Të gjithë zyrtarët dhe autoritetet e vendit e kanë pasur të ditur se edhe të hënën do të mungojë energjia elektrike që do ta prodhonte B2-shi dhe A3-shi, sikundër që kanë qenë të njoftuar se konsumi i Kosovës në këto ditë ka kërkesa për rreth 750 megavatë-orë energji elektrike. Pse deri në mbrëmje nuk u kujtua dikush të kërkojë borxhin nga KESH-i, ose një sasi të vogël nga energjia elektrike e deponuar në KESH (mbi 121 mijë megavatë-orë), për ta pasur për “ditë të zeza”?
Mehmet GJATA
Situata elektroenergjetike në Kosovë, kjo e djeshmja (ditë e hënë, 15 korrik) dhe e sotmja, me mungesë të 240 megavatë-orëve për të plotësuar nevojat e konsumit të vendit në verë, në muajin gusht më konkretisht, që është diku rreth 750 megavatë-orë, bëhet problematike dhe e diskutueshme, ngase, praktikisht e gjitha ka qenë e ditur saktësisht paraprakisht.
Është ditur, pra, se gjatë muajve të verës dhe vjeshtës të gjitha blloqet e termocentraleve aktuale të Kosovës do të shkojnë një nga një në remonte dhe në revizione teknike të planifikuara 20, 25 dhe nga 30 ditëshe, ndërsa në bllokun A5 të Kosovës A, është planifikuar që sivjet të bëhet remonti kapital që do të zgjatë saktësisht 3 muaj, gjegjësisht diku deri më 30 nëntor.
Dihet pokështu, sa janë kapacitetet e gjeneratorëve të Kosovës A, tre blloqeve që operojnë akoma (A3, A4 dhe A5), sikundër që dihet sa prodhon gjithsej termocentrali Kosova B, me të dyja blloqet (B1 dhe B2).
Ndërkohë, do të duhej të ishin të informuar, domosdo zyrtarët kompetentë, se që nga korriku ka filluar remonti i planifikuar në blloqet e termocentraleve, me radhë, njëri pas tjetrit. Pra, saktësisht, të gjitha ata që merren me vrojtimin e zhvillimeve energjetike dhe, sidomos ata, zyrtarët që e kanë edhe obligim edhe detyrë për ta ditur saktësisht gjendjen elektroenergjetike në çdo kohë, e kanë pasur të njohur të dhënën se më 15 gusht, në remont gjendet blloku B1 i Kosovës B (që nga 7 gushti ky kapacitet prodhues gjendet në remont, dhe remonti i tij është planifikuar të zgjatë deri më 27-29 gusht), dhe njëri bllok i Kosovës A, përkatësisht A5-shi (në remont kapital, që do të thotë A5 do të jetë jashtë prodhimit së paku 3 muaj).
Dhe, pokështu, dihet se B2-shi e ka kapacitetin e prodhimit efektiv diku rreth 240-260 megavat-orë, (më saktësisht B1 sikundër edhe B2 kanë kapacitetin në gjenerator 300 megavatë-orë, ndërsa kapaciteti i tyre veç e veç në rrjet është 260 megavatë-orë. Ndërsa, te A5 kapaciteti në gjenerator është 150 dhe në rrjet 130 megavatorë. Këto janë kapacitetet aktuale në termocentralet Kosova A, tashmë e stër-stërvjetëruar dhe në Kosovën B- të vjetëruar bukur shumë. B-ja, siç dihet, ka nisur prodhimin më 1979.
Pra, të gjithë e kanë pasur të ditur se edhe të hënën ka munguar energjia elektrike që do ta prodhonte B2-shi dhe A3-shi, sikundër që kanë qenë të njoftuar se konsumi i kosovës në këto ditë ka kërkesa për rreth 750 megavatë-orë energji elektrike. Është ditur, pokështu, mediet së paku gjatë korrikut dhe gushtit disa herë kanë njoftuar për bilancin e shkëmbimit energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Dhe, sipas këtij bilanci, KEK i ka dhënë KESH-it rreth 121.700 MËh, që i bie se KEK-u këtë sasi të energjisë elektrike e ka deponuar në KESH, për ta pasur për “ditë të zeza”. Por, të hënën që shkoi, me 15 gusht 2022, zyrtarët ishin të parët që harruan të gjitha këto fakte në zhvillimet elektroenergjetike kosovare, pastaj ngarendën të bëhen histerik deri në averzion edhe KESCO, KEDS, KEK-u (më i rezervuar), ZRRE.
