Gjermania miraton masat për kursimin e energjisë në dimër

Qeveria gjermane ka miratuar një sërë masash për kursimin e energjisë gjat dimrit, të cilat do të kufizojnë përdorimin e ndriçimit dhe të ngrohjes në ndërtesat publike.

Qeveria synon të ulë përdorimin e gazit me 2% nëpërmjet këtyre rregullave të reja.

Ministri i Ekonomisë në Gjermani tha se rregullat mund t’i kursejnë familjeve, kompanive dhe sektorit publik rreth 10.8 miliardë euro përgjatë dy viteve.

Reklama e sponzorizuar

Këto masa janë pjesë e përpjekjeve për të reduktuar varësinë e vendit nga gazi rus.

Para se Rusia të pushtonte Ukrainën, Gjermania merrte 55% të gazit të saj nga Rusia, por kjo shifër tashmë është ulur në 35% dhe vendi është zotuar që të eliminojë plotësisht importet e gazit rus.

Megjithatë, Gjermania mbetet një treg i madh për Moskën dhe ka paguar pothuajse 9 miliardë euro (7,7 miliardë £; 9,6 miliardë dollarë) për naftën dhe gazin rus gjatë dy muajve të parë të luftës.

Rusia gjithashtu ka reduktuar furnizimet e gazit drejt Gjermanisë përmes tubacionit kryesor Nordstream 1, duke i ҫuar ato në 20% të kapacitetit dhe duke shtuar frikën se mund t’i ndërpresë ato totalisht këtë dimër.

Ministri i Ekonomisë në Gjermani, Robert Habeck, tha për gazetarët se vendi i tij dëshironte të çlirohej “sa më shpejt që është e mundur nga varësia ndaj importeve të energjisë ruse”.

Por, ai shtoi: “Në përgjithësi, masat e reja kursejnë energji. Megjithatë, jo deri në atë pikë sa të mund të rrimë duarkryq dhe të themi: ‘Kjo do të mjaftojë.’”

Duke filluar nga shtatori, ndërtesat publike, përveç institucioneve si për shembull spitalet, do të ngrohen deri në një maksimum prej 19 gradë Celsius dhe ngrohja mund të ndërpritet plotësisht në hyrjet e godinave, korridoret dhe hollet.

Monumentet dhe ndërtesat publike gjithashtu nuk do të ndriçohen për arsye estetike, ndërsa bizneseve mund t’u ndalohet që të mbajnë dyqanet e tyre të ndriçuara gjatë natës.

Ngrohja e pishinave private gjithashtu mund të ndalohet. Për më tepër, vendi do t’u japë përparësi ngarkesave të qymyrit dhe të naftës në hekurudha, gjë që do të thotë se pasagjerëve mund t’u duhet që të presin më gjatë për udhëtimet e tyre.

“Ne jemi në një situatë të mungesës së kapaciteteve transportuese nëpërmjet hekurudhave,” tha Ministri i Transportit, Volker Wissing. “Kjo do të thotë se nëse transportet shtesë të karburantit do të jenë përkohësisht të nevojshme, do të duhet t’u japim përparësi atyre.”

Rritja e kapaciteteve të magazinimit

Gjermania planifikon gjithashtu që të zhvillojë fushata publicitare për t’u treguar njerëzve se si mund të reduktojnë konsumin e tyre.

Dhe, mes shqetësimeve për mungesat gjatë dimrit, vendi po ngre dy terminale për gazin natyror të lëngshëm në bregun e Detit të Veriut, për të rritur kapacitetet magazinuese.

Shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Europian janë zotuar se do të reduktojnë vullnetarisht përdorimin e gazit me 15% këtë dimër – edhe pse kjo do të bëhet e detyrueshme nëse ka mungesa serioze të gazit. Ndërkohë, Spanja ka ndërmarrë tashmë disa rregulla që kufizojnë përdorimin e ajrit të kondicionuar dhe temperaturat e ngrohjes në institucionet publike dhe në ndërtesat e mëdha tregtare, në përpjekje për të kursyer energji.

Të mërkurën, ministri i energjisë në Zvicër tha se “sigurisht që do të bënte sens” që vendi i tij të përafrohet me planin e BE-së për të parandaluar një krizë energjetike.

Komisioni i energjisë elektrike në Zvicër ka rekomanduar gjithashtu që familjet të blejnë dhe të ruajnë qirinj, në rast të ndërprerjeve që mund të vijnë si pasojë e ndryshimeve nga furnizimet ruse.

Në fillim të këtij muaji, ministrja zvicerane e energjisë, Simonetta Sommaruga, tha se do të përpiqet të miratojë një plan për të reduktuar ngrohjen e ndërtesave publike./ BBC