Sondazhi: Inflacioni, shqetësimi kryesor i qytetarëve në Kosovë

Rritja e çmimeve vazhdon të jetë shqetësimi kryesor i qytetarëve në Kosovë.

Sipas një hulumtimi të realizuar në muajin shkurt nga Pyper dhe Valicon del se Kosova po përjeton më pak përmirësim financiar sesa vendet e tjera të rajonit.

“Kosova po përjeton më pak përmirësim financiar sesa vendet e tjera. Të anketuarit po blejnë më pak se gjashtë muaj më parë. Inflacioni ka pasur ndikim të madh në Kosovë, ku 73 për qind e të anketuarve e kanë përmendur atë si shqetësimin kryesor”, thekson hulumtimi.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, qytetarët situatën aktuale po e perceptojnë si të pashpresë, kaotike dhe të pakëndshme.

“Indeksi i Normalitetit në Kosovë ka dalë të jetë më i ulëti që tregon se kosovarët e perceptojnë situatën aktuale si të pashpresë, kaotike dhe të pakëndshme”, shton raporti.

Aty thuhet se kosovarët kanë më shumti besim në qeverinë e tyre krahasuar me disa vende të Ballkanit.

“Kosovarët kanë më së shumti besim në qeverinë e tyre në krahasim me Slloveninë, Kroacinë, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën”, përfundon Pyper.

Indeksi i Normalitetit, që mat situatën aktuale, ndryshon nga -44 në Kosovë deri në 1 në Kroaci. Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Sllovenia kishin pikë negative, tregues se respondentët në ato vende po përjetojnë një nivel pesimizmi dhe kaosi në jetën e tyre.

Indeksi i Statusit Financiar tregoi një trend të ngjashëm. Serbia kishte nivelin më të ulët të indeksit me -47, ndjekur nga Kosova me -34 dhe Bosnja e Hercegovina me -32 pikë.

Niveli i Konsumit ka shënuar po ashtu zvogëlim në të pesë shtetet, ku Serbia kishte nivelin më të ulët me -66 dhe Kosova me -64 pikë. Përgjigja më e zakonshme ndaj këtyre ndryshimeve ishte se respondentët po blinin më pak produkte se sa gjashtë muaj më parë.