Kosovën po e braktisin një numër i madh qytetarësh dhe punëtorësh të shumë sektorëve të rëndësishëm për një vend, duke e shndërruar kështu Kosovën si një shtet me numër emigrantësh në rritje të vazhdueshme, dhe si një burim thuaja të pashterrshëm të emigrimit. Pasojat e pritshme nga trendi i vrullshëm i emigrimit të kosovarëve të shumtë.
Mehmet GJATA
Sado që edhe mund të mos jenë krejtësisht të saktë numrat e kosovarëve që po e braktisin Kosovën, sikundër edhe numrat e punëtorëve që përditë e më shumë e lënë punën e tyre, është fare e ditur se numri i ikanakëve nga Kosova, sikundër edhe i punëtorëve që po e braktisin punën këtu, është i madh, alarmant dhe shqetësues. Është e vërtetë pra, Kosovën po e braktisin një numër i madh qytetarësh dhe punëtorësh të shumë sektorëve të rëndësishëm për një vend, duke e shndërruar kështu Kosovën si një shtet me numër emigrantësh në rritje të vazhdueshme, dhe si një burim thuaja të pashterrshëm të emigrimit. Kosova po braktiset pra nga popullsia e saj, madje nga ajo më vitalja.
Nga Kosova po shpërngulën për në vendet e Perëndimit të rinjtë e papunë, infermierët dhe mjekët, ndërtimtarët, shërbyes të shumtë të të gjitha shërbimeve thuaja se, të rinjë me diploma të teknologjisë informative aq të kërkuar në Perëndim, inxhinierë të profileve të ndryshme, arkitektë.
Vetëm deri në muajin qershor punën në sektorin privat e kanë lënë mbi 65 mijë punëtorë, ka thënë këto ditë Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në një intervistë dhënë medies se vendit.
Sipas tij, vitin e kaluar punën e kishin lënë mbi 42 mijë persona. Të gjithë këta punëtorë, tashmë ose e kanë braktisur Kosovën për ndonjë vend më të mirë të punës në Perëndim, ose janë në procedurë e sipër për ta lënë Kosovën një orë e më parë.
Ndërsa, po të vështrohen pak më vemendje këta numra ikjesh nga Kosova, lehtësisht do të shihet se trendi i ikjeve është në rritje të ndjeshme dhe duke iu afruar majave të emigracionit. Natyrisht, tani këtij trendi të vrullshëm ikjesh kanë zënë t’i shihen edhe pasojat jo të pakta, që mbase një ditë të afërt do të bëhen të pariparueshme dhe si të tilla një sfidë e rëndë me të cilën do të përballet Kosova.
Ndër pasojat e tejdukshme tani për tani është mungesa evidente e punëtorëve të kualifikuar të cilët për shkak të kushteve dhe të ardhurave të vogla po ia mësyjnë vendeve prej më të ndryshmeve të botës. “Është numër i madh i mungesës së punëtorëve të kualifikuar, ndërkohë që pikërisht punëtorët e kualifikuar i kemi obliguar të dalin jashtë vendit”, ka thënë Azemi.
Për frikën e mungesës së punëtorëve tashmë në shumë raste kanë folur të shqetësuar deri në tronditje edhe gastronomët kosovarë.
Arian Vranica, sekretar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, ka thënë jo një herë për medien e vendit se “mungesa e punëtorëve në gastronomi tanimë po vërehet dukshëm”. Vranica ka thënë në një paraqitje publike për medien se “keqmenaxhimi i shtetit po bën që të vërehet mungesa punëtore në sektorin e gastronomisë, por sipas tij, krizë më e thellë është edhe mosdeklarimi i tyre”. “Krahas të gjitha këtyre, ne jemi duke u përballur edhe me kriza më të thella sepse kushtet bazike te shumë punëtorë nuk plotësohen, siç është edhe deklarimi i tyre. I bie që punëtori po goditet nga keqmenaxhimi i shtetit”, ka thënë ai.
Tani së fundi, kryetari i Odës së Hotelerisë e Turizmit ka deklaruar për mediet kosovare se “në shtator, hotele, restorante e kafene të shumta ka mundësi të mbyllen detyrimisht për shkak të mungesës së punëtorëve”. “Nëse vazhdon me këtë trend jo veç që kemi me pasë problem me mungesë të numrit të të punëtorëve por edhe me mbyllje të bizneseve. Ndoshta, situata do të jetë shumë ma keq nga shtatori. Në biseda me pronarë hotelesh e restorantesh, ata thonë se po e presim mërgatën, ndërsa nga shtatori më nuk i dihet se a do punojmë, apo jo”, ka rrëfyer Hysen Sogojeva.