U bë drama, tragji-komedi, me rrymën e munguar dhe kaherë të ditur që do të mungojë nga regjisorët e sipërpërmendur. Dramatike, gjithsesi, u bë edhe gjendja me aplikimin e reduktimeve 2 orë pa rrymë dhe 6 me të, në pik të verës, por të gjitha faktet kanë folur dhe treguar se e gjithë kjo do të ndodhë saktësisht siç ndodhi të hënën, pastaj bëhet e diskutueshme pse gjithë ky dramaticitet dhe pse dramës i prijnë pikërisht fajtorët për gjendjen e krijuar elektroenergjetike të hënën.
Janë fajtorë pra, për gjendjen aktuale elektroenergjetike në rend të parë Qeveria, qeveritarët dhe ministria kompetente që ka për detyrë të përkujdeset dhe të sigurojë rrymën për shtetasit e vet, KESCO, që bëhet agresive dhe shantazhuese në kërkesat e saja për të ngritur çmimet e rrymës vazhdimisht, sikundër që edhe këtyre ditëve që po kërkon dyfishimin e çmimit të energjisë elektrike, çmim ky që u ngritë ndjeshëm në shkurt të këtij viti dhe që as që lodhet për të siguruar energjinë elektrike që mungon dhe që e ka detyrë dhe obligim, është fajtor edhe KEK-u, që eksporton miliona euro energji (saktësisht rreth 74 milionë euro deri në korrik) dhe që nuk dihet sa çka bëhet me këto para dhe që nuk kërkon me kohë kthimin e huas-borxhit, ose të energjisë së deponuar në KESH, për ta evituar krizën e mungesës së 240 megavat-orëve të rrymës, pastaj fajtore është edhe ZRRE-ja, gjithnjë e mirëkuptueshme për kërkesat e KESCO-së për çmime të reja të ngritura. Por, mbi të gjitha janë fajtorë autoritetet dhe zyrtarët e Kosovës, Qeveria dhe ministria që e ka detyrë dhe obligim furnizimin e kosovarëve me energji të bollshme elektrike.
Të gjithë këta u treguan edhe njëherë manaxhues të këqinj të zhvillimeve energjetike, krizës së rikrijuar nga një mungesë jo edhe aq e madhe sa të jetë e paarritshme që të tejkalohet.
Gjendja e pakëndshme elektroenergjetike e krijuar të hënën, ngjanë jo pak në njëfarë krize të shkaktuar thuaja sikur dikush e deshti atë dhe me papërgjegjësinë e skajshme të KESCO-s, KEDS-it, KOSTT-it, KEK-ut dhe gjithsesi, mbase më së shumti, me papërgjegjësinë e qeveritarëve, me paaftësinë e tyre për të ndërmarrë ndonjë masë për të tejkaluar, ose së paku për të zbutur mungesën e rrymës, për të parandaluar terrin në muajt e verës, qoftë me sigurimin e energjisë nga kapacitet prodhuese vendore, qoftë me sigurimin e rrymës nga importi, edhe me çmime të larta.
Të hënën ishte fare e pakuptueshme gjakftohësia e autoriteteve dhe ngarendja e tyre për të aplikuar reduktimet, sado që dihej se 200-300 megavatët e munguar nuk ka qenë e pamundur të sigurohen qoftë edhe nga importi me çmime në stratosferë. Me fjalë të tjera, edhe pse sigurimi i energjisë elektrike për konsumin e vendit, edhe verës edhe dimrit, është kompetencë, detyrë dhe obligim i akterëve të sipërpërmendur, asnjëri nga ta, praktikisht nuk bënë asgjë, as të hënën, as deri të hënën, asnjë veprim të vetëm sivjet as për ta zbutur mungesën e energjisë elektrike, as për të shtuar prodhimin nga kapacitetet vendore.
