Gjatësia e letrave të duarve, si dhe letrës së tualetit kthen në rivlerësim tenderin prej 150 mijë eurosh

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka kthyer në rivlerësim tenderin e Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës (ShSKUK), për “Furnizim me material higjienik”, vlera e paraparë e të cilit është 152 mijë e 250 euro.

Arsyet pse Gjykata e Tenderëve ka anuluar njoftimin për dhënie të kontratës të ShSKUK-së janë mungesa e vlerësimit të gjatësisë së letrës së tualetit, si dhe ajo e letrës së duarve. Sipas vendimit të OShP-së, i cili është marrë këtë javë, vlerësimi i ofertave nga ana e ShSKUK-së nuk është bërë në përputhje me ligjin. Gjatë procesit të rivlerësimit OShP-ja ka kërkuar që mostrës së letrës së duarve t’i numërohen fletat, si dhe mostrës së letrës së tualetit t’i matet gjatësia, shkruan sot Koha Ditore.

Këtë vendim OShP-ja e ka marrë pasi që e ka shpallur si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Euro Kosova”. “Anulohet njoftimi për dhënie të kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizim me material higjenik”, me nr. të prokurimit: 701-19-4080-1-1-1, të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues – Shërbimi Spitalor, Klinik, Universitar i Kosovës dhe lënda kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e OShP-së. SHSKUK-ja kishte vendosur që këtë kontratë t’ia jepte operatorit ekonomik NTP “Troja”.

Reklama e sponzorizuar

Pas këtij vendimi Autoriteti Kontraktues në afat prej 10 ditësh duhet ta informojë me shkrim panelin shqyrtues për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit.

Sipas vendimit të OShP-së, ShSKUK-ja gjatë zhvillimit të kësaj procedure tenderuese ka shkelur nenin 59 të Ligjit të Prokurimit Publik.

“Paneli shqyrtues, duke u bazuar në shkresat e lëndës të cilat i ka pasur në dispozicion, si dhe në sqarimet e ekspertes profesionale të prokurimit, vjen në përfundim se ekzaminimi vlerësimi dhe krahasimi i ofertave nuk janë bërë konform nenit 59 te LPP-së”, thuhet në vendimin e OShP-së.