Gjigandi amerikan i automjeteve Ford konfirmoi të hënën se do të shkurtojë rreth 3,000 vende pune, kryesisht në Amerikën e Veriut dhe Indi, pasi kompania po përpiqet të përshpejtojë tranzicionin e saj drejt automjeteve elektrike.
Të sfiduar nga Tesla dhe start-upe, prodhuesit tradicionalë të makinave kanë përshpejtuar prodhimin e modeleve të tyre elektrike vitet e fundit.
Ristrukturimi përfshin 2,000 pozicione me rrogë dhe 1,000 kontraktorë kryesisht në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Indi, por nuk prek punëtorët e fabrikës, tha një zëdhënës për AFP.
Mediat amerikane kishin raportuar tashmë në korrik se Ford, i cili ka rreth 182,000 punonjës në mbarë botën, po përgatitej të shkurtonte disa mijëra vende pune.
“Ne kemi aftësi që nuk funksionojnë më… dhe kemi punë që duhen ndryshuar”, tha presidenti dhe CEO Jim Farley, pa specifikuar numrin e pozitave që do të eliminohen.
Prodhuesi i automjeteve ka thënë më parë se planifikon të shpenzojë 50 miliardë dollarë për prodhimin e automjeteve elektrike deri në vitin 2026.
Dhe Ford njoftoi në mars se synonte të shkurtonte shpenzimet për automjetet tradicionale deri në 3 miliardë dollarë në vit.
Shkurtimet e vendeve të punës të shpallura të hënën janë “në përputhje me atë që kemi përshkruar për shumë kohë” dhe synojnë ta bëjnë Ford “më efikas”, tha zëdhënësi./ AFP