ATK del me një apel për bizneset

Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjithë personat, të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor aty ku nuk kërkohet të lëshohet faturë tatimore, janë të obliguar që të pajisen me Pajisje Elektronike Fiskale (PEF), gjegjësisht Sistem Fiskal dhe të lëshojnë Kuponë Fiskal.

Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen te tatimpaguesit, të cilët:

-Kërkohet të fiskalizohen, por nuk janë të pajisur me PEF/SF;

Reklama e sponzorizuar

-Janë të pajisur me PEF/SF, por nuk lëshojnë Kuponë Fiskal;

– Lëshojnë kuponë jo-fiskal dhe përdorin pajisje jo-fiskale.

Disa nga veprimtaritë, si: tregti, prodhim, shërbim, shëndetësi, hoteleri, arsim, transport, artistike-zbavitëse, etj. nuk zbatojnë këtë obligim, prandaj ATK, u bënë thirrje që të pajisen me PEF/SF dhe të lëshojnë Kuponë Fiskal.

ATK, inkurajon të gjitha kategoritë e lartpërmendura që t’i përgjigjen në mënyrë të saktë kërkesave ligjore, në të kundërtën do të aplikohen ndëshkimet administrative, ashtu siç janë përcaktuar me legjislacionin tatimor.

Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju do të kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore.