Nisin traumatizimet e kosovarëve nga mungesa e energjisë elektrike, papërgjegjësi e pakuptueshme e zyrtarëve

Fotografi ilustruese

Sot, në mungesë të rrymës, kanë filluar reduktimet goxha të ashpra të energjisë elektrike në Kosovë. Është reduktim i madh që në muajin gusht të ndalet furnizimi me energji elektrike 2 orë dhe të kesh 6 orë, sepse, të mos kesh në pikun e verës 8 orë rrymë në 24 orë është më shumë se reduktim. Është mosrespektim i skajshëm i konsumatorëve kosovarë, përbuzje e tyre ordinere dhe nëpërkëmbje e pakuptueshme e qytetarëve që çmimin e energjisë kaherë e paguajnë shtrenjtë, dhe shumë më me kosto të lartë me shëndetin e tyre. Ç’do të bëhet në dimrin e sivjetshëm?

Mehmet GJATA

Kosovën e ka përfshirë që tani, në gjysmën e muajit gusht, kriza elektroenergjetike. Sot nuk ka energji të mjaftueshme për konsumin kosovar, që është ndjeshëm më i vogël se në muajtë e acartë të dimrit.

Sot, në mungesë të rrymës, kanë filluar reduktimet jo të pakta, bile goxha të ashpra. Është reduktim i madh që në muajin gusht të ndalet furnizimi me energji elektrike 2 orë dhe të kesh rrymë 6 orë, sepse, të mos kesh në pikun e verës 8 orë rrymë në 24 orë është më shumë se reduktim. Është mosrespektim i skajshëm i konsumatorëve kosovarë, përbuzje e tyre ordinere dhe nëpërkëmbje e pakuptueshme e qytetarëve që çmimin e energjisë kaherë e paguajnë shtrenjtë, dhe shumë më me kosto të lartë me shëndetin e tyre.

Reklama e sponzorizuar

Reduktimet në pikun e verës

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) ka njoftuar sot se ka pranuar urdhëresë nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 08:00 e të hënës. Këto kufizime do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët, pra gjatë ditës së hënë reduktimet do të jenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime.

Kjo është krizë e shkaktuar thuaja qëllimisht dhe me papërgjegjësinë e skajshme të KESCO-s, KEDS-it, KOSTT-it, KEK-ut dhe gjithsesi, mbase më së shumti, me papërgjegjësinë e qeveritarëve, me indolencën dhe paaftësinë e tyre për të ndërmarrë ndonjë masë për të tejkaluar, ose së paku për të zbutur mungesën e rrymës, për të parandaluar terrin në muajt e verës, qoftë me sigurimin e energjisë nga kapacitet prodhuese vendore, qoftë me sigurimin e rrymës nga importi, edhe me çmime të larta.

Fundja, sigurimi i energjisë elektrike për konsumin e vendit, edhe verës edhe dimrit, është kompetencë, detyrë dhe obligim i akterëve të sipërpërmendur. Dhe, duhet thënë troç, pa kalkulime dhe retorikë të kamufluar se qeveritarët aktual të Kosovës, asnjëri “përbe” nuk kanë bërë asgjë, asnjë veprim të vetëm sivjet as për ta zbutur mungesën e energjisë elektrike, as për të shtuar prodhimin nga kapacitetet vendore, as për të nisur ndonjë kapacitet të ri elektroenergjetik, qoftë nga energjia në bazë të qymyrit, që e kemi me bollëk dhe në sipërfaqe të tokës, qoftë nga energjia e rinovueshme.

Kosova, pra, sa i përket kapaciteteteve prodhuese të energjisë elektrike, ka mbetur aty ku ka qenë, aty ku ishte vjet kur u përfshi në krizën e rëndë dhe të egër energjetike: me tre blloqe të termocentraleve Kosova A (A 3, A 4 dhe A5) dhe me dy blloqe të Kosovës B (B 1 dhe B2) me gjithsej rreth 1. 000 e ca megavatë si dhe me diku rreth 200 megavatë-orë energji nga burimet e ripërtëritshme (kapacitetetet prodhuese në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës me diku rreth 140 megavatë-orë bashkarisht dhe me dhjetëra megavat-orë nga minihidrocentralet e Kosovës).

Kjo sasi do të ishte më se e mjaftueshme për muajt e verës, por që në fillim të korrikut kanë nisur remontet e planifikuara në blloqet e termocentraleve të Kosovës, janë paraqitur mungesa evidente të rrymës. Në këtë mënyrë, edhe sot në ditën e aplikimit të reduktimit të ashpër të rrymës, në prodhim gjenden vetëm njëri bllok i Kosovës B, më saktësisht B1, sepse që nga 7 gushti B2 është në remont të planifikuar dhe mungesa e energjisë nga B2-shi është diku rreth 250 megavatë-orë. Kaq është kapaciteti i këtij blloku.

