Pse njohësit e rrethanave sociale në Kosovë e shohin të vonuar, të zbehtë dhe thuaja minimalist efektin e rritjes së pagës minimale në 350 euro, që i bie dyfishim e përtej – të pagës minimale të deritashme?
Buletini Ekonomik
Rritja e pagës minimale bruto në 350 euro nga Qeveria e Kosovës, e cila, siç është paralajmëruar nga autoritetet, do të fuqizohet nga 1 tetori dhe që i bie praktikisht dyfishim e përtej – të pagës së deritashme minimale (130-170 euro), me këtë vrull të rritjes së çmimeve të të gjitha produkteve dhe shumicës absolute të shërbimeve dhe me këtë shkallë inflacioni, sipas njohësve të rrethanave sociale në vend, do ta ketë efektin e zbehtë dhe minimalist.
“Me hyrjen në fuqi të ligjit për pagën minimale më në fund u hap rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas një pritje prej 13 vitesh. Ndërkaq sot do të shqyrtojmë propozimin që niveli i pagës minimale të jetë 2 euro për dy orë punë të rregullt apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë. Paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi. Kjo është rritja e dytë e pagës minimale brenda këtij mandati qeverisës”, kishte thënë kryeministri Kurti, kur Qeveria e tij kishte miratuar rritjen e pagës minimale.
Dhe, dyfishimi i pagës minimale, në të parë duket goxha imponues, por po të kihet parasysh se kjo rritje e minimales është bërë pas një pritjeje prej 13 vjetësh dhe pas çmimeve të ngritura në stratosferë dhe shkallës së ditur të inflacionit, gjegjësisht pas thellimit të ndjeshëm të varfërisë së kosovarëve, atëherë shihet se sa e pavërejtshme do të jetë efektshmëria e kësaj rritjeje në zbutjen e gjendjes sociale te përfituesit e minimales së rritur. Thjeshtë, edhe me 350 euro të ardhura, një familje mesatare kosovare (4 anëtarëshe), me nivelin e tanishëm të çmimeve dhe shkallës së inflacionit (qoftë edhe sipas të dhënave zyrtare), nuk mund të përmbyllë një muaj vetëm për t’u ushqyer normalisht. Por, familja kosovare, veç ushqimit, ka nevoja mujore të tjera të shumta të domosdoshme. Prandaj efekti i kësaj rritjeje, sado i mirëpritur, do të jetë fare modest dhe minimalist në përmirësimin e gjendjes sociale të kosovarëve të varfër, për të cilët, siç u tha më lartë, në këto 24 vjet as që e ktheu kokën ndokush nga autoritetet, por në prag të zgjedhjeve dhe në kohë fushatash, kurrë nuk kanë munguar premtimet e shumta, dhe që kurrë nuk janë përmbushur.
Përfaqësues të UNDP-së kanë treguar kohë më parë për medien se të gjeturat kryesore nga një anketë e realizuar në korrik të 2023-tës, ku janë përfshirë 1.500 ekonomi familjare, kanë dëshmuar se përkundër faktit se të hyrat ekonomike nuk janë rritur në vitet e fundit, shpenzimet për nevoja bazike janë rritur shumë. Bie fjala, në vitin 2021, te shpenzimet në ushqim, 38 për qind të ekonomive familjare i kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për ushqim, ndërkohë që në vitin 2023 ky numër i familjeve ekonomike që kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për nevoja ushqimore është rritur 59.5 për qind.
Rezultatet nga anketa kanë treguar se 20 për qind e ekonomive familjare janë më të varfra në vitin 2023 nëse i krahasojmë me dy vitet e mëparshme, ndërsa e dhënë e trishtueshme është se 16 për qind të ekonomive familjare jetojnë nën nivelin e varfërisë, respektivisht në varfëri ekstreme, ose vetëm me 1.85 euro në ditë. S’do mend se në këto të dhëna të frikshme të varfërisë, ndikim të madh ka pasur ngritja e vazhdueshme e egër e çmimeve, sidomos e produkteve esenciale ushqimore.
Kosova, në të gjitha periudhat e pasluftës ka dështuar për të pasur një strategji shtetërore, ose kombëtare, qoftë edhe modeste të mbrojtjes sociale. Kosova, sot e kësaj dite, më 2024-tën pra, akoma nuk ka ndonjë politikë sociale të efektshme as strategji afatshkurtër as afatgjate në këtë plan. Republika jonë ende nuk ka strategji nacionale të mbrojtjes sociale, nëpërmjet së cilës do të synohej së paku zbutja e varfërisë për individët e varfër dhe për përmirësimin e jetesës për personat me aftësi të kufizuara përmes mbështetjes me skemat financiare. Nuk ka një strategji, që ndër të tjera do të synonte edhe zgjerimin e shërbimeve sociale dhe konsolidimin e procesit të shërbimeve ekzistuese të kujdesit social për financim të qëndrueshëm për kosovarët që realisht kanë nevojë për ndihmat nga shteti.
