Pozitë e opozitë, pa ndonjë ide për zbutjen e krizës së çmimeve

Mehmet Gjata

Subjektet politike të Kosovës, si pozita ashtu edhe opozita, me gjasë ‘të zgjuara” tepër vonë nga gjumi dhe të vonuar për t’iu qasur problemit të krizës së çmimeve, siç do të duhej bërë kaherë, me mungesë evidente idesh për ndonjë masë më të efektshme, më shumë po e trajtojnë ngritjen e çmimeve me diskursin politik, duke akuzuar njëri-tjetrin për fajësi dhe me retorikë jo edhe aq të matur si dhe me leksik goxha primitiv në akuzat drejtuar njëri-tjetrit.

Mehmet GJATA

Që nga fundi i vitit 2021, dhe fillimi i këtij viti, çmimet e produkteve bazë ushqimore, e veçmas të atyre të shportës, nga muaji në muaj, javë pas jave dhe nga dita në ditë, janë duke u ngritur ndjeshëm. Janë bërë kështu çmime atipike të “fryra” – të ngritura tej mase, dhe, gjithsesi, ndër më të lartat edhe karshi fqinjve më të fuqishëm ekonomikisht dhe financiarisht.

Çmimet e ngritura të naftës dhe benzinës në Kosovë, të rritura edhe më shumë se një herë brenda ditës, tashmë janë bërë histori, sikundër që është bërë çështje në vete paskrupulltësia e naftëtarëve nga Kosova, që në këtë kohë krize u treguan të uritur e të egër në ngarendjet e tyre për t’u pasuruar brenda ditës dhe duke lënë nam të keq te qytetarët e këtij vendi me mashtrimet dhe makinacionet e shumta të përditshme për të “trashur” fitimet e tyre nëpërmjet çmimeve enorme të rritura. Fitohet përshtypja se në ngritjen e çmimeve nga tregtarët kosovarë sikur ka ngarendje dhe garë, kush më shumë dhe kush më vrullshëm do t’i ngritë ato.

Reklama e sponzorizuar

Dhe, ç’është më keq, po del, që në këto rrethana, kur politika e ecurisë së çmimeve doli totalisht jashtë kontrollit institucional, gjithnjë në këtë garë çmimesh po dalin fitues tregtarët matrapazë, ata të pandershmit, që mezi presin të agojë dita e re për të bërë manipulime të reja të egra me çmimet, edhe ashtu enorme dhe më të lartat në rajon dhe përtej.

Tani kur është krijuar kaosi dhe anarkia totale në zhvillimet e ecurive të çmimeve, dhe kur pasojat e gjendjes së krijuar nga çmimet enorme të ngritura po paralajmërojnë rrezikun e ç’ekilibrimit të paqes sociale të kosovarëve të varfër, institucionet e vendit më në fund sikur u zgjuan nga gjumi dhe po “bëjnë’ sikur kanë zënë të preokupohen me gjendjen e krijuar nga çmimet enorme.

Por, subjektet politike të Kosovës, si pozita ashtu edhe opozita, me gjasë ‘të zgjuara” tepër vonë dhe të vonuar për t’iu qasur këtij problemi siç do të duhej bërë kaherë, me mungesë evidente idesh për ndonjë masë më të efektshme, më shumë po e trajtojnë ngritjen e çmimeve me diskursin politik, duke akuzuar njëri tjetrin për fajësi dhe me retorikë jo edhe aq të matur dhe të me leksik goxha primitiv në akuzat drejtuar njëri-tjetrit.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtuar të enjten, që iu kushtua daljes jashtë kontrollit të çmimeve në Kosovë, nuk u dëgjua ndonjë diskutim racional, as ide dhe as ndonjë propozim që do të kishte ndonjë efekt dhe rezultat paksa më konkret në frenimin e ngritjes së egër të çmimeve.

Fare pak u akceptua tendenca e fundit e shpërfaqur nga furrëtarët në Gjilan për të ngritur sërish çmimin e bukës, dhe fare pak pati diskutime për pasojat që do të kishin çmimet e ngritura të bukës për mirëqenien e kosovarëve të skamur. Konstatimet e kreut qeveritar se “Kosova nuk është e vetme në këtë situatë të rritjes së çmimeve, çmimet janë rritur globalisht, kemi të bëjmë me inflacion të importuar mbi të cilin ne si Qeveri nuk është se kemi kontroll apo ndikim”, janë një refren kaherë i përsëritur, i konsumuar dhe pa asgjë konkrete për të tejkaluar gjendjen e krijuar nga çmimet e ngritura tejmase.

