Ndalen sërish punimet në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë

Që prej dy ditësh janë ndalur punimet në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë.

Kompania siç duket ka tërhequr stafin, pasi nuk duket asnjë punëtor, përcjell Jepi zë.

Reklama e sponzorizuar

Aty kanë mbetur vetëm disa makineri dhe zhavor, të cilat janë vendosur si barrikadë nga kompania në pjesët ku është punuar.

“Jepi zë” mëson se ndalimi i punimeve ka ardhur si shkak i mospajtimeve rreth pagesave.

Ndalimin e punëve në magjistrale, e ka konfirmuar për “Jepi zë”, edhe pronari i kompanisë “Joos Krasniqi”, Agron Krasniqi.

Ai thotë se arsyeja e ndalimit të punimeve, është pikërisht mospagesa e faturave.

“Po, punimet janë ndalur pasi nuk janë paguar faturat që nga marsi i vitit 2021. E kemi njoftuar Ministrinë se punimet do të ndalen për arsye financiare”, ka thënë Krasniqi për “Jepi zë”.

Kujtojmë se qysh vitin e fundit ishte rritur dinamika e punës dhe ishte premtuar se kjo rrugë do përfundohej në vitin 2022.

Ndryshe, rruga Mitrovicë-Prishtinë ka hyrë në historinë e zezë, pasi janë bërë mbi 10 vjet që kur ka nisur të ndërtohet.