edhe me pagat enorme të larta, të siguruara ekskluzivisht nga taksapaguesit kosovarë dhe që janë shumëfish mbi mesatarën e pagave të kosovarëve. BQK-ja i ka të gjitha këto veçori, i ka krijuar ato tashmë, gjithsesi në bashkëpunim të ngushtë me bankat komerciale dhe me mikrofinancat, dhe as që ka ndjenjë për detyrën e saj ligjërisht të përcaktuar, pra për mbrojtjen e interesave të shtetit dhe të klientelës nga tendencat devijuese të bankave komerciale dhe të institucioneve mikrofinanciare.

Në asnjë rast të vetëm, e sidomos gjatë tërë mandatit të guvernatorit aktual, BQK-ja nuk mbrojti ineresat e shtetit të Kosovës, as të qindra e mijëra kursimtarëve kosovarë që kanë deponuar paratë e tyre në bankat komerciale ekzistuese që afarojnë në Kosovë (që shumica e të cilave selitë qendrore i kanë jashtë Kosovës), as të qindra mijëra kosovarëve kredimarrës me kamatat më të larta në rajon, dhe kërkues të shërbimeve bankare me kosto enorme çmimesh. BQK-ja, pra vetëm detyrën dhe obligimin e saj, të përcaktuar me ligjet pozitive të Kosovës, nuk vazhdon ta bëjë.

Në anën tjetër, BQK-ja në vazhdimësi, e sidomos në këto vitet e fundit, u tregua shumë e zellshme, agile dhe e disponueshme për të përmbushur kërkesat e pandalshme të bankave komerciale për të mbajtur kamatat më të larta të mundshme, mbase ndër më të lartat edhe në botë si dhe çmimet më të shtrenjta të shërbimeve bankare, padyshim, në glob.

Shkurt, BQK-ja në këto vite u angazhua ekluzivisht për të mbrojtur dhe për të promovuar kërkesat e bankarëve, për të promovuar dhe mbrojtur kamatat ndër më të egrat në botë (në Kosovë me lejen e BQK-së ka mikrofinanca që kanë kamatë legale 41 për qind, që është mbi kamatat e fajedexhinjve ilegalë kosovarë).

Në saje të inferioritetit të BQK-së, që po duket të jetë i qëllimtë fare, bankat komerciale dhe Institucionet mikrofinanciare të instaluara tashmë në Kosovë, kur të duan dhe sa të duan i ngritin çmimet e shërbimeve bankare, dhe si të duan dhe kur të duan i përcaktojnë kamatat për të gjitha llojet e kredidhënies. Dhe fitimet enorme të papara dhe të pashënuara të këtyre bankave në këso nivelesh në asnjë shtetet të botës, janë kryekëput rezultat i çmimeve rekorde të larta të shërbimeve bankare dhe të kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të ‘stërlarta’ (madje edhe përtej fajdexhinjve ilegalë) të institucioneve mikrofinanciare.

Për fitimet enorme të bankave në Kosovë, për neto fitimet tremujore, gjashtëmujore, nëntëmujore dhe vjetore, Buletini Ekonomik, por edhe medie të tjera të shumta kosovare kanë raportuar me dhjetëra e dhjetëra herë.

Edhe të dhënat më të fundit, të bëra publike dje dhe sot nga mediet kosovare, dëshmojnë se neto profiti i bankave kosovare ka shkuar “deri në qiell”. Vetëm nga janari deri në muajin maj të këtij viti, të njëjtat kanë arkëtuar në stoqet e tyre gjithsej 56.4 milionë euro profit neto, derisa vetëm një muaj më herët, fitimi i tyre ishte regjistruar në një shifër prej 44.6 milionëve, përcjell Buletini Ekonomik.

Të hyrat totale në këtë sektor deri në fund të majit, ishin në vlerë të 139.3 milionë eurove. Prej tyre, gjithsej 101.5 milionë euro ishin vetëm të hyra nga interesi. Këto fitime gjithsesi enorme, janë kryekëput rezultat i tarifave super të larta të shërbimeve (të hyrat nga jo-interesi) si dhe normave akoma më të larta të interesit në kredi.

Dhe, BQK-ja, qoftë me heshtje, por edhe me letërkëmbime të ndryshme vazhdon të miratojë kërkesat e egra të bankave komerciale, sikundër që vazhdon të mos reagojë fare ndaj interesave pakuptueshëm të stërlarta për kreditë, madje edhe përtej fajdexhinjve ilegalë, të institucioneve mikrofinanciare. Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë, siç dihet publikisht, aplikojnë norma absurde dhe për logjikën e shëndoshë, të pakuptueshme deri në 41 për qind, ose më saktë nga 23 deri në 41 për qind. Këto, pa diskutim, janë interesat më të larta në botë, në Europë dhe ndër shtetet e rajonit. Dhe, BQK-ja i miraton të gjitha këto para syve të kosovarëve të varfër, që mezi e përmbyllin muajin me muaj me të ardhurat e tyre.

