Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar së fundmi të dhënat më të reja për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, si dhe shifrat e importit dhe eksportit të energjisë për muajin korrik të këtij viti.
Sipas këtyre të dhënave, vendi ynë gjatë kësaj periudhe ka importuar gjithsej 343.72 GWh energji elektrike, ndërsa ka eksportuar 21 GWH më shumë. Gjatë korrikut, pra, Kosova ka ekportuar jashtë vendit gjithsej 364.98 GWh energji, përcjell Buletini Ekonomik.
Në ndërkohë, prodhimi total bruto nga termocentralet e energjisë elektrike në Kosovë gjatë korrikut mësohet se ishte 468.63 GWh, prodhimi bruto nga era dhe nga energjia solare ishte 22.98 GWh, kurse prodhimi bruto nga hidrocentralet ishte vetëm 5.71 GWh.
Sipas ASK-së, gjatë muajit korrik të vitit 2022, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte gjithsej 476.06 GWh, derisa konsumi i energjisë elektrike ishte 365.85 GWh, ose 5.61% më i vogël krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Ndërsa, pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 7.84%.
Gjithashtu, edhe prodhimi i thëngjillit, si burimi kryesor në Kosovë për gjenerimin e energjisë elektrike, ka shënuar ulje. Nga ASK-ja kanë konstatuar se gjatë korrikut, prodhimi i thëngjillit ka qenë rreth 6.38 mijë ton, ose 15.95% më pak sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak. /Buletini Ekonomik/