Investimet në Kosovë, “thembër e Akilit” e të gjitha qeverive, edhe e kësaj aktuales

Mehmet Gjata

Edhe në vitet kur përqindjet e investimeve kapitale ishin goxha të imponueshme, ato shifra u arritën me investimet në autostradat e vendit, siç ishte Rruga e Kombit, ose autostrada “Ibrahim Rugova”, dhe autostrada për në Shkup, ose “Arben Xhaferi”. Këtë vit, huqje evidente e investimeve kapitale në vend…

Mehmet GJATA

Investimet në përgjithësi, edhe ato kapitale, edhe investimet e jashtme, edhe ato në projekte industriale dhe energjetike, në këto vitet e pasluftës kanë qenë “Thembër e Akilit”, në njëfarë mënyre të dështuara, e të papërmbushura në asnjë objektiv.

Edhe në vitet kur përqindjet e investimeve kapitale ta zëmë, në të dy nivelet, edhe në atë qendror, edhe në nivelin lokal, ishin goxha të imponueshme, ato shifra u arritën me pagesat ndaj punëkryesve të autostradave, siç ishin Rruga e Kombit, ose autostrada Ibrahim Rugova, dhe autostrada për në Shkup, ose autostrada Arbën Xhaferi.

Investimet kapitale më 2012 – 40 për qind në nivel qendror dhe 25 për qind në nivel lokal, janë kryesisht para të autoudhës së kombit, sikundër që janë edhe ato të vitit 2013, me 32 për qind investime kapitale dhe me 29 për qind sosh lokale, ndërsa investimet kapitale të vitit 2016 duhet atribuar pagesave për autostradën Prishtinë – Shkup. Sepse realisht nuk ka pasur ndonjë investim tjetër për t’u përmendur, qoftë për ndonjë projekt industrial, prodhues apo energjetik, që do të gjeneronte vende të reja pune, por edhe të ardhura aq të nevojshme për Kosovën e varfër. Në vitet e tjera, në periudhën janar-qershor pra, sipas një raporti hulumtues të publikuar të GAP-it, nuk shihet se ka pasur ndonjë shifër edhe aq të theksueshme investimesh kapitale (më 2014 -24 për qind, më 2015-25 për qind, më 2017 – 20 për qind, më 2018-26 për qind, më 2019-16 për qind, më 2020 -11 për qind, më 2021- 19 për qind dhe më 2022 vetëm 9 për qind, që, gjithsesi, është më i ulëti në dekadën e fundit, siç thuhet edhe në raportin e publikuar nga Instituti GAP.

Sipas GAP-it, realizimi i investimeve kapitale si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, ndodhet në këtë pikë për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore si dhe politikave qeveritare. Gjithsesi me politikat qeveritare aludohet te fokusimi i Qeverisë Kurti2 në skema sociale.

Agron Demi, analist i politikave në Institutin GAP, ka thënë se është mirë që Qeveria t’i kushtojë rëndësi edhe projekteve kapitale, veç fokusimit në skema sociale, “ngase pa projekte kapitale nuk do ketë pastaj as çka me shpërnda në skema sociale”.

Demi ka fajësuar Qeverinë e Kosovës, për të cilën tha se nuk e ka trajtuar fare sfidën e rritjes së çmimeve në materialet ndërtimore.

“Realizimi i investimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë të 2022 është në nivelin më të ulët të mundshëm, madje shkallë kaq e ulet e investimeve nuk është shënu as në vitin 2020 kur për shumë ditë kemi qenë të mbyllur. Fajtor kryesor për këtë është rritja e çmimeve në materialet ndërtimore, por për këtë faj të madh ka edhe qeveria, e cila nuk e ka trajtuar këtë sfidë fare”, ka shkruar Demi në Facebook.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Lumir Abdixhikut, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Facebook.

Sipas tij, “…Kosova sot duket e trishtë krahasuar me tempon e punimeve në secilin shtet në rajon. E në mungesë të projekteve kapitale, le të mjaftohemi me foto shëtitëse, arrogancë qeverisjeje e arsyetime të 20 viteve të shkuara. Është më e lehtë kjo”.

Kreu i LDK-së hodhi akuza të rënda për realizimin e investimeve kapitale gjatë kësaj qeverisje.

“Realizimi i investimeve kapitale në Kosovë është më i ulëti në gjithë dekadën e fundit. Po kalon viti i dytë qeverisës, vera e dytë e kohës së punimeve, dhe asnjë projekt kapital nuk po merr formë në vendin tonë. As edhe një shenjë e lënë. Kur keni parë kryeministrin e Kosovës të fillojë, përurojë apo edhe të flasë për ndonjë projekt madhor kudo në Kosovë? Cilën vendpunishte me punëtorë e ka nisur ai apo kjo Qeveri deri më sot? Premtimet e 40 çerdheve në Kosovë, të 4000 banesave sociale, të rrugëve rajonale, bankave zhvillimore e aseteve sovrane – nuk kanë filluar as edhe në letër. Dhe për aq sa merr kohë një projekt të nis e përfundojë, edhe dy verat e ardhshme të këtij mandati do të shkojnë pa asnjë shenjë të lënë”, ka shkruar tutje ai.

