Si u kthye në pikën zero rasti gjyqësor mes Telekomit dhe kompanisë Dardafon?

Viti 2009 shënon kohën kur ishte lidhur marrëveshja e parë mes ndërmarrjes publike “Telekomi i Kosovës” dhe operatorit privat “Dardafon.net”. Kjo marrëveshje që nga fillimi ishte cilësuar si e dëmshme, dhe vlerësohet se e njëjta edhe e kishte futur në krizë financiare ndërmarrjen. Kontrata në fjalë kishte zgjatur gjithsej 10 vjet, deri në korrik të vitit 2019, kur Bordi i Telekomit kishte marrë vendim për shkëputjen e plotë të saj, pas shumë padive e kundër padive që kishin ushtruar të dyja ndaj njëra tjetrës. Buletini Ekonomik më poshtë sjell një përmbledhje të të gjithë procesit, nga lidhja e marrëveshjes deri te kthimi në pikën zero të këtij rasti gjyqësor…

Mirjeta Shabani

Marrëveshja që ishte nënshkruar në janar të vitit 2009 mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Dardafon.net LLC”, ishte konsideruar vazhdimisht si një kontratë e dëmshme, e cila, përveç tjerash, vlerësohet se e kishte futur edhe në krizë financiare Telekomin e Kosovës atëkohë.

Kontrata e nënshkruar mes palëve, i mundësonte Dardafonit (Z Mobile) të përdorte infrastrukturën e Telekomit të Kosovës për të operuar si biznes.

Reklama e sponzorizuar

Kontrata në fjalë kishte zgjatur gjithsej 10 vjet, deri në korrik të vitit 2019, kur Bordi i Telekomit kishte marrë vendim për shkëputjen e plotë të saj.

Por, problemet mes dy palëve kishin nisur që në vitin 2016, kur Z-Mobile kishte ngritur padinë e parë kundër Telekomit në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit (GJNA), me pretendimet për mosrespektim të marrëveshjes bazë nga ana e ndërmarrjes publike.

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, po në atë vit (2016), kishte vendosur në favor të Dardafonit dhe e kishte obliguar Telekomin e Kosovës që të paguante dëmshpërblimin ndaj kompanisë Dardafon në vlerë prej 31 milionë e 178 mijë e 920 eurove.

Më pas, Telekomi dhe Dardafon kishin lidhur Marrëveshjen për Ekzekutim të Vendimit të Arbitrazhit me datën 24.05.2017, sipas së cilës, Telekomi duhej të hiqte dorë nga inkasimi i 27% të të hyrave nga Dardafon deri me 31.12.2023, ndërsa Dardafon kishte tërhequr propozimin për ekzekutim të datës 07.03.2017.

Tutje, me datë 26.04.2018, Dardafoni përmes një shkrese zyrtare kishte dërguar njoftim në Telekom për shkëputje të Marrëveshjes për Ekzekutim të Vendimit të Arbitrazhit.

Më pastaj, Dardafon kishte iniciuar edhe procedurën për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilin kjo gjykatë e kishte njohur/shpallur të ekzekutueshëm më datën 11.02.2019. Kurse, më datë 15.07.2019, Përmbaruesi privat i angazhuar nga Dardafon, kishte lëshuar Urdhërin për përmbarim, por ndaj këtij urdhëri me datën 18.07.2019, Telekomi kishte parashtruar prapësim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Telekomin e Kosovës për vitin 2021, ku shpalosen detaje të këtij rasti gjyqësor, me datë 17.11.2020, Telekomi dhe Dardafoni kishin lidhur marrëveshjen për pagesën e borxhit si rezultat i procedurës përmbarimore të datës 15.07.2019, për përmbarimin e propozuar nga kompania “Dardafon” lidhur me vendimin përfundimtar të Arbitrazhit.

Borxhi i mbetur sipas kësaj marrëveshjeje ishte 17,281,142 euro, i cili do të duhej të paguhej në 24 këste mujore. Kësti mujor që duhej të paguhej nga Telekomi ishte 720 mijë e 48 euro gjithsej, shtuar kësaj edhe 7% kamatë vjetore dhe shpenzimet e përmbarimit.

