Mungesa e punëtorëve do ta detyrojë gastronominë të kalojë në sistemin e “vetë-shërbimit”

Është një sistem që praktikohet në disa vende evropiane.

Një prej sektorëve më fitimprurës në Kosovë, gastronomia mund të kalojë në sistemin e vetë-shërbimit.

Këtë e ka thënë Kryetari i Odës Hotelerisë e Turizmit në Kosovë, Hysen Sogojeva.

Reklama e sponzorizuar

Në një prononcim për Kanal10, Sogojeva ka vlerësuar se nëse ky trend vazhdon në këtë mënyrë, atëherë kafiteritë dhe gastronomia do të kalojnë në sistemin e vetë-shërbimit.

S’ka punëtorë

Kjo veçse dihet. Sipas raportimeve të instituteve relevante, 90% e punëtorëve nga 20 deri në 40 vjeç po largohen nga vendi.

Shkak parësor duket të jetë paga, ani pse me vendim të qeverisë së datës 13 prill është miratuar projektligji që cakton pagën minimale në vlerë prej 250 euro neto apo 264 euro bruto.

Poashtu, atëbotë ishte vendosur edhe për heqjen e tatimit për 250 euro pagë.

Joaktivë

Në të dhënat e Agjencisë së Statistikave (ASK) mësohet papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind.

Të dhënat respektive për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 350 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 120 mijë janë të papunë.

Sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë.

Kjo nënkupton se nuk janë të punësuar, por as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

Sektori publik dhe ai privat

Gjithmonë ka pasur dallim dhe atë të dukshëm.

Në sektorin publik janë të punësuar mbi 80 mijë persona. Atje paga është afërsisht 620 euro.

Pse njerëzit këtu, për dallim nga vendet e tjera parapëlqejnë sektorin publik është fakti se nuk raportohen probleme me mosrespektim të Ligjit të Punës, kurse në atë privat, punëtorët përballen me orar të stërzgjatur të punës, mohim të pushimit vjetor, punë pa kontratë, pagë të ulët etj.

Gjithsesi, raportohet se bujqësia, gastronomia, ndërtimtaria dhe tregtia kanë më së shumti vështirësi në gjetjen e punëtorëve.

‘Frika nga liberalizimi’

Liberalizimi i vizave mund të jetë një tjetër arsye pse numri i punëtorëve në vendin tonë mund të bie.

Mundësia për ikje edhe nga ata që aktualisht janë të punësuar, sipas ekspertëve të ekonomisë pritet të ndikojë edhe më shumë në largim.

Gjithsesi, kjo nuk mund të jetë arsye për mosliberalizim vizash, gjë për të cilën jemi duke vuajtur ne, kur bëhet fjalë për rajonin.