Pepaj: Na pret një nga dimrat më të vështirë, kurseni rrymën

Në kohët kur çmimet e energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare çdo ditë po arrijnë rekorde të reja, drejtori menaxhues i Zyrës së Rregullatorit për Energji, Petrit Pepaj ka paralajmëruar një nga dimrat më të vështirë në aspektin energjetik.

Ai ka thënë se këtë dimër, ngrohja me energji elektrike nuk është ide e mirë, dhe është ndër opcionet më të shtrenjta të ngrohjes.

‘Parashikimet janë se na pret një nga dimrat më të vështirë në aspektin energjetik, nuk janë të mira idetë që të ngrohemi me energji elektrike. Kjo është shumë e shtrenjtë’, ka shkruar Pepaj në rrjete sociale.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa ka kërkuar nga konsumatorët kursimin e energjisë elektrike, Pepaj ka thënë se nëse ka pengesa në furnizim dhe jo kursim të mjaftueshëm nga konsumatorët, atëherë kursimi mund të bëhet i detyrueshëm.

‘Transparenca është e rëndësishme, por veprimet duhet të merren shpejt në situata krize’, ka thënë Pepaj.

Ndryshe, sot në tregun hungarez të energjisë elektrike, HUPX, çmimi për një megavat orë në kohë të pikut ka arritur në rekorde të reja, apo në 794.95 euro për megavat në orë të pikut, apo kur kërkesa për rrymë është e madhe.

Në këtë treg Kosova kryesisht importon energjinë elektrike.

Derisa çmimi mesatar tregutes i një megavati gjatë ditës dhe jasht orëve të pikut sillet rreth 616 euro për megavat, mesatarja e megavatit në orë të pikut në tregun hungarez për sot është vlerësuar në 640 euro për megavat.

Të gjitha parashikimet tregojnë se çmimi i energjisë elektrike ne tregjet nderkombetare do ta tejkaloj vlerën prej 1000€/MWh gjate sezonit dimëror dhe kjo do të vështirësoj edhe më shumë jetesën në Kosovë, por edhe në të gjithë Evropën.