Po kështu, edhe blloku A5, që nga fillimi i këtij muaji është jashtë procesit të prodhimit, për shkak të remontit të planifikuar kapital që do të zgjatë diku rreth tre muaj. A5-shi ka prodhuar, diku rreth 150-180 megavatëorë kur ishte në prodhim, dhe tani edhe kjo sasi e energjisë elektrike i mungon Kosovës.

Remontet e planifikuara, të ditura kaherë publikisht dhe masat zyrtare të papërmbushura

Të gjitha këto zhvillime paraprakisht kanë qenë të ditura dhe të njohura deri në detaje nga ana e qeveritarëve. Paraprakisht, që në qershor plani i detajuar i remonteve të planifikuara është bërë publik nga ana e KEK-ut, dhe këtë plan të detajuar e ka publikuar disa herë edhe Buletini Ekonomik.

Pra, nuk ka ndodhë ndonjë befasi, apo ndonjë defekt teknik i papritur në kapacitetet prodhuese të vendit. Thuaja të gjitha ecuritë janë zhvilluar sipas parashikimeve. Por siç po shihet, asnjë masë të vetme nuk e kanë ndërmarrë për tejkalimin e gjendjes.

Qeveritarët dhe ministrja Artane Rizvanolli, si më kompetentja për të siguruar energjinë e mjaftueshme për konsumin e Kosovës, janë mjaftuar me thirrjet për kursim të energjisë, për fajësime të parreeshtura për dështime 20 e sa vjeçare në energjetikë të qeverive paraprake dhe për ta gjetur jo pak fajin edhe te kriza globale energjetike dhe çmimet super të larta të importit.

Ç’është e vërteta, në fillim të këtij muaji, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 68 vota për, asnjë kundër e abstenim, kanë votuar vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike. Sipas arsyetimit, ky vendim është marrë nga gjendja aktuale botërore energjetike.

“Qeveria e Kosovës merr vendim që të shpallen masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, e shtyrë nga gjendja aktuale botërore energjetike: rritja e shpejtë e çmimit të importit të energjisë, si dhe paralajmërimi i ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane që mund të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimit të importit”, thuhej në njoftimin e qeverisë.

Këto masa do të mbesin aktive për 60 ditë.

“Masat e marra do të mbesin në fuqi për 60 (gjashtëdhjetë) ditë pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës. Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 (tridhjetë) ditësh me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë”, është theksuar në njoftim.

Ky vendim, siç është thënë, përfshinë: -Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit; Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

Nga këto masa tashmë është përmbushur vetëm mbështetja financiare e KOSTT-it (Qeveria kohë më parë ka miratuar ndarjen e 40 milionë eurove për KOSTT-in, për obligimet ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike (ENTSO). Ndërkohë, nuk është konkretizuar ndonjë masë tjetër pas marrjes së vendimit që të shpallen masat e emergjencës në furnizimin me energji elektrike.

Ç’është më keq, Qeveria aktuale, nuk i ka përbushur as obligimet e premtuara të subvencionimit të importit ndaj KESCO-s në shumën 100 milionë eurove, të zotuara që në krizën e madhe elektroenergjetike që kishte përfshirë Kosovën në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti. Dhe, tani, kjo shumë parash që Qeveria ia ka borxh KESCO-s, po i shërben si alibi goxha e fuqishme për të kërkuar ngritje të reja çmimesh, madje dyfishim të atyre ekzistueseve, edhe ashtu shumë të larta, pas tarifave të ngritura që më 9 shkurt tëkëtij viti.

Kërkesa e diskutueshme për ngritje të reja çmimesh të energjisë elektrike

Në këtë mënyrë, siç është njoftuar më 9 gusht, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka pranuar Aplikimin për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale nga KESCO.

Sipas njoftimit, KESCO kërkesën e saj e bazon në mos-disbursimin e subvencionit të zotuar nga Qeveria e Kosovës dhe situatën e krijuar në tregun e energjisë me shumicë si pasojë e rritjes enorme të çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.

“Në aplikacionin për shqyrtim të jashtëzakonshëm, KESCO thekson se është duke operuar nën kosto, pasi që kostot e KESCO-s nuk janë duke u mbuluar përmes tarifave dhe subvencionit të lartpërmendur, si rezultat i mos-disbursimit të subvencionit nga Qeveria e Kosovës”, thuhej në komunikatën për media.

