Të rinjtë rumunë arrijnë të kursejnë para çdo muaj

Rritjet e çmimeve të ushqimeve, gazit dhe energjisë elektrike, për të mos përmendur normat më të larta të interesit, po dëmtojnë buxhetin e rumunëve, por një e treta e të rinjve, ende arrijnë të kursejnë para çdo muaj, tregon një sondazh i fundit. 

Në 12 muajt e fundit, më shumë se gjysma e rumunëve midis moshës 55 dhe 75 vjeç, thanë se nuk kanë marrë hua para, por njëkohësisht, pak më shumë se një e treta e tyre, nuk kanë arritur të lënë mënjanë para, sipas një sondazhi nga Kantar Poland. 

Mjedisi më i ashpër ekonomik po përballet disi më mirë nga të rinjtë. Përafërsisht, 35% e të rinjve deri në moshën 34 vjeç, fitojnë para që tejkalojnë shpenzimet e tyre mujore. Vetëm 17% e personave të moshës 35-54 vjeç dhe 13% e personave të moshës 55-75 vjeç, mund të thonë të njëjtën gjë. 

Reklama e sponzorizuar

Në përgjithësi, shumica e të anketuarve në Rumani (63%), pohojnë se u mbetet një sasi e vogël parash në fund të muajit, pas shpenzimeve. Rreth 13% thonë se mbesin pa para. Mesatarisht, 51% e europianëve thonë se kanë ende para pas shpenzimeve mujore, ndërsa 15% thonë se e shpenzojnë të gjithë buxhetin e tyre mujor. 

Më shumë se një e treta (36%) e rumunëve, pranuan se nuk kishin ruajtur asnjë kursim vitin e kaluar, sipas të njëjtit sondazh. Rreth 30% thonë se ishin në gjendje të kursenin një sasi të vogël parash çdo muaj. Kjo përqindje nuk ndryshon shumë në varësi të moshës apo gjinisë së të anketuarve. Vitin e kaluar, burrat (34%) arritën të kursenin para më tepër se gratë (28%). 

Shpenzimet mujore më të rëndësishme të rumunëve, siç zbulon anketa, lidhen me shërbimet thelbësore dhe ushqimin. Më shumë para janë shpenzuar edhe për sigurimin e banesave dhe shëndetit, vitin e kaluar. Ndërkohë, rreth gjysma e rumunëve blejnë rroba, këpucë dhe investojnë në shërbime dhe produkte të kujdesit personal, çdo muaj.