Megjithatë, në bazë të kërkesës së Telekomit lidhur me kushtetutshmërinë e Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, (CML Nr.12/2020, të datës 20.01.2021), Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin e datës 17.12.2021 (KI 84/21), e kishte shpallur të pavlefshëm aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, dhe po ashtu dhe aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, (Ac.nr.3610/20, të dt.20.10.2020), duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Në rigjykim, Gjykata e Apelit me aktvendimin e datës 07.02.2022 kishte aprovuar ankesën e Telekomit të Kosovës, duke anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, (PPP.nr.1486/19,) dhe duke e kthyer rastin në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.

Vlen të ceket se Telekomi pranë Gjykatës së Apelit kishte kërkuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurimit për pezullimin e përmbarimit, mirëpo gjykata nuk kishte vendosur lidhur me këtë kërkesë duke deklaruar që i mbetet gjykatës së shkallës së parë që të vendoste lidhur me propozimin në fjalë.

E Gjykata e shkallës së parë akoma nuk ka caktuar seancën e shqyrtimit për rigjykim të rastit. Kështu, deri në fund të vitit 2021, borxhi i mbetur i Telekomit lidhur me këtë marrëveshje, ishte 8 milionë e 808 mijë e 128 euro.

 Rasti i dytë në arbitrazh mes Telekomit dhe Dardafon

Kompania Dardafon.net edhe në vitin 2019, kishte iniciuar një arbitrazh të dytë ndaj ndërmarrjes së Telekomit.

Vlera e kërkesë padisë në këtë rast sipas Dardafon-it, ishte rreth 50 milionë euro, dhe i referohej sërish mos vazhdimit të Marrëveshjes Bazë për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (MVNO) dhe mos ofrimit të disa shërbimeve gjatë periudhës së Marrëveshjes bazë.

Në bazë të kësaj, Gjykata e Arbitrazhit me datë 18.02.2022 kishte vendosur sërish në favor të Dardafon-it dhe borxhi që Telekomi obligohej ta pagaunte sipas këtij vendimi, ishte 13,466,089€ përfshirë kamatat ndëshkuese.

Kjo rëndon edhe më tej gjendjen e vështirë financiare të ndërmarrjes, pasi sipas Auditorit të Përgjithshëm, rrjedha neto e parasë vazhdon të jetë negative edhe për vitin 2022.

Kësti i lartë mujor të cilin Telekomi gjatë vitit 2021 ishte i obliguar t’ia paguante Dardafonit, e kishte pamundësuar edhe pagesën e Obligimeve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Trustit Pensional.

Si rezultat, obligimi ndaj ATK-së ishte rritur në vazhdimësi që së bashku me obligimin e bartur para vitit 2021, tani ka arritur vlerën prej 12,727,748€. E kësti mujor që duhej t’i paguhej ATK-së, ishte 170,000 euro në bazë të marrëveshjes.

Vlen të theksohet se më 2021, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte aprovuar një kërkesë të Telekomit për mbështetje financiare në vlerë 10,000,000€ për mbulimin e obligimeve që kishte edhe ndaj ARKEP-it. Sipas Auditorit, nëse nuk do të ishte mbështetja e Qeverisë, Telekomi rrezikonte edhe Licencën e operimit – tërheqjen e të drejtës për shfrytëzim të resurseve frekuencore në brezin 900 MHz dhe 1800 MHz.

Ndryshe, Telekomi i Kosovës ka pësuar humbje operative në vlerë të 10 milionë e 829 eurove vetëm gjatë vitit 2021 (më 2020: 18,727,000€). Kështu, ndërmarrja në fjalë edhe vjet e ka vazhduar trendin e operimit me humbje për të shtatin vit me radhë dhe humbjet e akumuluara deri më 31 dhjetor 2021 ishin në vlerë të 76 milionë e 264 mijë eurove. Po në këtë datë, detyrimet rrjedhëse tejkalonin pasuritë aktuale të ndërmarrjes për shumën prej 52 milionë e 605 mijë eurove.

Në fund të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur edhe për shlyerjen e dividentës së deklaruar prej 15 milionë eurove për Telekomin. /Buletini Ekonomik/