Sipas të dhënave zyrtare, 1.8 për qind e kosovarëve me të hyrat që kanë, nuk mund ta mbulojnë këstin e kredisë që e kanë në bankat komerciale në Kosovë, ndërkaq 3.8 për qind të qytetarëve, kredia ua merr 75 për qind deri në 100 për qind të të hyrave.

Bankat komerciale dhe IMF-të në rastet më të shpeshta, fare pa paralajmërim i kanë ngritur çmimet e shërbimeve bankare, mu para syve të BQK-së, që ka mision të vetëm monitorimin e punës dhe stabilitetit bankar të vendit. Në asnjë rast të vetëm deri më tani, sidomos gjatë mandatit të guvernatorit aktual, BQK-ja nuk ka dhënë ndonjë sqarim të qëndrueshëm për ngritjet e shpeshta të çmimeve të shërbimeve bankare. Ndërsa, as që bëhet fjalë për ndonjë rast të tërheqjes së vërejtjeve bankave komerciale kosovare dhe IMF-ve për këto çmime rekorde, ose për t’ua anuluar ndonjëherë vendimet për çmimet e shërbimeve bankare.

Madje, nga toleranca pafundësisht e skajshme e BQK-së ndaj insistimit të bankave për nivel enorm të interesave, por edhe të shërbimeve, jo në pak raste ka pasuar kërkesa të reja të këtyre bankave për të ngritur sidomos çmimet e shërbimeve dhe për të tkurrur maksimalisht numrin e punonjësve. Dhe jo vetëm kaq.

Thjesht, për shkak të heshtjes së BQK-së (lexo miratimit të BQK-së), qytetarët e Kosovës ende nuk kanë ndonjë platformë ku mund të kryejnë pagesa dhe transfere ndërkombëtare “lirë e mirë”. Ata detyrohen që përmes bankave komerciale të cilat aplikojnë tarifa shumë të larta, të kryejnë shërbimet e tyre.

Dhe, në mënyrë që t’i ruajnë fitimet e tyre nga kjo kategori e të hyrave, siç ka mësuar Buletini Ekonomik bankat në vend kishin lobuar edhe kundër shtrirjes së rrjetit të kompanisë së lirë për pagesa dhe transfere ndërkombëtare “PayPal” në Kosovë.

“PayPal”, një kompani lidere në botë për pagesa dhe transfere ndërkombëtare, në të kaluarën kishte provuar të shtrihej në Kosovë, por një gjë e tillë i ishte pamundësuar pikërisht nga bankat që operojnë në vend.

Gjatë vitit 2020, kjo kompani kishte deklaruar se ka bërë kërkesë në Bankën Qendrore të Kosovës për shtrirjen e rrjetit të tyre për pagesa dhe transfere, por kjo e fundit nuk ia kishte dhënë dritën e gjelbër për operim.

Buletini Ekonomik nga burime të sigurta në BQK merr vesh se për ndalimin e PayPal ishte lobuar fuqishëm nga bankat komerciale dhe nga segmente të caktuara në BQK. Dhe, pas gjithë kësaj odisejade me rol të qenësishëm të BQK-së, ndaj kësaj “perandorie’, në Kosovë po del të jete i pafuqishëm edhe kryeministri Albin Kurti, i cili kishte takuar drejtuesit e PayPal, në Davos të Zvicrës, dhe me këtë rast kot kishte kërkuar nga PayPal të përfshijë edhe Kosovën në platformë. Natyrisht, kërkesa e kryeministrit është zbehur dhe mbase është zhvlerësuar tërësisht për shkak të lobimit të fuqishëm nga segmente të caktuara në BQK kundër ardhjes të Paypal.

A do të mbetet e kotë edhe kërkesa e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës derguar guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, “që të punohet dhe pranohet që Kosova të jetë pjesë e disa sistemeve elektonike të pagesave, në mënyrë që të njëjtat të jenë valide edhe në Kosovë, siç është rasti për Paypal, i cili dukshëm do të lehtësonte shkëmbimin e transkasioneve të operatorëve ekonomik me vendet e tjera”.

Përmes një komunikate për media, Dhoma e Tregtisë thotë se tash e sa kohë janë duke kërkuar nga BQK dhe Institucionet që të mundësohet realizimi i pagesave ndërkombëtare përmes sistemit PayPal, që sipas tyre, do të kishte ndikim pozitiv tek këto të fundit.

“Dhoma e Tregtisë ka pranuar shqetësime nga bizneset të cilat eksportojnë jashtë vendit, dhe bëjnë tregti elektronike përmes ecommerce, e të cilat kërkojnë që pagesa të realizohet përmes Paypal. Pamundësia e realizimit të kësaj të fundit po bënë që bizneset të humbin edhe klientët potencial, çështje kjo e ngritur edhe në takimet me Kryeministrin dhe Ministrin Murati”, thuhet në komunikatë.

