Ikja e fuqisë punëtore që disa vite është problem me të cilin ekonomia e vendit tonë po përballet, shkaktar për këtë është marrja e vizave të punës nga vendet e jashtme, bashkangjitur tash edhe lëshimin e ‘Kartës së shanseve’ nga shteti gjerman
Problemi i ikjes së punëtorëve nuk haset vetëm tek personeli mjekësor, por shqetësuese është edhe ikja e fuqisë punëtore të profileve të ndryshme në shumë sektorë.
Ikja e mjekëve nga Kosova ka qenë problem i pranishëm edhe pesë vite më parë, por është shqetësues fakti se vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2022, siç tregojnë statistikat e Odës së Mjekëve, nga Kosova janë larguar hiq më pak se 86 mjekë, paralelisht i bie që për pesë muaj janë larguar po aq sa në vitet paraprake largoheshin për dymbëdhjetë muaj.
Kështu që, si problem fenomeni i ikjes ka ekzistuar edhe më parë por, pse po i jepet zë tani?
Kjo për shkak se Ministri gjerman i punës, Herbertus Heil, ka paralajmëruar së fundi për ‘një ligj modern imigrimi’, që ka për synim tërheqjen e fuqisë punëtore në Gjermani.
Ligj ky i cili ofron një Green Card apo ndryshe njihet si ‘Karta e shanseve’, që synon tërheqjen e punëtorëve në Gjermani, ndërsa pritet të mundësohet në vjeshtën e këtij viti, por ende nuk ka një datë të saktë.
“Ne do të krijojmë një kartë të shanseve, me qëllim që njerëzit që vendi ynë ka nevojë, të mund të vijnë më lehtë”, është shprehur Heil.
Bazuar në ligjin gjerman, për të fituar këtë kartë të shanseve duhet të plotësohen këto kritere: posedimi i diplomës, njohuri të gjuhës gjermane, tri vite eksperiencë pune dhe të jesh më i ri se 35 vjeç.
Kështu, Ministri Federal për çështje ekonomike, Robert Hebeck, vuri në dukje nevojën urgjente për punëtorë të kualifikuar per vendin.
Hebeck zbuloi se me anë të ‘kartës së mundësisë’, do të zvogëlohet mungesa e fuqisë punëtore në Gjermani.
Por, a e rrezikon kjo mundësi Kosovën të ngelë pa punëtorë?
Lidhur me këtë çështje ka folur për Portalin Dukagjini, studiuesi i emigrimit, Kapllan Halimi, i cili u shpreh se karta e shanseve do të prekë më së shumti mjekët, infermierët dhe inxhinierët të cilët janë edhe më të interesuarit për t’u larguar.
“ ‘Karta e shanseve’ e dëmton perspektivën e Kosovës, pasi jemi vend i vogël me pak njerëz të kualifikuar mirë, dhe rreziku që këta njerëz të largohen do të jetë më i lartë”, u shpreh ai.
Njëashtu, për këtë çështje është pyetur sociologu nga vendi, Genc Xërxa, i cili vlerëson se ka ikje të trurit të Kosovës, gjë që sipas tij më vonë do të shkaktojë mungesë të punëtorëve që i nevojiten Kosovës.
“ ‘Karta e shanseve’ do të shënojë rënie të papunësisë në përqindje pasi po na ikën truri nga Kosova sepse nëse punësohen vetëm punëtorët e krahut, atëherë kjo do të rregullonte tregun e punës për punëtorët e kualifikuar”, u shpreh Xërxa.
Ai beson se ‘karta e mundësisë’, ka edhe anën e mirë të saj, që sipas tij kjo do të krijojë perspektiva të reja dhe të mira për punëtorët që ngelin në vend.
“Do të ngritet kërkesa për punësim, do të hapet përspektiva këtu, do të gjejnë të gjithë punë dhe ndoshta edhe do të zbutet shkalla e papunësisë në Kosovë”, ka përfunduar sociologu Xërxa.
Se klasa e kualifikuar do të largohen, tregon edhe fakti se Gjermania që nga korriku i vitit 2021 deri në korrik 2022, kishte mungesë prej më shumë se gjysmë milioni punëtorësh të kualifikuar në të gjitha profesionet.
Ndryshe, profesori i Antropologjisë, Tahir Latifi, mendon se arsyet e ikjes që nga paslufta janë varfëria, shkalla e lartë e papunësisë dhe mungesa e sigurimit shëndetësor në vend.
“Arsyet normalisht, së paku nga paslufta janë varfëria, shkalla e papunësisë që lëviz 25-30 %, por mbi të gjitha mungesa e sigurimit shëndetësorë”, ka thënë ai.
Studiuesi për çështje emigruese, Halimi shtoi se shteti duhet të investojë që këto kuadro mos të largohen, në të kundërten ndikohet drejtpërdrejtë zhvillimi i vendit.
“Është shumë e vështirë të ndalet ky fluks, pasi në këtë kohë krize ekonomike ku inflacioni shkon mbi 20% është vështirë të bindet edhe qytetari më pak i dëshpruar, por shteti duhet të krijojë një frymë dhe të investojë që këto kuadro mos të largohen, sepse kështu kriza ekonomike do të thellohet edhe më shumë“, ka thënë Halimi.
Sociologu Xerxa, i pyetur se a ka ndonjë rekomandim për shtetin lidhur me këtë çështje, ka shtuar se duhet të punohet më shumë në këtë drejtim, veçanërisht për njerëzit e kualifikuar apo me përgatitje arsimore, duke thënë që këtyre duhet t’u gjejë punë dhe t’i akomodoj si normë të interesit nacional.
“Shteti nuk duhet t’i lëjë të ikë ata në të cilët ka investuar me vite për t’i përgatitur si kuadro”, ka përfunduar sociologu Xërxa.
Shqetësues është edhe fakti se gastronomia ka mungesë të punëtorëve, madje së fundi RTV Dukagjini ka raportuar një rast të një udhëheqësi të një kafeje, i cili ka shprehur vështirësinë për të pasur punëtorë në sektorin e gastronomisë.
Ndërsa sa u përket mjekëve, çdo vit aplikojnë në Fakultetin e Mjekësisë një mijë studentë, prej të cilëve vetëm 150 pranohen dhe vijojnë studimet, numër i mjaftueshëm në qoftë se do të qëndrojnë në shërbim të vendit, jo sikurse tashmë që ka vetëm 48 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).