Ministria e Ekonomisë: Kërkesa për konsum shkon deri në 750 MWh, prodhimi i energjisë nga KEK është vetëm 507MWh

Fotografi ilustruese

Që nga dita e sotme ka filluar faza e dytë e reduktimeve të energjisë elektrike në Kosovë shkaku i krizës energjetike që ka kapluar botën që nga fundi i vitit 2021.

Një krizë e njëjtë si ajo e fundvitit të kaluar po paralajmërohet edhe nga Qeveria e Kosovës, e cila thotë se çmimi i lartë i importit të energjisë në bursa dhe kërkesa më e lartë sesa prodhimi, po i detyron ata të praktikojnë reduktimet e energjisë duke filluar me muajt e verës.

Për t’ua shpjeguar sa më qartë qytetarëve, Ministria e Ekonomisë ka dalë sot me një njoftim përmes të cilit thotë se kanë treguar se aktualisht prodhimi ditor i Korporatës Elektroenergjitike të Kosovës (KEK) është rreth 507 MWh, derisa kërkesa për konsum është deri në 750 MWh.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, çmimi në bursën Hungareze (HUPX) sillet rreth 430 euro për MWh.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, humbjet komerciale (të shkaktuara nga vjedhjet) dhe teknike të Kompanisë KEDS vazhdojnë të jenë rreth 19%, e  të cilat ende mbulohen nga të gjithë, pra nga prodhimi ose importi, e jo nga vet KEDS-i.

“Institucionet përgjegjëse që monitorojnë punën e akterëve të furnizimit me energji, janë duke marrë të gjitha hapat që furnizimi me energji elektrike t’i kthehet normalitetit”, shtojnë nga ME.

Me këtë rast, kjo ministri vazhdon të apelojë tek qytetarët që secili prej tyre të ketë kujdes dhe të kursejë shpenzimin e energjisë elektrike gjatë gjithë ditës, pasi kursimi sa më i vogël individual do ta lehtësonte tejet shumë furnizimin me energji elektrike, si dhe do të lehtësonte vështirësitë të mëdha që po kalon dhe do të kalojë vendi.

“Ne jemi duke bërë gati masat jo vetëm për furnizim të rregullt, por veçanërisht për të ndërprerë përdorimin e paautorizuar të energjisë elektrike, pra humbjet nga vjedhjet. Këto humbje vazhdojnë të jenë shumë të larta e për të cilat kompania dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur rezultate. Askush, e aq më pak qytetarët dhe buxheti i vendit, nuk duhet të paguajnë çmimin e lartë të importit për ata që tolerohen të vjedhin energji”, thuhet në komunikatën e ministrisë.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, në këto kushte Qeveria, me mjetet dhe kompetencat e saj, do të ndërhyjë për ta minimizuar deri në ndalje të plotë këtë dukurinë e vjedhjes, siç thonë ata, pa asnjë kompromis.

Ndërkaq, nga ME paralajmërojnë se Qeveria pritet të marrë masa edhe për çështjen e ngrohjes gjatë muajve në vijim për të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit, të cilët janë duke planifikuar të bëjnë investime në sistemet e tyre të ngrohjes, ftohen e rikujtohen që t’i ndërrojnë ato nga energjia elektrike në forma të tjera të burimit të energjisë.

Nga kjo ministri gjithashtu njoftuan se aktualisht sa i përket termocentralit Kosova A – blloqet A3 dhe A4 janë në prodhim, ndërsa te termocentrali B, në bllokun B1 është përfunduar remonti dhe është në prodhim, kurse te blloku B2 ka filluar remonti dhe do të përfundojë më 26 gusht 2022. /Buletini Ekonomik/