Vetëm disa orë pasi u raportua për punësimin e burrit të ministres Haxhiu, Alban Krasniqi në Ministrinë e Pushtetit Lokal, një email me tone kërcënuese është nisur në drejtim të stafit të kësaj ministrie.
Në e-mailin e nisur nga Venera Çerkini, sekretare e përgjithshme në ministri, e që e ka parë Gazeta 10, paralajmërohen punonjësit e kësaj ministrie se do të përballen me pasoja ligjore pas rrjedhjes së dokumentit që e dëshmonte punësimin e Alban Krasniqit në rolin e këshilltarit të jashtëm politik të Ministrit, Elbert Krasniqi.
E-maili i plotë i zonjës Çerkini ka këtë përmbajtje:
“Siç e dini, dokumentet zyrtare sipas obligimit nuk keni të drejtë t’i shpërndani, ndërsa sot është shpërndarë. Vendimi i bashkangjitur sipas Ligjit për Qasje në dokumente publike, MAPL gjithmonë është e gatshme dhe e hapur t’u përgjigjet pyetjeve të parashtruara. P.S – Për këtë rast do t’i njoftoj organet kompetente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore sa i përket kësaj shkelje ligjore.”
Gazeta10 dje në mesditë publikoi dokumentin e vendimit të punësimit të Alban Krasniqit, burrit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Ministrinë e Pushtetit Lokal të Elbert Krasniqit.
Në reagimin e konfirmuar më vonë nga Krasniqi, thuhet se Alban Krasniqi do të punojë pa pagesë, porse mund të ketë angazhim nga një donator i jashtëm. Vetë ish-kandidati për kryetar të Malishevës dhe ministrja Haxhiu ende nuk kanë dalë me asnjë reagim.