ME: Kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike

Fotografi ilustruese

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar të hënën pasdite se është arritur që të evitohen reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë pas orës dy sot, dhe tashmë është duke vazhduar furnizimi i rregullt me energji elektrike në vend.

Kjo falë bashkëpunimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) me Korporatën Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH).

Në bazë të një njoftimi për media nga kjo ministri, bëhet me dije se Kosova dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar sot në këmbim të energjisë, bashkëpunim ky i cili pritet të pasohet edhe me masa të tjera në adresim të krizës energjetike.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, marrë parasysh situatën, Ministria e Ekonomisë lut të gjithë qytetarët dhe bizneset që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike.

“Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike. Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim”, thuhet tutje në njoftim. /Buletini Ekonomik/