Kosova po braktiset nga popullsia e saj, madje nga ajo më vitalja. Nga Kosova po shpërngulen për në vendet e Perëndimit të rinjtë e papunë, infermierët dhe mjekët, ndërtimtarët, shërbyes të shumtë të të gjitha shërbimeve thuajse, të rinjë me diploma të teknologjisë informative aq të kërkuar në Perëndim, inxhinierë të profileve të ndryshme, arkitektë etj.
Mehmet GJATA
“Kosova po zbrazet”, “Kosova po braktiset nga popullsia më vitale e saj”, “Së shpejti shumë veprimtari në Kosovë do të mbesin pa punëtorë“, “Mungesa e punëtorëve do t’i detyrojë hotelet e restorantet që të mbyllen”, këta janë titujt që ka disa muaj që po i hasim në vazhdimësi në mediet kosovare, në rrjetet sociale dhe në ato vizuele. Dhe tekste të këtilla paralajmëruese me shifra të besueshme dhe të pabesueshme edhe aq, por gjithsesi alarmuese, të ikjes nga Kosova tani janë bërë goxha tronditëse dhe shqetësuese jo vetëm për demografët, por edhe për statistikanët e rëndomtë, pronarët e kompanive prej më të ndryshmeve, familjarët dhe zyrtarë të shumtë të ndërgjegjshëm për peshën e problemit.
Tani së fundi, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, ka deklaruar për mediet kosovare se “në shtator, hotele, restorante e kafene të shumta ka mundësi të mbyllen detyrimisht për shkak të mungesës së punëtorëve”.
“Nëse vazhdon me këtë trend jo veç që kemi me pasë problem me mungesë të numritë të punëtorëve por edhe me mbyllje të bisneseve. Ndoshta, situata do të jetë shumë ma keq nga shtatori. Në biseda me pronarë hotelesh e restorantesh, ata thonë se po e presim mërgatën, ndërsa nga shtatori më nuk i dihet se a do punojmë, apo jo”, ka rrëfyer Sogojeva.
Po të mbështetemi në shifrat e kosovarëve që kanë ikur nga vendi në këta muaj të 2022-tës, të raportuara nga mediet dhe nga institucione që kanë për detyrë të vëzhgojnë dhe të merren me lëvizjet demografike, sado që këto shifra nuk janë plotësisht të sakta, rrëfimi i Sogojevës përmban shumë parashikime reale, sado të dhimbshme dhe tronditëse qofshin ato.
Sepse Kosova po braktiset nga popullsia e saj, madje nga ajo më vitalja. Nga Kosova po shpërngulen për në vendet e Perëndimit të rinjtë e papunë, infermierët dhe mjekët, ndërtimtarët, shërbyes të shumtë të të gjitha shërbimeve thuaja se, të rinjë me diploma të teknologjisë informative aq të kërkuar në Perëndim, inxhinierë të profileve të ndryshme, arkitektë etj. Ata po shkojnë, ose po ia mësyjnë Gjermanisë, Zvicrës, Italisë, shteteve të Beneluksit, atyre Skandinave, pa zgjedhur shumë dhe pa menduar edhe aq.
Në rastin e parë, ku u jepet mundësia dhe ku grishën më shumë, aty i ke të rinjtë tanë, para sporteleve të ambasadave të këtyre shteteve, në pritje të një interviste, bisede apo evidentimi për vizën e premtuar dhe të ëndërruar nga ta. Dhe tashmë, ka goxha do kohë dhe muaj që ata po joshen në mënyrat më të ndryshme atraktive nga punëdhënësit, agjencitë përkatëse dhe sekserët e angazhuar nga pronarë të pafund të kompanive e ndërmarrjeve nga këto shtete.
Po vijnë premtime legale dhe sosh jo edhe aq legale, gjithnjë e më shumë, për vende të mundshme të punës, për pagat shumëfish më të leverdishme se këto këtu në Kosovën e varfër, për kushtet e tjera komode dhe tërheqëse për kosovarët që me vjet kanë pritur për një vend pune, për një pagë dhe ca kushte modeste dinjitoze pune.