Po të mbështetemi në shifrat e kosovarëve që kanë ikur nga vendi në këta muaj të 2022-tës, të raportuara nga mediet dhe nga institucione që kanë për detyrë të vëzhgojnë dhe të merren me lëvizjet demografike, sado që këto shifra nuk janë plotësisht të sakta, rrëfimi i Sogojevës përmban shumë parashikime reale, sado të dhimbshme dhe tronditëse qofshin ato. Po shkojnë ata, ose po ia mësyjnë Gjermanisë, Zvicrës, Italisë, shteteve të Beneluksit, atyre skandinave, pa zgjedhur shumë dhe pa menduar edhe aq. Në rastin e parë, ku u jepet mundësia dhe ku grishën më shumë, aty i ke të rinjtë tanë, para sporteleve të ambasadave të këtyre shteteve, në pritje të një interviste, bisede apo evidencimi për vizën e premtuar dhe të ëndërruar nga ta.
Po të krahasoheshim me ndonjë vend të rajonit, ta zëmë me Shqipërinë, jemi aty-aty për nga numri i emigrantëve. Sepse, sipas INSTAT numri i emigrantëve në vitin 2021 në Shqipëri ishte 42.048 persona.
Po e lënë Kosovën mjekët, inxhinierët, por edhe te rinj të profesioneve të tjera, sidomos ata që kanë njohuri të mira në fushën e teknologjisë informative, pasi që të gjitha shtetet e Europës perëndimore po i joshin ata dhe po i trajtojnë si është më së miri, me të ardhura të mëdha, por edhe me kushte të tjera përcjellëse. Janë të pakuptimta karahasimet eventuale të pagave të mjekëve kosovarë të realizuara në Kosovë me pagat e ofruara nga secili vend në Europë. Një mjek kosovar, në Gjermani, apo kudo ndër vendet nordike, apo të Beneluksit realizon 10 fish pagë më të lartë se sa këtu, ndërsa po të jetë me pak fat, ka vende punë në këto shtete ku mjeku kosovarë arrinë pagën edhe 20 herë më të lartë se në vendin e tij. Pastaj, atje u ofrojnë edhe kondita të tjera për një jetë më komode dhe më të pëlqyeshme.
Profesori i Universitetit të Prishtinës, Berim Ramosaj kohë më parë në një television të vendit ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të ndërtojnë politika demografike që do të jenë në shërbim të zhvillimit të vendit. Sipas tij, tani nuk janë duke ikur më vetëm pjesa e popullatës që nuk janë të shkolluar, apo nuk kanë një profesion të caktuar, por të diplomuarit etj.
“Është alarmante ikja e trurit, pra po na ik kapitali njerëzor dhe ky proces është i pandalshëm. Ikja e trurit është problem botëror dhe nuk është problem vetëm i Kosovës. Shteti i Kosovës duhet të stimulojnë bizneset e reja”, tha Ramosaj.
Edhe sipas gazetës zvicerane “Blick” arsye kryesore e ikjes së qindra mjekëve nga Kosova për çdo vit janë kushtet e punës dhe pagat. Sipas gazeta zvicerane, çdo vit nga 200 mjekë largohen prej Kosovës për në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani dhe Austri.
Përderisa në Kosovë një mjek merr 624 euro, në Gjermani mund t’i marrë mbi 4 mijë euro. Jo vetëm në mjekësi por edhe në fushat e tjera ka lëvizje të madhe të fuqisë punëtore nga Ballkani drejt Evropës. Në artikullin e kësaj gazeta theksohet fakti se emigrimi i punëtorëve të kualifikuar është mjaft i përshtatshëm për vendet e Bashkimit Evropian, derisa për Kosovën emigrimi i mjekëve është një rrezik që të mos ketë mjaftueshëm staf apo specialistë.
E kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu tha se këtë vit në Gjermani kanë shkuar 108 mjekë dhe 48 specializantë. Sejdiu tha se në dhjetë vitet e ardhshme Kosovën mund ta lëshojnë rreth 2 mijë mjekë. “Mendoj se në pesë vitet e ardhshme do të kemi krizë nëse vazhdion trendi tek specialistët e rinj” – tha Sejdiu. Mosha mesatare e mjekëve kosovarë është 50 vjeç. Dhe nuk duket se do të ketë përmirësime pasi nga 150 të diplomuar, 90 nga ta largohen nga vendi i tyre pasi i mbarojnë studimet. Prandaj, shifrat për të ikur nga Kosova, duhet pranuar, po bëhen gjithnjë e më tronditëse.