Të përkujtojmë se shumica e shteteve të rajonit, pak a shumë me deficite të ngjashme të mjeteve financiare nga arka e shtetit, tashmë kanë krijuar strategjitë e tyre të mbrojtjes sociale, kanë ndërmarrë edhe një numër masash të tjera për ta zbutur institucionalisht varfërinë në shtetet e tyre, kanë rritur pensionet disa herë në këto vite (në disa vende të rajonit sipas rritjes së shkallës së inflacionit), si masë të domosdoshme për t’ua lehtësuar sadopak pensionistëve të tyre jetën në vitet e pleqërisë.
Edhe Shqipëria, ndër shtetet akoma më të varfëra jo vetëm në Ballkan, muaj më parë, sivjet, ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale 2024–2030, vendim ky i botuar edhe në Fletoren Zyrtare të këtij shteti. Me këtë vendim, parashikohet të shpenzohen 2,3 miliardë euro për zbutjen e varfërisë në Shqipëri, ndërsa 96 për qind e kësaj shume do të mbulohet ndër vite nga buxheti i shtetit. Ndërkohë, në Kosovë edhe më tutje, autoritetet dhe institucionet vazhdojnë të mos përfillin kërkesat e shtuara për të pasur dhe për të zbatuar politika sociale të pranueshme, të zbatueshme dhe të efektshme për përkujdesjen sociale ndaj popullsisë së vet, numerikisht jo të papërfillshëm.
Për numrin e personave që kanë nevoja reale për ndihmë institucionale, në këto vitet e fundit ka raportuar në shumë raste Buletini Ekonomik. Sipas të dhënave statistikore, në fund të 2023-tës, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 mijë e 379 familje me rreth 80 mijë anëtarë.
Në të gjitha komunat e Kosovës statistikat e varfërisë janë alarmuese. Sipas statistikave nga ASK, nga skema e pensioneve bazike të moshës më 2023 ishin rreth 150 mijë përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 48 mijë e 783 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 mijë e 875 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 20 mijë e 616 përfitues. Të gjitha këto kategori janë potencialisht varfanjakë, po qe se nuk kanë ndonjë ndihmë nga familjarët (fëmijët, apo ndonjë i afërm tjetër).
Sipas të gjitha të dhënave të publikuara nga institucione dhe asociacione të ndryshme, njerëzit më të goditur dhe që po e përjetojnë tash e një kohë të gjatë “në lëkurën e tyre” varfërinë e madhe të Kosovës janë pensionistët, afro 200 mijë veta bashkarisht pesionistë me pension të pleqërisë, që në Kosovë ka vite është i kornizuar në 100 euro në muaj, dhe pensionistët që gëzojnë pensione në bazë të kontributdhënies, pensioni i të cilëve sillet nga më pak se 200 deri në 265 euro maksimalisht).
Që nga viti 2016 në Kosovë nuk ka pasur ngritje pensionesh, pos në dy raste që kanë ndodhur nga një intervenim i Qeverisë me nga 100 euro për pensionistë. Dhe, pensionisti kosovar, nëse nuk ka ndihmë tjetër, qoftë nga familja e ngushtë, apo farefisi, nuk ka mundësi të përmbyllë muajin në asnjë mënyrë me të ardhurat nga pensioni i tij. Nuk ka mundësi të ushqehet asesi si duhet, nuk ka mundësi të blejë barnat e domosdoshme, nuk ka mundësi të pijë një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë.
Me 100 euro pension (numri dërrmues i pensionistëve në Kosovë janë të kategorisë së të moshuarve, siç shihet nga shifra e sipërshënuar), thjesht nuk ia del, nuk ka asnjë mundësi të plotësojë as nevojat elementare. Por, varfëria në kosovë ka prekur edhe njerëz të tjerë, të kategorive të ndryshme si dhe ekonomi familjare të shumta numerikisht. E keqja bëhet edhe më e madhe, kur dihet se asnjëra nga bankat aktuale nuk krediton pensionistët, madje as me kredi konsumuese. Kosova, siç u njoftua kohë më parë nga mediet, është renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shteti më i varfër i Evropës më 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi. Edhe treguesi tjetër direkt i përcaktimit të varfërisë së një vendi, ai i Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të cilin Kosova në vitin 2023 e kishte 5.600 dollarë, e rendit të fundit Kosovën. Dhe, parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar shtrihen deri në vitin 2028, ku sërish si Kosova ashtu dhe Shqipëria, vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfërat e Europës.
Njohësit e rrethanave, ekspertët, analistët, por edhe mediet, e pohojnë me bindje se rritja e pagës minimale, sado që duket e madhe, do të ketë fare pak ndikim në përmirësimin e gjendjes së atyre që do të gëzojnë këtë pagë, por edhe zbutjen e përmasave tronditëse të varfërisë në vend, që pak a shumë, me pak ndryshime, është e ngjashme tani e 24 vjet. /Buletini Ekonomik/