Sipas Abdixhikut, “Kosova ka nevojë për zhvillim; e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transaksione bankare të skemave sociale”.

Sidoqoftë, në Kosovë, në këto vite janë shënuar huqje dhe dështime edhe në investimet e tjera, e sidomos në investime të huaja direkte (IHD), të cilat bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në periudhën janar-prill të 2022, në Kosovë kanë qenë rreth 173.3 milionë euro.

Sipas njohësit të ekonomisë, Edison Jakurti, nga gjithë kjo shumë e investimeve të huaja direkte, rreth 85.3% e tyre kanë qenë të përqendruara në aktivitete të patundshmërisë. Ndërsa, siç ka shkruar ai një postim në Facebook, në vitin 2021, IHD kanë qenë rreth 415.3 milionë, nga të cilat rreth 92.6% në aktivitete të patundshmërisë, e që ngjashëm duken edhe vitet paraprake.

Sipas tij, kjo domethënë që IHD-të tek ne janë blerjet e shtëpive, banesave, lokaleve, trojeve, etj. nga diaspora, që nënkuptoon se nuk janë në sektorë produktiv që krijojnë vende të reja pune dhe e stimulojnë zhvillimin. Për të qenë më konkret dhe për të parë rrjedhën e investimeve të jashtme, po i paraqesim të dhënat e ecurive të ardhjes së kapitalit ndërkombëtar –investimeve të jashtme nëpër vite:

-Më 2004 në Kosovë janë regjistruar 42,9 milionë euro investime të huaja të drejtpërdrejta, më 2005-107,6 milionë, më 2006- 294,8 milionë, më 2007- 440,7 milionë, më 2008 -366,5 milionë, më 2009- 291,4 milionë, më 2010 -365,8 milionë euro, më 2011 – 394, 6 milionë më 2012 – 230 milionë dhe më 2012- 258,9 milionë euro.

Ndërsa më 2014, po sipas të dhënave zyrtare, janë realizuar 4 herë më pak investime të huaja se në vitin 2013, kur poashtu edhe në këtë vit karahasues këto investime ishin tejet të reduktuara.

Shihet pra se investimet e jashtme të ndodhura më 2007, sot e kësaj dite, në disa vite nuk janë arritur as për së afërmi. Të dhënat pra dëshmojnë se me vite Kosova ka dështuar në thithjen e investimeve të jashtme, ndërkohë që në vitet e fundit nuk ia doli që ta sjellë këtu asnjë investitorë të madh strategjik, asnjë projekt madhor të tyre. Ç’është më keq, pati edhe raste kur ikën investitorët potencial.

Në këtë mënyrë, Kosova mbeti me trendin më negativ të investimeve të huaja krahasuar me shtetet e rajonit, si Serbia, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria. Dhe ky trend negativ ka vazhduar me vite të tëra.

Njohësit e rrethanave investuese në Kosovë, interesimin e investitorëve të jashtëm për ta shtrirë kapitalin e tyre te ne, e shohin te bërja të infrastrukturës më të mirë ligjore. Në fakt, pas miratimit të Ligjit për investimet strategjike, që ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2017, janë thjeshtësuar dukshëm procedurat për investitorët e huaj potencialë. Sipas këtij ligji, vëllimi i investimit për të fituar statusin e investimit strategjik është nga 10 deri në 30 milionë euro, varësisht nga sektori.

Edhe Ligji për investimet e huaja, i miratuar qysh më 2013, e që kishte për qëllim të rregullojë mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimin e investimeve të huaja, t’u ofrojë atyre të drejta dhe garanci themelore, ka qartësuar shumë investitorët e huaj, sidomos në drejtimin e dhënies së sigurisë që investimet e tyre do të mbrohen në mënyrë të drejtë në pajtim me standardet dhe praktikat ndërkombëtare.

Qeveria aktuale duhet të jetë shumë më këmbëngulëse të vazhdojë për t’u ofruar masa edhe më lehtësuese investitorëve të interesuar. Të jetë më e vëmendshme në monitorimin e saktë të zbatimit të ligjeve, duke themeluar në raste të nevojshme edhe mekanizma të rinj për përcjelljen e zbatimit të këtyre ligjeve për t’u dhënë garanci investitorëve të huaj që tashmë janë në Kosovë, por edhe investitorëve potencialë, të cilët e shohin Kosovën si destinacion për investim.