Siç raportojnë mediet kosovare, me qindra mijëra qytetarë të Kosovës vetëm gjashtë mujorit të parë të këtij viti kanë aplikuar për vizë punë në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë. Një numër i madh i qytetarëve kanë aplikuar edhe në ambasada të tjera. Të gjithë këta aplikues e theksojnë se këtë po e bëjnë në kërkim të një jete më të mirë e page më të dinjitetshme.
“Vetëm gjatë vitit 2021 Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka lëshuar 20 mijë e 259 viza”, raportojnë mediat.
Këto shifra, të ikanakëve potencial nga Kosova, gjithsesi nuk janë të vetmet, ka edhe më shumë numra të atyre që duan të ikin, edhe ilegalisht, edhe nëpërmjet garancioneve që ua dërgojnë të afërmit gjithandej nga këto vende dhe të atyre që kanë viza të mëhershme dhe që vetëm përkohësisht janë kthyre në vendlindje. Në fund të këti viti numri i kosovarëve të ikur mund të arrijë nga 50 deri 60 mijë persona, kanë vlerësuar njohësit e lëvizjeve demografike këtu. Këto shifra përbëjnë popullsinë e një qyteti mesatar të Kosovës. Por, këto shifra mund të jenë vetëm parashikime, të ikurit nga Kosova mund të jenë shumë më shumë. Por për ta saktësuar numrin e kosovarëve që lënë atdheun e tyre, duhen statistika të sakta nga institucionet e shtetit, që fatkeqësisht Kosova nuk I ka këto statistika, ose i ka fare të përcipta dhe si të tilla jo edhe aq relevante.
Sidoqoftë, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se vetëm vitin e kaluar kanë emigruar 42 mijë e 728 persona.
Njohësit e lëvizjeve demografike këmbëngulin se janë shumë më shumë se kaq. Dyndje e madhe e popullatës nga Kosova parashihet nëse gjatë këtij viti ndodhë të bëhet liberalizimi i vizave edhe për kosovarët, që janë të vetmit në Europë pa të drejtën e lëvizjes së lirë, që është ndër të themeloret e drejtave të njeriut. Por për ikjen e madhe të kosovarëve që parashihet të ndodhë gjatë këtij viti flasin edhe përplotë të dhëna të tjera, sikundër që këto të dhëna flasin për pasojat e mundshme ekonomike, shoqërore dhe mbi të gjitha kombëtare, që do të kenë këto ikje.
“Është fiasko, humbje e madhe që brenda një viti Kosovën e vogël dhe të varfër ta lëshojnë 400 mjekë sa flitet ta kenë lëshuar këtë vend vitin e kaluar”, i ka thënë Buletinit Ekonomik një mjek i njohur në vend, me vite në pension.
Këto shifra janë rreziku që duket, tejet transparent dhe do të duhej të jetë alarm që autoritetet zyrtare të bëjnë diçka që ta ndalojnë ikjen e mjekëve, “trurit” të Kosovës në përgjithësi.
Kosova ka investuar shumë që të shkollojë 400 mjekë, dhe tani kaq lehtësisht ti lë të ikin udhëve të botës. Shteti duhet të dijë t’i bindë ata të qëndrojnë në vendin e tyre, qoftë me rroga më të mira dhe me kushte dhe benefite të tjera. Sado të kushtojnë ata këtu, për shtetin do ta kenë koston shumë më të lirë se sa të dërgojë të sëmurët në shërim jashtë vendit në mungesë të mjekëve këtu”, ka vlerësuar mjeku i moshuar.
Sipas ASK-së gjatë vitit 2021, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 14 391 persona, ndërkohë që vitin e kaluar (2021), kanë emigruar 42 728 persona. Po sipas ASK-së, popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar – 31 dhjetor 2021, u zvogëlua për (-24 215 banorë). Në këtë mënyrë po ndodhë tkurrja e madhe e popullsisë në Kosovë. Problemi i shkaktuar nga dyndjet kaq masive të popullsisë në Kosovën e vogël, të varfër dhe akoma të brishtë në procesin e shtetkrijimit, nuk është fare i vogël dhe si i tillë nuk duhet në asnjë çast të mbetet i papërfillshëm nga institucionet e shtetit. Sepse, Kosova me këtë trend të braktisjes së vendit nga pjesa më vitale e popullsisë dhe me këtë vrull të kërkesave aq të numërta për të ikur një orë e më parë nga vendi, rrezikon së paku të mbetet pa punëtorë të nevojshëm dhe të domosdoshëm në shumë veprimtari dhe lëmi të zhvillimit ekonomik të vendit. Problemi, i tkurrjes numerike të popullsisë mbarë të vendit, pastaj është çështje tjetër dhe problem i mprehtë në vete. /Buletini Ekonomik/