Janë të stërpërsëritura, po kështu dhe tashmë të konsumuara edhe akuzat e opozitës kundrejt Qeverisë Kurti 2, dhe kërkesat e tyre për shpenzuar para pa kufi nga buxheti i varfër i shtetit për gjoja masat për të frenuar ecurinë e ngritjes së çmimeve dhe të pasojave.

Opozita po ngulmon së kërkuari para buxhetore me thes si kundërmasë karshi çmimeve të ngritura, sikur Kosova të kishte paranë e dynjasë, ose të reduktojë maksimalisht prurjet buxhetore nga taksat, përqindjet aktuale të TVSH-së dhe të taksave të tjera.

Dhe në këtë mënyrë, mbledhja e së enjtes e Kuvendit të Kosovës, në të cilën ishte planifikuar të trajtohej çështja e çmimeve të ngritura dhe pasojat, ngjante më shumë në mbajtjen e një seance sa për të thënë, sa për ta kryer një obligim të mbajtjes së seancave të Kuvendit. Realisht kështu ndodhi.

Kryeministri theksoi se “kanë bërë maksimumin që të sigurohen se po i marrim masat e nevojshme për t’i arritur tri qëllime: të parandalojnë presionet inflacionare të brendshme për aq sa munden, të mbështesin ata që kanë më së shumti nevojë dhe të marrim masa kundër tregtarëve spekulantë që tentojnë të shfrytëzojnë këtë krizë për të trashur fitimet e tyre”.

Por po të analizohen edhe fare përciptazi tri qëllimet që synohej të arriheshin me masat e Qeverisë, del se në këtë periudhë nuk është arritur ndonjë rezultat edhe aq i prekshëm për parandalimin e presioneve inflacionare. Sepse, shkalla e infacionit në fund të majit, siç dihet, në Kosovë arriti në pikën kulminante 12,5 për qind.

Edhe mbështetja e të gjithë atyre që patën më së shumti nevojë, nuk është dëshmuar edhe aq e efektshme, për shkakun se 100 euro për individ ishin fare pak, ose shumë parash simbolike për të përmbushur nevojat e shtuara të shtresave të varfëra të Kosovës dhe në anën tjetër rreth 100 e më shumë milionë euro para të shpenzuara për këtë qëllim lanë jo pak zbraztirë në buxhetin e mangët të vendit.

Ndërsa, për qëllimin e tretë, ose marrjen e masave kundër tregtarëve spekulantë që tentojnë të shfrytëzojnë këtë krizë për të trashur fitimet e tyre, as që mund të bëhet fjalë. Asnjë tregtar mashtrues, sado që pati dhe vazhdon të ketë boll shumë sish, nuk është sanksionuar, nuk iu ka prek pasuria e fituar paligjshëm dhe nuk ka pasur asnjë restriksion në ushtrimin e biznesit të tij.

Me fjalë të tjera, tregtarët spekulantë të evidentuar si mashtrues në kohë krize, vazhdojnë thuaja lirshëm të abuzojnë me ngritje çmimesh. Dhe, në po të njëjtën ditë kur u mbajtë kjo seancë e Kuvendit të Kosovës, me gjasë vetëm pak orë më vonë, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një intervistë në një nga televizionet e vendit, ka paralajmëruar se në vjeshtë mund të ketë sërish rritje të çmimeve. “Ne nuk mund ta parashikojmë rritjen, ka statistika që thuhet se ndoshta në vjeshtë mund të ketë rritje por ndoshta nuk mund të ketë rritje sepse nuk e ke paraparë luftën”, ka deklaruar Hajdari.

E pyetur se cili është plani për t’u përballur me valën e re të ngritjes së çmimeve, të paralajmëruar se mund të vijë në vjeshtë, Hajdari tha se “sikur të kishte më shumë miliarda në Kosovë do të kisha vepruar shumë lehtë, të mbushi arkën e shtetit me të gjitha furnizimet dhe ta sigurojë tregun e Kosovës”.

Një përgjigje kaq cinike, nëse është transmetuar saktësisht deklarata e ministres, opinionit i rastisë të dëgjojë rrallë nga një politikane me pozitë kaq të lartë shtetërore. Po të kishte shumë miliarda Kosova nuk kishte për të pasur nevojë për ndërmarrje të masave as të paketave përkrahëse. Por, Kosova nuk i ka dhe nuk do t’i ketë as në vjeshtë shumë miliarda, prandaj ministrja paguhet nga taksapaguesit dhe duhet të ketë ndonjë ide, dhe të propozojë ndonjë zgjidhje edhe në mungesë parash.

