Për vitin 2021 tatimi mbi shitjen e pasurisë së paluajtshme i derdhur në arkën e shtetit fiksohet pranë 4.6 miliardë lekëve.
Ky tatim aplikohet mbi diferencën e çmimit të blerjes dhe shitjes së një prone dhe në pjesën dërrmuese mbi individë apo familje, pra nuk përfshihet shitja e një prone për herë të parë, nga ndërtuesi. Bazuar nga kjo shifër, “Scan Intel” ka analizuar se sa fitojnë individët dhe familjet shqiptare në vit nga shitja e pasurisë së paluajtshme. Rezulton se gjatë vitit të kaluar, atë 2021, fitimi nga shitja e pronave fiksohet pranë 30.7 miliardë lekëve, ose rreth 263 milionë euro.
Kjo shifër përfaqëson vetëm fitimin neto, dhe jo vlerën e shitjes së pronave në total, pra diferencën mes çmimit të shitjes së pronës dhe atij të blerjes fillestare.
Ajo që bie në sy nga shifrat është fakti se kjo shifër ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Përgjatë vitit 2020 ky fitim fiksohej pranë vetëm 24 miliardë lekëve, ose rreth 209.2 milionë euro, pra, 54.3 milionë euro më shumë.
Gjatë vitit 2019 ndërkohë, kur janë edhe të dhënat e fundit publike për këtë normë tatimi si zë më vete, shifra flet për vetëm 18 miliardë lekë fitime, ose rreth 155 milionë euro. Pra në harkun e vetëm 3 viteve, fitimi i shqiptarëve nga shitja e pasurive të paluajtshme është rritur me plot 69.2%, ose 107.85 milionë euro.
Kjo rritje e ndjeshme e fitimit nga pronat si aset është rrjedhojë e rritjes së çmimit të pronave por edhe rrjedhojë e zgjerimit të ndjeshëm të tregut imobiliar gjatë viteve të fundit. Një analizë tjetër e “Scan Intel” pak kohë më parë tregonte se shqiptarët fitojnë rreth 242 milionë euro në vit, referuar të dhënave të vitit 2021, nga qiradhënia (shiko këtu).
Edhe në këtë rast, rritja përgjatë viteve të fundit është mjaft e theksuar. Pra, nëpërmjet shitjes së pronave apo shfrytëzimit të tyre për qiradhënie, shqiptarët kanë fituar përgjatë vitit 2021, rreth 505 milionë euro, çka është e barabartë me thuajse 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit tonë. Kjo shifër në vitin 2019 fiksohej pranë vetëm 385 milionë euro, pra në rritje me rreth 120 milionë euro.
Rritja e çmimit të pronave dhe zgjerimi i tregut imobiliar duket se ka çuar në një rritje të ndjeshme të fitimeve kryesisht për familjet shqiptare, dhe gjatë viteve të fundit kjo tendencë është theksuar ndjeshëm, me një rritje deri pranë 70%./Scan Intel/