Projektligji i Qeverisë Kurti, synohet kontrollimi i tregtisë me produktet bazë në kohë krizash

Fotografi ilustruese

Rritja enorme e çmimeve të produkteve bazike por edhe produkteve të tjera, si dhe dyshimet për manipulimet e tregtarëve me çmimet, ka lëvizur Qeverinë e Kosovës. Ajo tashmë po synon të marrë masa veprues për parandalimin dhe mbrojtjen e xhepit të qytetarëve.

Qeveria, kohë më parë pati marrë vendim për caktimin e çmimit tavan për derivate, gjë që ka ndikuar që çmimi i naftës dhe i benzinës të pësojë rënie të lehtë.

Njëjtë pritet të veprojë shumë shpejt edhe për produktet bazike, derisa inflacioni tashmë ka shkuar në 14,2%.

Reklama e sponzorizuar

Çka parasheh projektligji?

Në draft Projektligjin që ka parë gazeta Nacionale, parashihet që me anë të ligjit të përcaktohet marzha e fitimit ose vendosja e çmimit maksimal për produketet elemetare të shportës së qytetarëve.

Projektligji për masat e përkoshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike, ka për qëllim që të rregullojë masat mbrojtës të të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët në kohë të krizave ekonomike dhe mënyrën e zbatimit të tyre.

Produkte themelore sipas këtij projektligji janë; drithërat, mielli gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, krypa e kuzhinës, vezët e pulës, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, druri për djegie dhe produktet e tjera themelore të konsumit për jetesë, të përcaktuara me vendim të Qeverisë.

Masat mbrojtëse që parashihen me Nenin 5 i këtij Projektligji ndër më të rëndësishmet janë, caktimi i çmimit maksimal dhe caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë.

1. Masat mbrojtëse për furnizimin me produkte themelore janë:

1.1. kufizimi i sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar;

1.2. ndalimi i largimit nga shitja e produktit;

1.3. caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë,

1.4. caktimi i çmimit maksimal i lejuar,

1.5. detyrimi i operatorit ekonomik për të ruajtur pjesën e caktuar të stokut të produktit;

1.6. detyrimi i operatorit ekonomik për t’u furnizuar dhe për të ofruar për shitje produktet themelore si para caktimit të masave mbrojtëse;

1.7. ndalimi, kufizimi i eksportit;

1.8. masat e tjera të përcaktuara me vendim të Qeverisë, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit.

2. Masat mbrojtëse të parapara në paragrafin 1 të këtij neni, i cakton Ministri në përputhje me nenin 7 i këtij ligji.

3. Masat mbrojtëse caktohen në përpjesëtim me nevojën për mbrojtjen e konsumatorit dhe duke marrë parasysh barrën ndaj operatorit ekonomik.”, thuhet në neni 5 të Projektligjit për masat e përkoshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike.

E për krejt operatorët ekonomikë që nuk e zbatojnë këtë ligjin parashihen edhe gjoba.

Gjobat variojnë prej 1 mijë euro deri në 20 mijë euro, varësisht nëse ndëshkohen personat juridik apo ata fizik.

Kushdo që nuk zbaton masat mbrojtëse të caktuara me vendimin e Ministrit, për çdo produkt themelore që shet ose mban në kundërshtim me masat mbrojtëse dënohet me gjobë si në vijim:

2.1. prej një mijë (1.000) deri në njëzetë mijë (20.000) euro, si person juridik;

2.2. prej pesëqind (500) deri në pesë mijë (5.000) euro, si person fizik që ushtron biznes individual;

2.3. prej pesëqind (500) deri në dy mijë (2.000) euro, si person përgjegjës i personit juridik.

3. Krahas dënimit për kundërvajtje nga paragrafi 2 i këtij neni, inspektorati i tregut mund të shqiptoje edhe masën mbrojtëse me të cilën i ndalohet tregtia në kohëzgjatje prej 30 ditësh.”, thuhet në nenin 9 “Mbikëqyrja dhe sanksionet”.

Inflacioni 14,2% e kriza energjetike

Ndërkohë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave, të muajit korrik, shkalla e inflacionit ka arritur në nivelin e 14.2 për qind, që është ndër nivelet më të larta në histori të vendit.

Në muajin korrik për dallim nga qershori, buka dhe drithërat janë shtrenjtuar për 3.9%, mishi 1.7%, qumështi, djathi dhe vezët 4.8%, pemët 3.6%, pije alkoolike 3.5% kurse lëndët djegëse 7.4%.

1 kilogram oriz në vitin 2021 kishte kushtuar 1.42 euro, kurse aktualisht kushton 1,48. Mielli nga 0.52 cent sa kishte kushtuar një kilogram në vitin 2021, ka arritur në 0.80 cent. Është rritur edhe çmimi i bukës. Nga 0.36 cent sa kushtonte, buka sot kushton rreth 0.50 cent.

Një rritje më e madhe e çmimeve është vërejtur te mishërat. Mishi i gjedhit nga 6.64 euro kilogrami, ka shkruar në 8.29 euro. Mishi i viçit nga 7.45 euro, ka shkuar në 9.19 euro. Mishi i pulës në 2.65 euro ka shkuar në 3.86 euro.

Një litër qumësht në vitin 2021 kushtonte 0.91 cent, aktualisht çmimi është 1.12 euro. Jogurti nga 0.86 cent ka shkuar në 1,07 euro. 30 copa vezë kushtonin 2.15 euro, e tash kushtojnë 3.40 euro. Vaji nga 1.56 euro, në 2,76 euro.

Gjithashtu, në Kosovës është paralajmëruar dimër i vështirë sa i përket situatës me energjie elektrike. Tashmë, KESCO ka kërkuar dyfishim të trafiave të energjisë elektrike.

Sipas kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, nëse rritet çmimi i rrymës, atëherë do të ketë sërish rritje të çmimeve.

Në anën tjetër, njohës të ekonimisë, kanë kritkuar qeverinë për caktimin e marzhës tregtare, duke thënë se është vendim anti-kushtetues.

Projektligji ende nuk është dërguar për votim në Kuvendin e Kosovës dhe deri atëherë qytetarët do të vazhdojnë të ballafaqohen me çmime në rritje e sipër./Nacionale/