Për një muaj, diaspora solli rreth 120 milionë euro në Kosovë

Rreth 120 milionë euro është vlera preliminare e dërgesave të mërgatës që janë sjell në Republikën e Kosovës për muajin maj 2024.

Kështu thuhet në statistikat e remitencave dhe institucioneve të tjera financiare (jobanka) për muajin maj 2024 të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera totale e tyre për pesë muaj, sipas vlerësimeve preliminare, ka arritur në 513.99 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitencave ishin nga institucionet financiare jobankare (IFJB) me pjesëmarrje prej 56.31%, pasuar nga kanalet e tjera me 23.34% dhe bankat me 14.98%.

Për sa u përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja tregon se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 318.62 milionë euro, duke shënuar rritje prej 1.62 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.90 miliardë eurove, e dominuar nga Letrat me Vlerë të Kapitalit me 78.14% të gjithsej aseteve.

Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve të tjerë financiarë në fund të muajit maj 2024 janë rritur për 11.42 milionë euro, duke arritur vlerën e 583.67 milionë eurove.