Sipas KESCO-s, vlera e subvencionit për periudhën 9 shkurt – 30 qershor 2022 ka tejkaluar shumën prej 32.8 milionë euro.

“Vetëm mungesa e mos-disbursimit të subvencionit tejkalon pragun e materialitetit prej 5% ashtu siç parashihet në nenin 11, të Rregullores për të Hyrat e FSHU-së. Rregullatori në propozimin përfundimtar për tarifat e energjisë elektrike me pakicë kishte marrë parasysh alokimin e subvencionit shtesë prej 10 milion euro sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 05/55 të datës 21.01.2022, si dhe vendimin Nr. 01/60 të datës 05.02.2022, për subvencionimin e energjisë në vlerë prej 90 milion euro”, thuhet në kërkesë.

ZRRE ka thënë se do të shqyrtojë këtë kërkesë dhe do të mbajë të njoftuar publikun në lidhje me veprimet që do të ndërmerren, por deri më sot nuk ka ndonjë njoftim për publikun se çka është bërë me kërkesën e KESCO-s, sikundër që deri më sot nuk asnjë përgjigje të vetëm, qoftë pohim, mohim, apo përgënjeshtrim nga ana e Qeverisë për akuzat e KESCO-s për mospagesën e subvencioneve të zotuara.

Alarmet për krizën e pritshme elektroenergjetike në muajt e dimrit

Në këtë mënyrë, Kosova që në muajt e verës, është futur në krizë të re elektroenergjetike, ndërsa, të gjithë, ama të gjithë, si njohësit e zhvillimeve energjetike, përfaqësuesit e KEDS-it dhe KESCO-s e të KOSTT-it, por edhe autoritetet, kanë nisur tashmë të alarmojnë se “dimri i këtij viti do të jetë mjaft sfidues për shkak të krizës energjetike botërore, pamundësisë që vendi të përmbushë nevojat e tij me prodhimin e brendshëm të energjisë elektrike dhe çmimeve të larta të importeve”.

Dhe po e përkujtojmë edhe një herë se sfidat elektroenergjetike të pritshme i kemi pasur që vjet të gjithë, të ditura. Tani vetëm sapo përsëriten.

Shqetësimet me intonacion alarmues për krizën e mundshme të pritshme gjatë muajve të ftohtë të dimrit po i shpërfaqin pa ndonjë efekt të prekshëm edhe opozitarët aktual. Në retorikën e tyre më shumë “vajtuese” sesa me përmbajtje masash konkrete për tejkalimin e mundshëm të gjendjes, opozitarët, gjithsesi, si gjithnjë deri më tash, po e shfrytëzojnë krizën energjetike edhe si atu për të shpërfaqur aspiratat e tyre politike.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, edhe sot, për të satën herë sivjet, ka paralajmëruar se “dimri i këtij viti pritet të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë”.

Sipas tij, reduktimet e energjisë dhe faturat e shtrenjta do të godasin secilën familje kosovare e secilin biznes – prodhues, tregtar e shërbyes pa dallim. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se kjo krizë e re, nuk buron në Kosovë, por “përballueshmëria e saj varet vetëm nga politikat e Qeverisë së Kosovës – e cila, ndonëse e paralajmëruar me kohë, vazhdon me kokëfortësi vetëm të vëzhgojë”.

“Rryma nuk ruhet në frigorifer, por ajo blihet sot për nesër gjithandej në Evropë. Termocentralet riparohen me kohë; resurset alternative përgatiten për prodhim – s’mbyllen sikurse i kanë mbyllur sot – e marrëveshjet ndërshtetërore paraprihen kur përballë ke një krizë katastrofike si kjo e ardhmja e jonë, rajonit e më gjerë”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se në dy vjet qeverisje, asnjë potencial i ri energjetik nuk po merr formë.

“Para se të deponosh duhet të prodhosh. Së pari ‘fabrika’ më pas ‘depoja’. Një depo energjetike pa prodhim është investim nga fundi. E ndonëse kishim gjithë pranverën e verën në dispozicion, asnjë masë grumbulluese e resurseve alternative për ngrohje nuk është ndërmarrë”, ka thënë ai.

Sipas tij, familjet e goditura me inflacion rekord e me mungesë investimesh kapitale si asnjëherë më parë, as nuk janë paralajmëruar për krizë, e as nuk u janë lehtësuar çmimet e drunjëve, peletit e lëndëve djegëse me kohë.

