Termocentralet e Kosovës aktualisht prodhojnë 760 megavat-orë rrymë, tepricat i huazohen Shqipërisë

Termocentrali 'Kosova B'

Kosova, nga prodhimi i dy blloqeve të termocentraleve Kosova B dhe dy të tjerave të Kosova A, gjithsej diku rreth 760 megavat-orë energji elektrike, po i plotëson të gjitha nevojat e konsumit të vendit, ndërsa tepricat që në orë të ndryshme nuk janë të pakta, po ia huazon Shqipërisë (Korporatës Energjetike Shqiptare). Deri më 31 korrik 2022, KEK ka deponuar në KESH 100,178 megavatë orë energji elektrike.

Buletini Ekonomik

Pavarësisht gjendjes globale energjetike goxha alarmante, Kosova gjatë këtyre ditëve verore dhe me temperatura të larta, po shënon një stabilitet të imponueshëm energjetik, në saje të prodhimit nga kapacitetet termoenergjetike të vetat. Kosova, nga prodhimi i dy blloqeve të termocentraleve Kosova B dhe dy të tjerave të Kosova A, gjithsej diku rreth 760 megavat-orë energji elektrike, po i plotëson të gjitha nevojat e konsumit të Kosovës, ndërsa tepricat që në orë të ndryshme nuk janë të pakta, po ia huazon Shqipërisë (Korporatës Energjetike Shqiptare).

Skënder Bucolli, zëdhënës i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) i ka thënë sot Buletinit Ekonomik se KEK-u aktualisht është duke operuar me dy njësi të termocentraleve Kosova A, duke prodhuar rreth 260 megavat-orë (MW) dhe dy njësi të Kosova B me rreth 500 MW.

Sipas tij, totali i prodhimit nga dy TC-të e KEK-ut këtyre ditëve, por edhe sot, është afër 760 MW/h. Kjo sasi e energjisë elektrike është e mjaftueshme për të plotësuar nevojat aktuale të konsumit të Kosovës, ndërsa tepricat, që në orë të ndryshme të ditës nuk janë të pakta, po i huazohen Shqipërisë.

Sipas Bucollit, blloku A3, i Kosovës A, është duke operuar me fuqi prej rreth 130 MW/h. Aktualisht gjendja e kësaj njësie paraqitet e qetë dhe stabile. Duke u mbështetur në Bilancin Vjetor të Energjisë Elektrike (BVEE) në fuqi, kjo njësi (A3-shi) parashihet që ta realizojë remontin e rregullt vjetor nga 01.10.2022 deri më 25.10.2022, ndërsa një remont, pak a shumë, i ngjashëm, në këtë njësi të prodhimit të rrymës është kryer nga 29.01.2022 deri më 27.02.2022. Njësia gjeneruese, ose blloku A4 i termocentraleve Kosova A, aktualisht është duke operuar me fuqi prej rreth 130 MW/h, dhe gjendja momentale e kësaj njësie gjithashtu paraqitet stabile.

Duke iu referuar BVEE në fuqi kjo njësi (A4 –shi pra), parashihet që ta realizojë remontin e rregullt vjetor nga 01.09.2022 deri më 25.09.2022. Ndërkohë që njësia gjeneruese A5, tashmë gjendet praktikisht në remont të planifikuar. Remonti në A5 ka filluar më 20.07.2022 dhe ishte paraparë të përfundojë më 04.08.2022. Mirëpo, informacionet e fituara nga inspektimi i kufizuar i turbinës, në njëfarë mënyre bëjnë të ditur se gjatë këtij remonti kjo njësi gjeneruese nuk siguron operim të mëtutjeshëm, prandaj kushtimisht parashihet që në bllokun A5 të bëhet një remont kapital, që siç parashihet, do të zgjasë nga 01.09.2022 deri më 30.11.2022. Për këtë njësi aktualisht është duke u zhvilluar një proces i prokurimit për të siguruar punëkryesit që do të kryejnë remontin kapital në turbinë, gjenerator dhe kalldajë.

Skënder Bucolli ka njoftuar sot se njësia gjeneruese B1 e Kosovës B është në prodhim dhe është duke operuar me fuqi prej rreth 255 MW/h. Po kështu, gjendja aktuale teknike e kësaj njësie paraqitet e qetë dhe stabile. Në këtë bllok tashmë ka përfunduar remonti i rregullt vjetor dhe punët rreth këtij remonti janë zhvilluar në muajin korrik të këtij viti.

Edhe blloku B2, i Kosovës B është duke prodhuar njësoj si B1, me fuqi rreth 255 MW/h dhe gjendja teknike, sipas zyrtarit për informim të KEK-ut, e bllokut B2 aktualisht paraqitet e qetë dhe stabile.

Në këtë bllok, në B2-shin pra, parashihet të bëhet remonti i planifikuar i rregullt vjetor nga 07.08.2022 deri më 26.08.2022. Siç ka njoftuar Skënder Bucolli, për realizmin edhe të këtij remonti janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të domosdoshme që ky remont të realizohet në kohë dhe me sukses.

Gjendja operuese e njësive prodhuese të KEK-ut është aktualisht stabile, megjithatë duhet pasur parasysh faktin se këto njësi operuese, sidomos blloqet e Kosova A tashmë janë të stërvjetruara dhe si të tilla te to nuk mund të parashikohet ndonjë perfoemancë fare e sigurtë, pasi që defektet teknike të paparashikuara në stabilimentet e vjetëruara janë lehtësisht të mundshme dhe të paparashikueshme.

Sidoqoftë KEK-u, siç ka thënë Skënder Bucolli, konform planit është duke i duke bërë të gjitha përgatitjet (remontet e planifikuara) për të ngritur sigurinë në njësitë prodhuese për operim gjatë sezonit dimëror. Ndërsa sa i përket furnizimit me energji elektrike kjo përgjegjësi sipas ligjit i takon furnizuesit publik (KEDS dhe KESCO).

Me këtë ritëm të prodhimit të energjisë elektrike gjatë këtyre ditëve, siç ka njoftuar zëdhënësi Bucolli, KEK-u po huazon një sasi të rrymës edhe për nevojat e konsumit të Shqipërisë, duke u bazuar në marrëveshjen me KESH-in për shkëmbim të energjisë, me synim të përkrahjes së ndërsjellë dhe në mënyrë që të krijojë mundësi për energji shtesë gjatë periudhës dimërore. KEK është duke i ofruar sistemit elektroenergjetik shqiptar të gjitha tepricat e energjisë së prodhuar (pas plotësimit te nevojave të konsumit vendor). Nga energjia elektrike e ofruar, KESH është duke marrë rrymën e cila i nevojitet dhe për të cilën ka kapacitete transmetuese. Sipas të dhënave të njoftuara nga Skënder Bucolli, deri më 31 korrik 2022, KEK ka deponuar në KESH 100,178 megavatë orë energji elektrike. /Buletini Ekonomik/