Moskuptimi ose keqinterpretimi i qëllimshëm i raporteve financiare, e ka cilësuar Telekomi i Kosovës prezantimin e raportit financiar për këtë ndërmarrje publike nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2021.
Në reagimin e Telekomit të Kosovës thuhet së “Bordi dhe Menaxhmenti i Telekomit nuk janë të interesuar për lëvdata nga askush, por jemi të detyruar të reagojmë ndaj titujve bombastik dhe shpifës, sipas të cilëve, si pasojë e keqmenaxhimit në vitin 2021, qenkan shkaktuar humbje mbi 10 milionë euro”.
“Vlen për t’u përmendur fakti se Bordi dhe Menaxhmenti aktual, që nga marrja e detyrës, madje edhe asnjë nga stafi i Telekomit gjatë vitit 2021, asnjëherë dhe nga askush nuk është dyshuar, akuzuar dhe madje nuk ka pasur as aludime se ka keqpërdorur, abuzuar apo zhvatur AS EDHE NJË EURO TË VETME, siç ka qenë dukuri në të kaluarën”, thuhet në reagim, transmeton Telegrafi.
Më tej thuhet se “humbja NETO e raportuar në pasqyrat financiare të vitit 2021, në vlerë mbi 10 milionë €, është rezultat i paraqitjes në pasqyra financiare të Vendimit të Arbitrazhit në rastin me DARDAFON-in në vlerë mbi 13.4 milionë €, vendim ky i pranuar në vitin 2022, ndaj të cilit do të shfrytëzojmë çdo rrugë të mundshme për ta kundërshtuar si vendim të padrejtë dhe skandaloz. Paraqitja e vendimeve të tilla në pasqyra financiare është obligim sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit”
“Ngarkimi i periudhës së vitit 2021 me këtë kategori të shpenzimeve nuk është rezultat i operimeve të vitit 2021, e as i viteve 2020 apo 2019. Efektet e këtij vendimi gjenezën e kanë në vitin 2009, kur është nënshkruar kontrata më e dëmshme jo vetëm në historinë e Telekomit por të gjithë Kosovës, që nga paslufta”, thuhet në reagim.
Telekomi ka prezantuar një tabelë të gjitha kategorive të hyrave dhe shpenzimeve që lidhen me aktivitetin e rregullt afarist të Telekomit për vitet 2019, 2020 dhe 2021.