“Në shtator, kur vera të mbarojë, një pako e re fiskale do duhej të ishte e gatshme; siç do të duhej të ishin të gatshme subvencionimet dhe koordinimet me institucionet e energjisë. Asnjë nga këto masa nuk diskutohet në Kosovë sot. Po futemi drejt theqafjes, me një Qeveri që s’ka plan e as ide si të na kapërcejë përtej dimrit më të vështirë ndonjëherë. Ndonëse do t’i bëjë dy vjet pa lënë asnjë shenjë, e edhe me një dimër të vështirë, ata do të shërbehen me arsyetimet e zakonshme tashmë për 20 vjet”, ka shkruar ai.

Ndërsa Avdullah Hoti, po ashtu, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në një nga seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës, pasi ka reaguar për ndarjen e 40 milionë eurove KOSTT-it, ka thënë se po dëshmohet çdo ditë se menaxhimi i sektorit të energjisë në përgjithësi dhe i krizës në veçanti nga ana e Qeverisë, është kaotik.

Sipas tij, i gjithë sektori energjetik është në situatë të vështirë, pasi në afat të gjatë, furnizimi me energji nuk zgjidhet me bateria, pasi ato ndihmojnë vetëm në stabilitetin e sistemit.

“Dimrin e kaluar, emergjenca energjetike u shpall në fund të dhjetorit, kur ishte tepër vonë për të intervenuar. Ndërkaq, sivjet u miratua një vendim para dy jave në Kuvend, por ai nuk përmban asnjë masë konkrete, përveç detyrave të rregullta që duhet të kryejë KEK-u pavarësisht këtij vendimi dhe thirrjeve për kursim të energjisë”, ka shkruar Hoti tutje.

Sipas Hotit, në fund të sezonit dimëror, Qeveria nuk i zbatoi as zotimet e veta.

“Sot kompanitë kryesore energjetike, si KESCO, KEDS, KEK dhe KOSTT, kanë borxhe ndaj njëra-tjetrës. Ato e kanë të vështirë të kryejnë edhe obligimet e tyre të rregullta, e lëre më të blejnë energji paraprakisht për dimër dhe të përgatiten për krizën që na pret”, tha ai.

Si do të ngrohen kosovarët në dimrin e sivjetshëm?

Çështje e hapur dhe shumë sfiduese për kosovarët, shumica absolute të varfër, mbetet kriza e paralajmëruar në dimrin e pritshëm sfidues. Ç’do të bëhet, si do të ngrohen kosovarët kur dihet se deri më tash gjatë dimrit mbi 70 për qind e energjisë elektrike në Kosovë shpenzohet për ngrohje, si do të arrijnë të paguajnë faturat e energjisë elektrike nëse eventualisht ngriten sërish çmimet e rrymës, që shkuan në qiell në shkurtin e sivjetshëm?

Qeveria dhe zinxhiri i kompanive që kanë obligim ta sigurojnë rrymën e nevojshme për konsumin e kosovarëve, duhet ta kenë parasysh se në ditët e acarta dhe me ftohtësi të madhe nuk vlejnë apelet për ta kursyer rrymën. Nuk vlejnë në dimrin e ftohtë që “qytetarët të orientohen në sistemet e tyre alternative të ngrohjes, në mënyrë që të kursehet energjia elektrike.

Fundja, që tani shtrohet pyetja si të kalohet në forma të tjera alternative të ngrohjes, kur një ton pelet, bie fjala, ka arritur ta ketë çmimin mbi 400 euro, ose një metër dru dita ditës po i ofrohet 100 eurove. Lehtë është të kërkosh të kursesh, ose të gjenden alternativa ngrohjeje për ta lehtësuar sistemin elektroenergjetik të vendit, kur nuk ofrohet alternativë e përballueshme për të pasur ngrohje të domosdoshme në ditët dimërore. Pastaj, edhe kërkesa për të ngritur tarifat e çmimit të energjisë elektrike është që tani shumë diskutabile.

Konsumatori i varfër kosovar nuk i di problemet e krijuara në relacionin KESCO-Qeveri, as borxhet ndërmjet tyre. Ata, vetëm shtrojnë dilemën reale, si do të arrijnë të paguajnë faturat e ngritura të rrymës, edhe ashtu me çmime enorme ekzistuese. Dhe kriza energjetike, praktikisht ka filluar në Kosovë. Nisja e reduktimeve sot, flet bindshëm për krizën, edhe tani në muajt e verës. Natyrisht, kriza, në muajt në vazhdim do të vijë duke u thelluar me rritjen e kërkesës për energji dhe me rritjen eventuale të çmimeve. Këto janë faktet, dhe këto fakte ka qenë e domosdoshme t’i kenë parasysh autoritet kosovare. /Buletini Ekonomik/