Institucionet duhet të fokusohen në tërheqjen e investimeve në sektorët strategjikë siç janë prodhimi, teknologjia e informacioni, energjetika e pastaj përpunimi. Të kërkojë investitorët e jashtëm që ishin këtu dhe u dëbuan për shkaqe të njohura dhe të panjohura, t’u ofrojë atyre mundësi të reja, projekte atraktive për t’u kthyer në Kosovë. Ndërsa mundësi të reja do të duhej të ishin sundimi i ligjit, promovimi i vlerave dhe politikave atraktive për investitorët e huaj, luftimi i njëmendtë i korrupsionit dhe ekonomisë së fshehtë dhe rikthimi i imazhit të mirë të Kosovës në botë.

Nuk është lehtë të bëhen shpejtë të gjitha këto punë, por janë të arritshme dhe të realizueshme nëse do të kishte vendosmëri institucionale dhe vullnet politik. A ka mundur të bëhet më shumë në investimet në përgjithësi, po edhe në investime kapitale, që po shtjellohen në këtë tekst, edhe në konditat e pasojave të theksueshme post-Covid, edhe në rrethanat e përqëndrimit të fokusit te skemat sociale dhe në zbutjen e pasojave të krizës energjetike botërore, që tepër negativisht u shpërfaqë edhe në vendin tonë?

Natyrisht, ka mundur edhe në rrethanat e krijuara nga post-Covid-i, edhe nga kriza globale energjetike. Qeveria aktuale me një vendosmëri më të madhe dhe me një përkushtim më serioz, gjithsesi, ka pasur të gjitha parakushtet për të nisur ndonjë kapacitet energjetik nga burimet e rinovueshme, siç u proklamua në vazhdimsi në këtë periudhë.

Një kapacitet 100 megavatësh, qoftë nga era, qoftë nga energjia solare, Kosova ka pasur të gjitha mundësitë vetjake që së paku ta nisë në këtë vit, e pse jo edhe ta finalizojë ndonjë projekt të energjisë solare, për çka parashihet më pak kohë për ta realizuar, por edhe me më pak mjete financiare se sa bie fjala një kapacitet me kapacitet përafërsisht të njëjtë me energji nga era.

Pa shumë kalkulime dhe fare lehtësisht ka mundur sivjet të realizohet, bie fjala, edhe propozimi nga ana e KEK-ut dërguar në Ministrinë e Ekonomisë, për ndërtimin e një parku solar 100 megavatësh në një nga ish-deponitë e ‘Kosova A’.

Nga ekspertët e KEK-ut, vlerësohej se nëse jo i gjithë kapaciteti, gjysma e tij do të jetë gati, gjithsesi, brenda një viti. Prandaj, po të kishte më shumë vendosshmëri, vizione dhe projekte dhe nisma konkrete, mundësitë janë këtu. Mundësi ka, pra.

Ka edhe hapësira e sipërfaqe toke të lëna djerrë, që fare lehtë do të bëheshin truall i përshtatshëm për energji solare, sikundër që ka goxha vende, madje të identifikuara për energji në bazë të erës. Edhe paratë, nëse do të mungonin, ka shumë rrethana favorizuese për të gjetur ato, për të gjetur investitorë potencialë dhe që nuk hamenden edhe aq shumë kur është fjala për kapacitete të energjisë së rinovueshme.

Ndërtimi i një Parku të energjisë solare, që mund të finalizohet për një vit, e shumta dy sish, dhe që mund të sigurojë goxha sasi të energjisë, qoftë për ngrohje, qoftë për furnizimin e Kosovës me rrymë, do të bënte jehonën e mirë në komunitetin energjetik të botës. Askush më nuk mund të mohonte se Kosova po ndërton centrale në bazë të erës dhe të diellit. As nuk mund të kontestojë me retorikën se kosovarët sikur nuk po duan të shkëputen nga thëngjilli që e kanë me bollëk dhe në sipërfaqe të tokës.

Parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës me fuqi 105 megavatësh dhe me 27 turbina, është ndërtuar për dy-tre vjet e shumta, dhe me një kosto diku 180 milionë euro, që do të thotë se për të janë investuar pak më shumë mjete financiare se sa qeveria ka dedikuar për zgjidhjen momentale të krizës, ose për blerjen e përkohshme të energjisë së munguar elektrike.

Ndërkohë, kapaciteti energjetik në bazë të diellit, i inicuar nga KEK-u që të ndërtohet në tokën djerrë (deponinë e madhe sa një kodër e tërë e krijuar nga hiri i qymyrit të djegur në termocentralet tona), me goxha fuqi (100 megavatë, qoftë edhe energji solare nuk është pak), siç u tha më lartë, do të ndërtohej ndjeshëm me më pak para se kompleksi i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës. Këto janë vetëm disa nga mundësitë e shumta për investimet kapitale në Kosovën e varfër dhe me shumë brishtësi financiare. /Buletini Ekonomik/