Joshja nga punëdhënësit perëndimor ka shkuar aq larg sa në fillim të këtij viti kanë dalë punëdhënës nga shtetet që kanë nevojë për shumë krah pune, që po paguajnë shuma të caktuara parash vetëm për të shkuar në intervista e biseda. Më nuk po duken edhe aq irrituese diplomat e ballkanasve, pra as ato të kosovarëve, që dikur as që denjonin t’ua hidhnin sytë. Tani këto shtetet kanë nevojë të madhe për punëtorë, dhe për shumë profile, dhe prandaj, kriteret për përzgjedhjen e tyre, janë zbutur, madje edhe si të tilla, po përfillen dosido, sa për të thënë. Prandaj, shifrat për të ikur nga Kosova, duhet pranuar, po bëhen gjithnjë e më tronditëse.
Siç raportojnë mediet kosovare, 105.601 qytetarë të Kosovës vetëm gjatë dy muajve, më saktësisht në dhjetor 2021 e janar 2022 (në dhjetor të vitit 2021 kanë aplikuar 56 mijë e 639 kosovarë e në janar të 2022-tës, 48 mijë e 962 veta ), kanë aplikuar për vizë punë në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë. Ndërkaq, edhe një numër i madh i qytetarëve kanë aplikuar në ambasada të tjera. Të gjithë këta aplikues e theksojnë se këtë po e bëjnë në kërkim të një jete më të mirë e page më të dinjitetshme.
Ata, madje shprehen se kanë më shumë se dy vjet që presin për një vizë pune.
“Vetëm gjatë vitit 2021 Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka lëshuar 20 mijë e 259 viza”, raportojnë mediat.
Këto shifra, të ikanakëve potencialë nga Kosova, gjithsesi nuk janë të vetmet, ka edhe më shumë numra të atyre që duan të ikin, edhe ilegalisht, edhe nëpërmjet garancioneve që ua dërgojnë të afërmit gjithandej nga këto vende dhe të atyre që kanë viza të mëhershme dhe që vetëm përkohësisht janë kthyer në vendlindje.
Në fund të këtij viti, numri i kosovarëve të ikur mund të arrijë nga 50 deri 60 mijë persona, kanë vlerësuar njohësit e lëvizjeve demografike këtu. Këto shifra përbëjnë popullsinë e një qyteti mesatar të Kosovës.
Por, këto shifra mund të jenë vetëm parashikime, të ikurit nga Kosova mund të jenë shumë më shumë. Por për ta saktësuar numrin e kosovarëve që lënë atdheun e tyre, duhen statistika të sakta nga institucionet e shtetit, që fatkeqësisht Kosova nuk i ka këto statistika, ose i ka fare të përcipta dhe si të tilla jo edhe aq relevante.
Sidoqoftë, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se vetëm vitin e kaluar kanë emigruar 42 mijë e 728 persona nga Kosova. Njohësit e lëvizjeve demografike këmbëngulin se janë shumë më shumë se kaq.
Dyndje e madhe e popullatës nga Kosova parashihet nëse gjatë këtij viti ndodhë të bëhet liberalizimi i vizave edhe për kosovarët, që janë të vetmit në Europë pa të drejtën e lëvizjes së lirë, që është ndër të themeloret e të drejtave të njeriut. Por, për ikjen e madhe të kosovarëve që parashihet të ndodhë gjatë këtij viti flasin edhe plotë të dhëna të tjera, sikundër që këto të dhëna flasin për pasojat e mundshme ekonomike, shoqërore dhe mbi të gjitha kombëtare, që do të kenë këto ikje.
“Është fiasco, humbje e madhe që brenda një viti Kosovën e vogël dhe të varfër të lëshojnë 400 mjekë sa flitet ta kenë lëshuar këtë vend vitin e kaluar” , i ka thënë Buletinit Ekonomik një mjek i njohur në vend, me vite në pension.
Këto shifra janë rreziku që duket tejet transparent dhe do të duhej të jetë alarm që autoritetet zyrtare të bëjnë diçka që ta ndalojnë ikjen e mjekëve, “trurit” të Kosovës në përgjithësi. Kosova ka investuar shumë që të shkollojë 400 mjekë, dhe tani kaq lehtësisht t’i lë të ikin udhëve të botës. Shteti duhet të dijë t’i bindë ata që të qëndrojnë në vendin e tyre, qoftë me rroga më të mira, me kushte apo me benefite të tjera.
“Sado të kushtojnë ata këtu, për shtetin do ta kenë koston shumë më të lirë se sa të dërgojë të sëmurët në shërim jashtë vendit në mungesë të mjekëve këtu”, ka vlerësuar mjeku i moshuar.