Mirëpo, as kërkesat e opozitës, edhe pse thuaja asnjëra nuk gjeti përkrahjen e nevojshme parlamentare për t’u fuqizuar, nuk është se ishin propozime mrekullibërëse dhe të zbatueshme lehtësisht. Pozita, por edhe ekonomistë të shumtë, ekspertë të fushës së financave, e vlerësojnë të diskutueshme kërkesën dhe propozimin e PDK-së që TVSH-ja në produktet esenciale ushqimore të zbritet nga 18 në 8 përqind, e sidomos propozimin e këtij subjekti politik që “TVSH-ja për produktet esenciale ushqimore duhet të hiqet krejtësisht për gjashtë muajt e ardhshëm”, sikundër edhe kërkesën se Qeveria “duhet ta rishikojë dhe vlerësojë drejt çështjen e akcizës në naftë” .

Opozitarët po kërkojnë para pa reshtur dhe për gjithçka, por pa treguar në asnjë rast se kah të sigurohen ato. Ku t’i marrë Kosova gjithë këto para për të plotësuar gjithë këto kërkesa dhe propozime për tejkalimin e krizës së çmimeve.

Hiç më pak cinik nuk doli të jetë as propozimi i LDK-së, i bërë nëpërmjet deputetit Besian Mustafa: “Ne propozojmë që të hiqet akciza në derivate për tre muaj me mundësi edhe për tre muaj të tjerë dhe po ashtu heqjen e TVSH në disa produkte bazë’, duke shtuar se “këtë mund ta bëjë Qeveria me një udhëzim administrativ”.

Nuk është mbase edhe aq e vështirë që të merret një udhëzim administrativ, por deputeti nga radhët e LDK-së, nuk e tha asnjë fjalë, ama asnjë të vetme, se si do të siguroheshin paratë e arkëtuara në buxhet nga akciza në derivate dhe nga TVSH-ja në disa produkte bazë. Ndërkohë që dihet, se akciza në derivate ka qenë gjithnjë, dhe vazhdon të jetë një burim i rëndësishëm i mbushjes së buxhetit të Kosovës.

Edhe TVSH-ja qëkur aplikohet, është një nga burimet e rëndësishme për mbushjën e buxhetit të vendit.

Me fjalë të tjera, diskutimet e përfaqësuesve të pozitës, më shumë me tendenca mbrojtje dhe sulmet e vrazhdëta të opozitës me akuza të rënda ndaj mazhorancës si “fajtore ekskluzive” për krizën e çmimeve, ia zbehën tejmase seriozitetin trajtimit të ngritjes enorme të çmimeve, shkaqeve dhe pasojave, që realisht tash e një kohë të gjatë kanë prekur secilin qytetarë. Dhe më e keqja që ndodhi edhe në këtë seancë parlamentare ishte tendenca për të politizuar skajshmërisht krizën.

Ndërsa, fare pak pati ide për të ndërmarrë masa të mundshme, praktike, të efektshme dhe të zbatueshme për stopimin e mashtrimve dhe abuzimeve të tregtarëve të pandërgjegjshëm në këtë krizë me pasoja evidente. Rritja e numrit të inspektorëve të tregut dhe të atyre financiar për të monitoruar më shumë dhe më shpesh çmimet e ngritura, marzhat stratosferike të fitimeve, aksionet false të uljeve të çmimeve të aplikuara në vazhdimësi nga marketet dhe supermarket e vendit.

Asnjë fjalë nuk u dëgjua nga deputetet, as nga pozita dhe as nga opozita, se pse po heshtë BQK-ja në gjithë këtë krizë të çmimeve, institucion ky financiar kyq që ka për detyrë dhe mision edhe kontrollin e ligjshmërisë së ecurive të çmimeve.

Ose, nuk u tha pse u vonua kaq shumë emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, të cilit do të duhej t’i dëgjohej zëri ndonjëherë për të luftuar çfarëdo veprimi që shkon në dëm të konkurrencës apo kurdisje e spekulim të çmimeve në kurriz të qytetarëve. Aq më shumë kur për këtë mision e paska përkrahjen e plotë të Qeverisë, siç u tha në Kuvend.

Këto çështje nuk janë të importuara, as të penguara nga kriza globale. Janë punë që duhet bërë, por që nuk janë bërë dhe nuk po bëhen sot e kësaj dite siç duhet dhe siç janë paraparë me ligjet tona. /Buletini Ekonomik/