Sivjet, sado që u zotuan për disa projekte të energjisë së rinovueshme, asgjë deri më tani nuk është bërë edhe për t’u nisur ndonjëri nga kapacitetet e reja nga burimet e energjisë së rinovueshme. Kosova, pra, sa i përket kapaciteteteve prodhuese të energjisë elektrike, ka mbetur aty ku ka qenë, aty ku ishte në fund të vitit të kaluar, kur u përfshi nga kriza e egër energjetike: me tre blloqe të termocentraleve Kosova A (A3, A4 dhe A5) dhe me dy blloqe të Kosovës B (B1 dhe B2) me gjithsej rreth 1. 000 e ca megavatë si dhe me diku rreth 200 megavatë-orë energji nga burimet e ripërtëritshme (kapacitetetet prodhuese në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës me diku rreth 140 megavatë-orë bashkarisht dhe me dhjetëra megavat-orë nga minihidrocentralet e Kosovës).
Prandaj, duhet të ritheksohet se në këta muaj, dhe as të hënën, nuk ka ndodhë ndonjë befasi, apo ndonjë defekt teknik i papritur në kapacitetet prodhuese të vendit. Thuaja të gjitha ecuritë janë zhvilluar sipas parashikimeve. Por siç po shihet, asnjë masë të vetme nuk e kanë ndërmarrë për tejkalimin e gjendjes.
Qeveritarët dhe ministritë përkatëse dhe kompetente për të siguruar energjinë e mjaftueshme për konsumin e Kosovës, janë mjaftuar me thirrjet për kursim të energjisë, për fajësime të parreeshtura për dështime 20 e sa vjeçare në energjetikë të qeverive paraprake dhe për ta gjetur jo pak fajin edhe te kriza globale energjetike dhe çmimet super të larta të importit. Kriza globale, nuk do të duhej të ishte ndonjë pengesë për të zvogëluar paksa humbjet komerciale (të shkaktuara nga vjedhjet) dhe humbjet teknike të kompanisë KEDS, të cilat sipas Ministrisë së Ekonomisë, vazhdojnë të jenë rreth 19%, e të cilat ende mbulohen nga të gjithë, pra nga prodhimi ose importi, e jo nga vet KEDS-i.
Qeveria aktuale, duhet thënë, nuk i ka përbushur as obligimet e premtuara të subvencionimit të importit ndaj KESCO-s në shumën prej 100 milionë eurove, të zotuara që në krizën e madhe elektroenergjetike që kishte përfshirë Kosovën në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti. Dhe, tani, kjo shumë parash që Qeveria ia ka borxh KESCO-s, po i shërben si alibi goxha e fuqishme për të kërkuar ngritje të reja çmimesh, madje dyfishim të atyre ekzistueseve, edhe ashtu shumë të larta, pas tarifave të ngritura më 9 shkurt të këtij viti.
Pavarësisht të gjitha problemeve dhe pengesave ligjore, siç po dëgjohen disa aryetime, nëpër zyrat e ministrive të Qeverisë së Kosovës, paratë e zotuara për subvencionimin e importit të energjisë elektrike në rast të nevojës së konsumit të Kosovës për sasi të shtuar të rrymës, nuk kanë qenë të pamundura të realizohen. Që nga shkurti, edhe po qe se ka pasur ndonjë pengesë ligjore, ka pasur edhe kohë edhe mundësi të tejkalohet ajo ligjërisht, dhe me kohë. Dhe, jo të mbetet i papërmbushur ky zotim, duke i dhënë kështu shkas dhe pretekst KESCO-s për kërkesa të reja për të dyfishuar çmimin aktual të rrymës (të rritur shumë, pokështu në shkurt të këtij viti) dhe për të shantazhuar qytetarët e Kosovës me reduktime në pik të verës.
