Nuk ndalet inflacioni në Shqipëri, arrin 7.5% në korrik, rekord të ri të 20 viteve

Rritja e çmimeve nuk ka ndalur dhe në korrik, ndonëse ritmet janë ngadalësuar në krahasim me muajt e mëparshëm.

Sipas INSTAT, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2022 është 7,5%, nga 7.4% që ishte muajin e mëparshëm. Edhe në korrik rritja e çmimeve u ndikua më së shumti nga ushqimet dhe pijet alkoolike si dhe nga karburantet.

Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,2%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2022, krahasuar me Qershor 2022 është 0,2%.

Reklama e sponzorizuar

Në korrik, inflacioni ishte në nivelin më të lartë që nga shkurti i vitit 2002, kur treguesi ishte 7.6%.

Inflacioni është më se dy herë më i lartë se objektivi i shënjestruar i bankës së Shqipërisë prej 3%.

Banka e Shqipërisë, e cila ka si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, që nga muaji mars i këtij viti ka rritur tre herë normën bazë në ekonomi, duke eçuar nga minimum historik prej 0.5% në 1.75% në fillim të gushtit, në përpjekje për të frenuar rritjen e inflacionit.

Guvernatori Gent Sejko deklaroi gjatë vendimit të fundit se informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se presionet inflacioniste janë më të gjera dhe më të forta se vlerësimet e mëparshme. Ky gjykim pasqyron rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet botërore, si dhe kërkesën e lartë e të qëndrueshme për mallra e shërbime në vend.

Në eurozonë, në korrik inflacioni arriti në nivel rekord prej 8.9%. Më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi, duke sinjalizuar se rritja e çmimeve të konsumit do të vazhdojë më tej, pasi inflacioni në Eurozonë vetëm po rritet.

Nga erdhi rritja e çmimeve

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,59 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +1,14 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,66 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,32 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,27 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,25 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,09 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti”, “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor”me +0,02 pikë përqindje secili.

Sipas INSTAT Krahasuar me muajin Korrik 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 19,7%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 13,2%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 6,0%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,0%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4,2%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,4%,

“Veshje dhe këpucë” me 2,1%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,5%, “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,7% secili, “Shëndeti” me 0,5%, “Argëtim dhe kulturë” me 0,2%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u rritën me me 30,6%, pasuar nga nëngrupet “bukë dhe drithra” me 20,0%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 18,2%, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 15,4%, “peshk” 11,4%, “zarzavate përfshirë patatet” me 9,5%, “mish” me 9,1%, etj.

Krahasuar me muajin Qershor 2022, çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” u rritën me 0,7%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,6%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5% secili, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,4% secili, “Shëndeti” me 0,3%, “Komunikimi” me 0,2% dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 3,7%, pasuar nga grupi “Argëtim dhe kulturë” me 0,1%.