Administrata Tatimore e Kosovës, ua ka rikujtuar të gjithë personave fizikë afarist dhe personave juridikë, se janë të detyruar të mbajnë tatimin në burim për të gjitha pagesat që i bëjnë.
Këtu përfshihen të gjitha pagesat që bëhen për paga dhe pensione, interes, të drejta pronësore, qira, kategori të veçanta dhe për pagesa të caktuara për jo rezidentë, ashtu siç është përcaktuar në legjislacionin tatimor, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas ATK-së, aktivitetet e saja, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk janë duke përmbushur këtë detyrim ligjor, ndaj të cilëve paralajmëron edhe ndëshkime administrative, ashtu siç janë përcaktuar me legjislacionin tatimor.
Me këtë rast, ATK-ja iu bënë thirrje të gjithë personave që të mbajnë tatimin në burim për pagesat që i bëjnë, apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.
“Me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Sipas tyre, pagesa e tatimit, siguron qëndrueshmëri të ekonomisë në vend. /Buletini Ekonomik/