Në mesin e gushtit, në pikun e verës pra, Kosova e futi veten në krizë të re elektroenergjetike, sado që pati mundësi reale të evitojë këtë krizë që iu ringjallë nga rishfaqja e reduktimeve, thjeshtë, ose duke blerë 250 e ca megavatë –orët të munguara, ose duke kërkuar rikthim të borxhit-huas, ose të deponimit të energjisë së vet të bërë në KESH. Deponimi është bërë në bazë të marrëveshjeve që kaherë janë në fuqi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për këmbim të rrymës në rast të nevojave dhe në rast të tepricave të rrymës në të dy sistemet elektroenergjetike. Natën, gjithmonë Kosova me fare pak kapacitete industriale dhe fabrika, ndodhë të ketë teprica goxha të mëdha, ndërsa Shqipëria gjithnjë në muajt e verës ka nevojë për energji shtesë për shkak të uljes së nivelit të ujërave në Kaskadën e Drinit. Prandaj, nuk do të ndodhte “fundi i botës’ po të kërkohej rikthimi i borxhit nga KESH-i, që në rastin kur ka munguar energjia elektrike te KESCO, ose edhe të importohej, pa marrë parasysh çmimin në tregjet aktuale të energjisë elektrike.
Nuk është pak sasia e rrymës prej mbi 120 mijë megavatësh, dhe duhet goxha një kohë e gjatë që të konsumohet kjo sasi duke e rikthyer atë nga 250 e sa megavatë-orë. Këto lehtësisht mund të llogariten dhe të kalkulohen në bilancet elektroenergjetike të dy vendeve. Në këtë mënyrë do të evotoheshin reduktimet, dhe sinjalet e para të shpërfaqura si jo fare rastësisht për krizë të re elektroenergjetike në Kosovë.
Të hënën, të gjithë, KEDS-i, KESCO e KOSTT-i, por edhe autoritetet, kanë alarmuar se “dimri i këtij viti do të jetë mjaft sfidues për shkak të krizës energjetike botërore, pamundësisë që vendi të përmbushë nevojat e tij me prodhimin e brendshëm të energjisë elektrike dhe çmimeve të larta të importeve”. Por, askush nga këto subjekte, as nga zyrtarët e vendit, nuk e tha një fjalë të vetme se si do ta sfidojnë dimrin frikësues për nga zhvillimet energjetike, edhe pse të gjitha këto i kanë pasur tash e një kohë të gjatë të njohura, të tëra sfidat elektroenergjetike të pritshme.
Shkurt, që vjet, në kohën e krizës elektroenergjetike të madhe kanë qenë të ditura vështirësitë konkrete me të cilat do të përballet Kosova dimrin që vjen, dhe dimrat e tjerë në vazhdim. Dhe, s’do mend se është e qartë fare se nëse vazhdojmë edhe më tutje vetëm të bëjmë “sehir” dhe të vëshgojmë se ç’po ndodh, sikundër deri tash, reduktimet e energjisë dhe faturat e shtrenjta do të godasin secilën familje kosovare e secilin biznes – prodhues, tregtar e shërbyes. Do të ketë krizë të re elektroenergjetike edhe më të egër se në dimrin e kaluar dhe do të ketë pasoja edhe më të rënda se ato që i përjetoi Kosova në këtë periudhë. Nuk duhet, prandaj, të ri-pritet të rindodhë kriza, dhe të mbetemi në terrin që se do askush.
Detyrat dhe masat konkrete për ta kompenzuar energjinë që do të mungojë gjatë dimrit do të duhet të konkretizohen që tani, sikundër që do të duhej të saktësohen bartësit e zbatimit të këtyre detyrave dhe masave të parapara. Gjithsesi, do të duhej të ishin të gatshme edhe ligjërisht subvencionimet eventuale që do të parashihen, dhe kordinimi me prodhuesit dhe shpërndarësit e energjisë elektrike. Ndryshe, kriza, në muajt në vazhdim vetëm do të vijë duke u thelluar. Do të thellohet dhe do të bëhet shumë e egër kriza me rritjen dyfish të çmimeve aktuale të energjisë elektrike, sa ka kërkuar KESCO. /Buletini Ekonomik/