Maqedonia e Veriut me masa të reja për kursimin e energjisë elektrike

Qeveria e Maqedonisë së veriut  miratoi të martën masa për kursimin e energjisë elektrike. Kështu, për kompanitë do të ketë rekomandime ndërsa për institucionet shtetërore do të ketë detyrime specifike që duhet të respektohen, në të kundërt do të ketë masa ndëshkuese.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi njoftoi se masat do të hyjnë në fuqi nga 1 shtatori i këtij viti dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2023.

“Masat ndahen në disa kategori, varësisht nëse janë për familje, kompani apo objekte, institucione dhe ndërmarrje shtetërore. Objektivi është ulja e konsumit me 15 përqind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Nëse ky synim nuk arrihet, sipas kodit të etikës dhe të gjitha dekreteve, do të pasojnë sanksione të caktuara për të gjithë drejtuesit e institucioneve” – u shpreh Bekteshi.

Reklama e sponzorizuar

Masat përfshijnë fikjen e dritave dekorative në fasadat e ndërtesave publike dhe monumenteve kulturore, fikja e dritave kur ka dritë të mjaftueshme, ndërsa kondicionerët duhet të vendosen jo më poshtë se 27 gradë në verë , dhe në dimër jo më shumë se 20 gradë.

Po ashtu punonjësit duhet të jenë të kujdesshëm që të  fikin gjithmonë kompjuterat pas punës, të ndërrohen rregullisht filtrat e aparateve për ngrohje dhe kondicionerëve, printimi vetëm i materialeve të nevojshme dhe zëvendësimi i dritareve me dritare për energji efikase./TV21/