Dhoma e Tregtisë ka adresuar ndër vite edhe shumë kërkesa tek BQK-ja, si p.sh: Të largohet kamata nga bankat komerciale për kthimin e parave të imëta; Të zvogëlohet tarifa nga 1 – 3 % në 0.025 % e shumës së paguar nga qytetarët në biznese nëpërmjet pagesave me pos; Të ofrohen kredi për bizneset, me grejsperiudhë deri në 2 vjet dhe me afat pagese deri në 10 vjet, me garancion të shtetit; si dhe që kreditë të jenë pa interes me grant prej 30% për ndërmarrjet mikro dhe të vogla përmes Fondit për Garanci Kreditore.

Por, BQK-ja siç u tha më lartë ka të tjera interesa. Po të shqyrtoheshin këto kërkesa të Dhomës së Tregtisë, do të cënoheshin interesat e grupeve të caktuara në BQK. “Perandoria e BQK-së”, dhe guvernatori i saj, tani ndjehen të fuqishëm dhe të paprekshëm edhe në kontekstin e pranim-largimit nga puna të kujtdo që t’i teket “perandorisë’. Këto ditë, Fehmi Mehmeti, e ka larguar nga puna, Shkëndije Himaj Zekaj, e cila kishte qenë kundërkandidate e tij për pozitën e guvernatorit ndërsa së fundmi mbante pozitën ‘këshilltare e lartë e Bordit Ekzekutiv për sektorin financiar në BQK’.

Ajo është larguar nga puna pa u dëgjuar fare nga Komisioni Disiplinor dhe në ditën që i ka përfunduar pushimi mjekësor i marrë një muaj më parë. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të BQK-së, Muhamed Koliqi, në një përgjigje për një medie të Kosovës me këtë rast, ka thënë se kanë vërejtur shkelje gjatë procesit ndaj Shkëndije Himaj Zekaj. Ai ka theksuar se vazhdimisht kanë reaguar ndaj guvernatorit Fehmi Mehmeti por që i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

Reagime, Koliqi thotë së kanë drejtuar edhe tek Bordi i BQK-së por as nga ata nuk kanë marrë përgjigje.

“Për rastin e znj. Himaj, Kryesia e SPBQK-së ka vërejtur shkelje dhe si rrjedhojë në vazhdimësi ka reaguar lidhur me veprimet e Guvernatorit ndaj znj. Shkëndije Himaj. Reagimet fillimisht janë drejtuar te Guvernatori dhe duke mos marrë përgjigje nga Guvernatori, reagimi është drejtuar edhe tek Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), mirëpo as nga këta të fundit asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje”, tha Koliqi.

Koliqi ka thënë se kanë kërkuar edhe monitorimin e punës së Komisionit Disiplinor por që as për këtë çështje nuk kanë marrë ndonjë reagim. Dhe të gjitha këto kërkesa dolën të jenë të kota. Fundja, kush janë sindikalistët për një perandori siç është BQK-ja dhe kreu i saj. BQK-ja dhe guvernatori, janë treguar superior ndaj institucioneve shtetërore dhe mbi kryeministrin e vendit edhe me rastin e dërgimit të letrës famoze nga guvernatori Fehmi Mehmeti, 5 shteteve të Quint-it, nëpërmjet së cilës guvernatori tashmë “i famshëm”, por edhe goxha i guximshëm për veprimet karshi institucioneve shtetërore, kërkon që të intervenojnë te institucionet e Kosovës (lexo te kryeministri), që mos ta ndërrojnë nga pozita e zëvendësguvernatorit të shumëpërfolurin dhe të diskutueshmin Sokol Havollin, që deri në ardhjen në këtë pozicion, ishte dorë e djathë e ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Nuk më ka rastis gjatë punës sime shumëvjeçare në gazetari dhe në gjithë vitet e moshës sime 70 vjeçare, të dëgjojë për ndonjë veprim më degradues dhe deningrues dhe kaq fyes kundrejt shtetit dhe institucioneve të tij, se sa kjo letër e guvernatorit tashmë të plotfuqishëm dhe të paprekshëm të BQK-së. Dhe megjithë këto veprime, BQK-ja vazhdon ta ketë të njëjtin guvernator dhe të njëjtin staf udhëheqës, që i bënë atij “lepe-peçe” dhe “temena”, por duke dëmtuar pafundsisht imazhin e republikës, të reputacionit të zhvillimeve financiare të institucioneve shtetërore të vendit. Deri kur…, mbase është koha e fundit që ta thonë zyrtarët e Kosovës dhe autoritetet e ndërgjegjshme të këtij vendi. /Buletini Ekonomik/