Luan Shllaku, një njohës i mirë i zhvillimeve energjetike në vend dhe ambientalist me përvojë shumëvjeçare, këto ditë në një television të Kosovës vuri në dukje një fakt shqetësues dhe tronditës dhe me ndikim evident në zhvillimet e ardhshme të vendit.
Shllaku tha se në Kosovë qe 20 vjet nuk ka inxhinierë të rinj të elektroteknikës, dhe sipas tij, pavarësisht projekteve që mund të ketë në Kosovë për zhvillim në fushën e termoenergjetikës, nuk ka dhe nuk do të ketë staf që punon për to. Ai thotë se në Koaovë nuk ka pasur kuadro për elektroteknikë dhe qe 20 vjet, pasi sipas tij, nuk ka pasur nxënës që kanë konkurruar në këtë drejtim.
“Ne mund t’i gjejmë paratë të ndërtojmë impiantin më modern për prodhimin e energjisë elektrike, por nëse nuk kemi njerëz të punojmë, bëhet i pamundshëm operimi. Duhet të shohim ku jemi, nëse duam të vazhdojmë me termoenergjetikë, kush do të punojë. Një pjesë e stafit që gjenden në Kosova A dhe B janë duke u pensionuar dhe nuk po shoh që një staf i ri po vjen. Ai staf që duhet t’i ndërtojë konceptet zhvillimore të reja që janë inxhinierë të ri të elektroteknikës nuk ekziston, që 20 vjet nuk konkurrojnë në elektroteknikë”, ka thënë ai.
Por, duhet shtuar edhe ata të rrallët që po shkollohen në këtë fushë, me të mbaruar studimet po ia mësyjnë botës. Po joshen nga rrogat disa herë më të mëdha se në vendin e tyre.
Sipas ASK-së gjatë vitit 2021, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 14 mijë e 391 persona, ndërkohë që vitin e kaluar (2021), kanë emigruar 42 mijë e 728 persona. Po sipas ASK-së, popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar – 31 dhjetor 2021, u zvogëlua për -24 mijë e 215 banorë. Në këtë mënyrë po ndodhë tkurrja e madhe e popullsisë në Kosovë.
“Vlerësimi i numrit të popullsisë është domosdoshmëri, praktikë dhe standard, që kërkohet të bëhet çdo vit nga institucionet zyrtare të statistikave të një vendi. Kjo, për faktin se në periudhën ndërmjet dy regjistrimeve (periudhë dhjetëvjeçare) ndodhin ndryshime të theksuara në popullsinë e një vendi, komune a vendbanimi”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Në Kosovë, siç po shihet, ndryshime të ndjeshme po ndodhin brenda vitit, e mos të flasim brenda 10 vjetëve ndërmjet dy regjistrimeve të popullsisë. Por, këto ndryshime të lëvizjeve të popullsisë duhet evidentuar, madje sa më saktësisht që është e mundur. Kjo punë deri më tash nuk është bërë siç duhet, as përafërsisht. Bartja e Agjencisë së Statistikave të Kosovës në Zyrën e Kryeministrit, që u bë në një nga mbledhjet e fundit të Qeverisë ndoshta do të përmirësojë punët rreth grumbullimit dhe evidentimeve statistikore në vend. Problemi i shkaktuar nga dyndjet kaq masive të popullisë në Kosovën e vogël, të varfër dhe akoma të brishtë në procesin e shtet-krijimit, nuk është fare i vogël dhe si i tillë nuk duhet në asnjë çast të mbetet i papërfillshëm nga institucionet e shtetit. Sepse, Kosova me këtë trend të braktisjes së vendit nga pjesa më vitale e popullsisë dhe me këtë vrull të kërkesave aq të numërta për të ikur një orë e më parë nga vendi, rrezikon së paku të mbetet pa punëtorë të nevojshëm dhe të domosdoshëm në shumë veprimtari dhe lëmi të zhvillimit ekonomik të vendit.
Problemi i tkurrjes numerike të popullsisë në mbarë vendin, pastaj është çështje tjetër dhe problem i mprehtë në vete. Diçka duhet të ndërmerret për të zbutur këtë problem. Këtë po e kërkojnë të gjithë. /Buletini Ekonomik/